Arkiv për Mars, 2011

Era shtet


Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Gjykata Kushtetuese

Dhe Gjykata Kushtetuese sërish dha fjalën e saj. Për çështjen e njëjtë. Presidentin e Republikës. Dy herë brenda gjashtë muajsh, për dy shkelje, efektet e të cilave patën trazuar dhe sërish pritet të trazojnë fort zhvillimet konstitucionale në vend. E shpejtë, e pavarur e profesionale, e kështu ligjërisht e fuqishme, për një gjë është e sigurtë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës po kthehet në ankthin 24-orësh të politikës kosovare. Në murin e pakapërcyeshëm për të dy presidentët e fundit. Në plangprishësen e kokëfortën kundrejt vendimeve e procedurave të logjikës “unë jam ma i forti”. Një vendim i drejtë, gjë e mirë për Kosovën, që absolutisht nuk duhet të përkthehet si i qëllimshëm kundrejt figurës së presidentit apo atyre që e sollën aty. E tërë kjo ka të bëjë me mënyrën. Sepse në rendin e bërjes së gjërave gjithmonë duhet patur kujdes, mënyrën.  

Dëm e fitore

Çka fitohet e çka humbet, është e vështirë të nxirren përfundime të menjëhershme. Se a do të ketë kapërcim taktik të tipit dellian e blerje vote nën presion për të dalë nga kjo situatë e re, apo një kthim në pikën fillestare, kompozicion të ri politik apo edhe e fundit fare, zgjedhje të reja, mbetet të shihet.

Tash për tash, efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mund të jenë të dhimbshme sidomos për opinionin publik, që pas muajsh të tërë cirku zgjedhoro-politik, do i duhet sërish të rikalojë nëpër të. 

Ndërsa në aspektet afatgjata, efektet janë shumë pozitive për të gjitha proceset e demokratizimit e të shtetndërtimit. Këto vendime të një institucioni që po jep shenja të konsolidimit e pjekjes konstante, nuk duhet parë si fitore e opozitës, apo kundërshtarëve tjerë të qeverisë, por si NDALESË edhe për vetë opozitën, nëse nesër i futet rrugëve joligjore për arritjen e qëllimeve politike. Në të njëjtën kohë, një vendim i tillë është i shëndoshë edhe për vetë pozitën, sepse nesër kur të mos jetë në pushtet, një Gjykatë Kushtetuese efikase e profesionale në vendimet e saj, do t’i mbrojë nga shkeljet e mundshme. 

Mësimi

Shtyrja e pavarësisë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2009, si dhe zgjedhjet politike për udhëheqësit e institucioneve të pavarura, i kanë bërë shumë dëm Kosovës. Këtë më së miri na e dëshmon dhe mëson roli i Gjykatës Kushtetuese në vendimin për presidentin Sejdiu dhe për presidentin Pacolli, se askush nuk e ka të garantuar pozitën e tij, sidomos kur bëhen shkelje, qoftë edhe proceduriale. Se të gjithë duhet të kenë frikë nga ndëshkimi, në këtë rast ndëshkimi kushtetues e institucional. Kjo e bën një qeveri që të mos krekoset parakohe për numra votash të mjaftueshme, për dominanca e mazhoranca, për qeverisje të garantuar e të kontrolluar si t’ia dojë qejfi, nga poshtë-lart.

Poashtu gjithë spektri politik të nxjerrë mësim të shpejtë nga kjo, duke bërë reforma brenda përbrenda partive në emër të zhvillimit, suksesit, e jo në emër të lavdive të kaluara e patriotizmit tashmë të konsumuar. Sepse një ofertë e dobët politike, po, mund të sjellë një instant-qeveri dhe një instant-president, por edhe një instant-largim.

Në këtë vazhdë zhvillimesh, edhe institucionet tjera bartëse të drejtësisë e pushtetit ligjor të marrin shembull e të motivohen për marrjen e vendimeve të forta e të drejta, që në fund të fundit janë të rëndësishme për demokracinë, popullin, për të cilin edhe janë krijuar.

Besimi

Si me asgjë tjetër, përditshmëria e shoqërisë në Kosovë karakterizohet nga mungesa e besimit. Besimit në vërtetësinë e institucioneve, besimit në zgjedhjet e lira politike, besimit në projektet e qeverive për bërjen e Kosovës.

Të kritikuar rëndë për një sistem ligjor të dobët, për gjykata jofunksionale dhe të ndikuara skajshmërisht nga politika, më shumë se kurrë, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese japin sinjal të qartë për kthimin e mundshëm të besimit. Kthimin e besimit te qytetarët, duke mos lënë anash edhe nevojën për kredibilitetin rajonal dhe më gjerë në Europë. Besimin se vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese mbajnë aromë pavarësie dhe profesionalizmi. Aromën e shtetit të Kosovës.

GAGA-izmi shqiptar


Kosova & Shqipëria - Going GAGA

 Të reklamosh apo bësh branding për të promovuar vendin është një investim i rëndësishëm. Sidomos në kohët moderne kur të gjitha shoqëritë qoftë ato në zhvillim apo ato të zhvilluara bëjnë shumë për imazhin e tyre. Kosova e Shqipëria s’bëjnë dot përjashtim në këtë lojë imazherie. Por për dallim nga shtetet tjera demokratike ku përgjegjësitë për promovim të imazhit janë të ndara në mes qeverive dhe komuniteteve të artit, në Kosovë e Shqipëri ndodh e kundërta.

Kryeministri i Shqipërisë ka muaj të tërë që përmend emrat e yjeve botëror me qëllim promovimin e Shqipërisë para botës. Dukej shumë entuziast në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Ministrave apo në Kuvend prej nga sinjalizonte mundësinë e prurjes së emrave të famshëm. Por përkundër të gjithave momenti i përfolur nuk erdhi. Nuk erdhi se gjërat nuk vajtën si duhet. Skandalet e korrupsionit dhe krizat e thella politike s’lanë vend për festime. Në fund të ditës qëllimi i vërtetë i gjithë kësaj historie ngjan sikur të jetë tjetër. I dyfishtë. Sigurisht, për opinion e brendshëm, sepse amullia dhe konfuzioni në të cilin vërtitej realiteti duhej të pudrosej me titujt “Beyonce në Tiranë” apo “Gaga në Durrës”. Si dhe për opinionin e jashtëm, se gjërat në Shqipëri ecin në rregull.

 Gjetja e ideve për promovimin dhe reklamimin e vendeve, kauzave, ka vështirësitë e veta, sidomos në një kohë kur shoqëritë e zhvilluara kanë avancuar dhe pothuaj kanë konsumuar idetë si këto. Që një ide të jetë e qëlluar dhe të godasë aty ku duhet, kërkohet kreativitet dhe gjetje origjinale. Por problemi qëndron pikërisht këtu. A mungojnë ekspertët shqiptarë kreativë për të gjetur formulën e duhur të promocionit. Apo na mjafton një ide që vjen nga Lindja e Mesme dhe shoqëritë me diktatorë në rënie, që me blerje milionëshe të këngëtareve që përdridhen tentojnë të tregojnë se sa mirë i kanë punët e sa demokratikë janë.

Gaga-idetë

Idea e ngjashme që po qarkullon ditëve të fundit edhe në Kosovë, për sjelljen e emrave të famshëm të muzikës botërore, më shumë se çdo gjë tjetër ngre shumë pyetje. Vërtet, për çfarë promocioni ka nevojë Kosova tani? Dhe a është kjo gjetja e duhur?

Në kulturën urbane, prurjet e yjeve e bendeve muzikore me nam janë pjesë e një procesi të vazhdueshëm zhvillimor social e kulturor të shoqërisë. Përkundër numrit të madh të rinisë shqiptare dhe nevojës për evente artistike të mëdha, prapëseprapë këto aktivitete nuk duhet të jenë punë qeveritarësh. Ka kohë që të rinjtë entuziastë në Prishtinë e Tiranë me sukses kanë sjellur yjet e muzikës botërore, prandaj këto prurje nuk do të përbënin lajm. Mbase brenda Ballkanit dhe vetëm kaq.

 Imazhi i dy shteteve tona nuk përmirësohet pse vjen Rihana në Tiranë, sepse që të nesërmen sërish nëpër ballina do shfaqen tituj me lajme jo të mira nga Shqipëria. As Venezuela, Spanja e Irani nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës meqë erdhi Shakira apo Gaga në Prishtinë. Dhe sigurisht as Catherin Ashton s’do të pyeste se si ia kaluam me pop-yjet! Sepse yjet e muzikës nuk e çrrënjosin korrupsionin, nuk bëjnë reforma e shtet ligjor nga skena e muzikës live. 

Gaga-Produkti

Dy qeveritë shqiptare me shefat e tyre në krye na shfaqen kontraverse e të papjekura në vendimet dhe mënyrën se si menaxhojnë me mjetet publike. Dhe gjithnjë e më shumë po ngjajnë me nëra-tjetrën.

Fytyra e mirë e një vendi propagohet me transparencë qeverisjeje, zgjedhje normale, me fushata milionëshe lufte kundër korrupsionit e trafikut, me programe milionëshe në edukimin e ekspertëve të shumë fushave, kuadrove mjekësore, inxhinierëve. E çka është më e rëndësishme qeveritë duhet të orientohen në zhvillimin e produktit, brandit shqiptar, e jo gaga-produkteve. Bashkimi Europian dhe bota vetëm në këtë mënyrë bindet se qeveritë po punojnë si duhet. Dhe integrimi, njohjet s’do të vonojnë.  

Gaga-qeveritë

 Zhvendosja e vëmendjes së opinionit publik nga aktualiteti i vrazhdë shqiptar ka hyrë zyrtarisht në politikën ditore andej e këndej kufirit, dhe si fenomen ka modelet e stërkequra gjithandej nëpër botën e tretë. Që ka humbur sensin moral dhe estetik në paraqitjet e liderëve tanë para masës, është e vulosur. Mungesa e ndjeshmërisë dhe deri diku e injorancës së medias në trajtimin e këtij gagaizmi politik u jep hapësirë të mjaftueshme veprimi ideatorëve jokreativë të këtij marketingu joprofitabil.

 Ndërkohë gaga-qeveritarët të kenë kujdes se mos një ditë to të përfundojnë në gjykata keqpërdorimesh, e pastaj Beyonce e Shakira do t’i mohojnë ato para, apo do t’i japin për bamirësi sikur po ndodh kohëve të fundit. Sepse në fund të fundit yjet duhet të sillen për të festuar suksesin, e kurrsesi për të maskuar dështimin. 

 Kjo po që do të ishte “qershia mbi tortën” e imazhit shqiptar.

Uglar 2011


 

Uglar 2011

E shëmtuara përsëritet

Ishte Mars i vitit 2004 kur fëmijët shqiptarë nga Mitrovica u kërcënuan, u ndoqën e u mbytën në lumin Ibër. Pas kësaj pati një reagim spontan që çoi në shkarje situate në atë që më vonë u quajt si Marsi 2004. Ishin vet qytetarët serbë që ndezën fitilin, dhe po ata që përfituan më vonë nga reagimi i shqiptarëve.

Mars 2011. Skenar i ndryshëm, i vdekur po një fëmijë shqiptar. Një djalë i vogël me ëndrra të mbetura peng. Peng i një vrasësi “të panjohur”. Peng i përgjegjësive tona, të secilit qytetar e pushtetar të Kosovës. Ka qenë e thënë të ndodhi kjo, se kështu paska dashur Perëndia. Së paku sipas Presidentit të Kosovës! Vrasësi (nuk) dihet. Autoritetet heshtin e s’guxojnë të marrin masa. Se kështu e do puna. Sipas Ministrit të Brendshëm. Që të bën të besosh se po të mos ishte për mjetet e informacionit, ne as që do të mirrnim vesh se kjo vrasje kishte ndodhur. Kjo, për hir të stabilitetit, për hir të kushedi çfarë. Nuk reaguan mediat ndërkombëtare, askush nuk përshëndeti heshtjen, përmbajtjen shqiptare. As në BE, Kombe të Bashkuara. Se kur serbët vrasin, qoftë edhe fëmijë që prejnë dru për bukën e gojës, duhet të rrimë urtë. Ndërsa po të ndodhte në të kundërtën?  

 Të djegur

Sjellja e butë e autoriteteve kosovare ndaj këtij rasti si dhe reagimi i vakët i shoqërisë civile, është shumë i habitshëm dhe skandaloz. Armët ekzistojnë gjithandej nëpër shtëpitë e serbëve, KFOR hesht. Policia e Kosovës “ruan” stabilitetin duke u lënë atyre në duar arsenale të vërteta armësh.

Kush u dogj me të vërtetë në gjithë këtë? Zemra e një nëne të vuajtur, apo shumë më tepër. Sigurisht që shumë më tepër. U dogj besueshmëria! Besueshmëria e autoritetit shtetëror. E figurës së Presidentit, që në mënyrën më naive e bestytnore zhvendos shkakun e ngjarjes në ” Perëndia ka dashtë”. U dogj besueshmëria e Policisë, e cila reagon me qetësi e  indiferentizëm aspak bindës. U dogj edhe një herë besueshmëria e zyrave ndërkombëtare, të cilat me stopimin e aktiviteteve ligjore të Policisë së Kosovës ndaj serbëve të armatosur, kanë cënuar dhe po cënojnë vazhdimisht sinqeritetin në punën dhe paanësinë e misionit të tyre.

 Faji

Humbja e jetës së të riut nga Uglari, edhe një herë shenjon mirë realitetet e përditshmërisë kosovare. Gjetja e fajtorit të vërtetë nuk ndërlidhet vetëm me identifikimin e vrasësit apo motivin e këtij akti, qoftë ai etnik apo tjetër. Është më e thellë, gjithëpërfshirëse.

Të mbijetosh varfërinë, me rrezikun e përhershëm të humbjes së jetës, për më tepër jetës së një fëmije rëndon drejtpëdrejt mbi keqpërdoruesit e Kosovës. Dhe atë nga keqpërdoruesit e vegjël e deri te keqpërdoruesit e mëdhenj. Që nga 1999 e deri më sot. Vjedhjet masive, shpërlarjet e parave, keqmenaxhimi me mjetet financiare, paranë publike dhe çdo punë e bërë keq nga drejtuesit e pozitave në politikë, biznes e administratë janë fajtorët e vërtetë të këtyre ditëve. 

Rasti i Uglarit duhet shikuar edhe përtej perdes etnike. Shkaqet janë më të rënda dhe bëjnë me gisht nga ne. Serbi mund të jetë fajtor për vrasjen, mund edhe të burgoset, por si t’ia bëjmë me fajtorët që çuan një fëmijë drejt malit, vdekjes?! Pasurimet anakronike multimilionëshe nga njëra anë dhe humbja e një jete të re në luftë për kafshoren e bukës, flet mëse mjaftueshëm. 

Kjo ngjarje mund të ketë lidhje me çdo gjë, por vetëm me Perëndinë, JO!

“Allahu Ekber”!?


"Mos ma kthe me t'keq"

Në marëdhëniet njerëzore, kur dikush ndihmohet nga tjetri, normalisht që është i pritshëm edhe falenderimi apo shpagimi ndaj asaj të mire. Ndërsa në situatat kur shpagimi është praktikisht i pamundur, në kulturën tonë popullore ekziston një thënie e moçme dhe shumë domethënëse, “mos ma kthe me t’keq!”. Thënie kjo me nënkuptim të caktuar, shpesh të dyfishtë, po që tingëllon sipërfaqësore dhe jo fort e dëshiruar për veshin e njeriut.

E pikërisht tani po përjetojmë ndjesinë sikur ai “falenderimi” ynë i vazhdueshëm për një të mirë të madhe u shkërmoq, e disi u zhbë brenda minutash. Që në një mënyrë ngjan sikur vërtet “e kthyem me t’keq”.

 Lajm i keq

 Askush nuk tha që “një banor gjerman vrau ushtarët amerikanë…”! Të gjithë e thanë, madje me zë të lartë se vrasësi ishte nga Kosova, mysliman dhe kishte thënë: “Allahu Ekber”. S’mund të ndodhte ndryshe, anipse i riu nga Mitrovica mund të ishte shtetas apo banor i përhershëm gjerman. Ai tekefundit ështe shqiptar dhe ç’është më e keqja kreu krim me një skenar të tmerrshëm, që as mendjet më pjellëkëqija të Beogradit nuk do dinin ta stisnin.

Dukej si shakaja më e keqe. Që doli e vërtetë! Sa shokuese. Sa e papranueshme. Lajmi më i hidhur i radhës, në vazhdën e lajmeve hiç të mira që kanë të bëjnë me Kosovën tash e sa muaj. Epizodi më tragjik në marëdhëniet Kosovë-SHBA.  

Mos na vrisni 

Populli shqiptar i detyrohet shumë miqve të tij perëndimorë. Historia e ka treguar këtë që nga ekzistencializmi i Shqipërisë e deri te historia moderne e Kosovës. Sigurisht, ne nuk kemi kapacitete ekonomike dhe burime natyrore për t’u kthyer miqve tanë të mirat që na kanë bërë. Ne as nuk notojmë në naftë, që të joshnim amerikanët për investime të tyre, për t’ua shpaguar mundin politik e ushtarak. Biles as ata nuk kanë pritur e as nuk po presin që ne t’ua kthejmë të mirën, falenderimin. Për miqtë tanë amerikanë falenderim do t’ishte që ne të bëhemi të mirë e të suksesshëm për veten, jo për amerikanët. Të punojmë mirë për veten, jo për amerikanët. Të forcojmë veten, të zhvillojmë veten. Jo amerikanët.

Tash çka t’u themi atyre? Çka të presin nga ne? Të arsyetohemi se ishte vetëm një rast i izoluar dhe se rastësisht dorasi na paska qëlluar të jetë shqiptar?

Apo ndoshta duhet të presim që miqtë tanë amerikanë të na kuptojnë, të mbyllin sytë e të na kërkojnë vetëm diçka. Që në vend të falenderimit, së paku të MOS I VRASIM! Jo për diçka të tillë!

Por ka ndodhur. E frika është që do të ndodhi sërish sepse kjo mënyrë sjelljeje e shqiptarëve ka filluar të lëshojë rrënjë e të marrë formë gjithnjë e më shumë.

 Homazh

Kosova u godit sërish. Në ditët kur më së paku pritej. Dhe në këtë rast nuk u godit nga jashtë, nga Serbia, por u godit nga brenda, vetvetja. Akti i vrasjes së tmerrshme përbën lajm në çdo faqe gazetash ndërkombëtare, faqe interneti, zyra diplomacishë. Dhe pothuaj në çdo rast përmendet edhe Kosova, sepse ishte një kosovar në pyetje. Ky është rasti më tipik kur vepra e një individi nuk dëmton apriori vetë individin por dëmton mbarë një shoqëri, shtet të tërë. Kjo ngjarje na njollos të gjithëve sepse nuk është vrasje me motive të ulëta, apo vrasje e lidhur me një krim ordiner. Por, janë vrarë pjesëtarë të ushtrisë amerikane. Ushtri për të cilën dikur një popull i tërë jemi lutur të na shpëtojë e çlirojë nga armiku gjatë ditëve më të vështira të ekzistencës tonë. E ajo na shpëtoi, çliroi e vazhdon të na mbrojë. 

Më e keqja në gjithë këtë histori është se ky akt nuk përbën një rast të izoluar. Shembuj aktesh me motive të ngjashme kanë ndodhur edhe më herët. Ky është një tregues i qartë se në çfarë labirintesh të qorrta po shkon shqiptarizma jonë.

Ngushëllimi i familjeve të ushtarëve apo një dënim retorik verbal i aktit është i pamjaftueshëm e pokaq patetik. Një homazh për të vrarët nuk arsyeton gjë.

Ajo që tani më së shumti ka nevojë për një homazh, është vetë Kosova.