Arkiv për Maj, 2011

Inati shqiptar


"Inati shqiptar" - © illyris 2011

Askush nuk e di se kur do të vijë momenti kur zgjedhjet lokale në Shqipëri do të jenë vetëm një lajm lokal dhe jo një problem me të cilin do të mirret edhe Europa.

Në fillim dukej të jetë një situate premtuese, pasi në ditën e zgjedhjeve u tregua një frymë e përgjitshme maturie. Por si gjithmonë, vetëm derisa nuk nisi numërimi i famshëm i votave, derisa nuk nisën kundërthëniet e forta mes taborreve politike.
Përpjekja e qeverisë shqiptare për të shfaqur një fytyrë më të moderuar, të kundërt nga ajo e zakonshmja, pa gjuhën e urrejtjes dhe ofendimeve të ulëta doli të funksionojë deri në një masë. Por jo sa për të kaluar e vetme testin, pasiqë pala tjetër, opozita, as që e mori guximin më të vogël që të përmirësojë veten në këtë aspekt. Se do të mundte, s’ka dyshim. Një gjë që nuk kërkon shumë investim. Do të mjaftonte një vendim brenda partisë, që çdo dalje para masës dhe medias të bëhej me një gjuhë të zgjedhur e të kultivuar, për të treguar pjekuri dhe çuar para proceset. 
Por kjo nuk ndodhi dhe siç po shihet zor se të ndodhi ndonjëherë.
 
Ngecja kolektive
 
Si një popull i vogël e i paragjykuar nga të tjerët, gjatë historisë së ekzistencës tonë, nuk jemi ndier fare të përkëdhelur. Zakonisht fajin ua kemi hedhur të huajve të cilët nuk na njohën sa duhet, e për pasojë edhe nuk na deshën sa duhet. Se paragjykimet ndaj nesh ishin të stisura dhe të pavërteta, e se ne shqiptarët, në të vërtetë jemi të njëjtë me pjesën tjetër të Europës.
Por ky perceptim yni për veten tonë rezulton të jetë i paqëndrueshëm, kjo, bazuar në mënyrën se si shqiptarët janë duke u sjellur, qofshin në pushtet apo në opozitë. Se cilat janë shkaqet e vërteta të kësaj katandisjeje kolektive, do të ishte një subjekt i gjerë studimi shkencor e historik. 
Mungesa e lirisë dhe shtypja permanente qoftë nga të huajt apo sistemet politike s’mbeten më faktorët deçizivë që kushtëzuan ngecjen tonë. Se as dy dekada demokraci, si askund tjetër në rajon, nuk dolën të mjaftueshme për emancipimin themelor të shqiptarëve.  
 
Inati e urrejtja
 
Çoroditja politike shqiptare nuk do mend që në thelb përmban frikë dhe mosbesim. Ndaj kujtdo që udhëheq. Qoftë në nivelin lokal apo qëndror.
Në vazhdën e kësaj, mungesa e lirisë së ideve, reformave dhe moralit politik brenda partive flet vetë. Kjo bëri që qeveria në zgjedhjet e përgjithshme të fundit, të hyjë në pazare politike jo të shëndosha me armiqtë e deridjeshëm politikë, të cilët rezultuan të jenë të zhytur në korrupsion të thellë. Por kjo kishte pak rëndësi. Zgjedhjet duheshin fituar patjetër.  
Po kështu as zgjedhjet lokale të fundit nuk shënuan përparim në demokracinë e vendit. Duke filluar që nga opozita e cila nuk pati vizion më të largët sesa deri në Tiranë. Rikandidimi i sërishëm i të njëjtës figurë politike, tregoi se sa e ngulfatur, e pareformuar dhe e kontrolluar është partia kryesore opozitare. Dhe kjo, vetëm e vetëm nga frika e inati për humbjen e mundshme nëse në garë do të futej një figurë e re. Për më tepër kjo opozitë ende pa u dhënë rezultati, i cili doli të jetë në favor të saj, kishte paralajmëruar parregullsitë dhe pakënaqësitë e mundshme, duke ftuar popullin të dalë në rrugë dhe duke nxitur urrejtje. Sepse sido që të ndodhë, skenarët e kontestimit duhet të jenë të përgatitur.
 
Autofagia
 
Deri më tani çdo rotacion pushtetesh në Shqipëri ka patur dhe vazhdon të ketë kosto të madhe politike e integruese. Për më tepër ka çuar në një lodhje e çorientim kolektiv të shoqërisë shqiptare në Ballkan. Tendenca e imitimit nga klasa tjetër politike shqiptare në rajon duket të jetë në rritje të vazhdueshme. Partitë shqiptare në Maqedoni, Serbi, Kosovë e Mal të Zi nuk duken të jenë më të çliruara se simotrat e tyre në Shqipëri nga instinkti serpentin i autofagisë. Fatkeqësisht, mendësia e të bërit të gjërave në shoqërinë shqiptare nuk kalon përtej caqeve të vetkënaqësive të siguruara nga autoritarizmi dhe mundësia e kontrollit të çdo gjëje.
E tërë kjo keqqeverisje, mllef, urrejtje e inat si asnjëherë më parë, nuk na vjen nga të huajt por nga vetja jonë, dhe dëmet e shkaktuara nga vetvetja duken të jetë më të pariparueshme e më të rrezikshme se çdo politikë apo nismë e armiqve të popullit tonë.
Sigurisht, e dhimbshme dhe e çuditshme që edhe në këtë rast të huajt duhet të na qëndrojnë pranë.
Të na mbrojnë. Nga vetja jonë.

“Triumfalizmi”


"Triumfalizmi"

“Drejtësia u vu në vend” – ishte kjo fraza e përcjellur gojë më gojë nga të gjithë, pas lajmit për likuidimin e Bin Laden. Që nga presidenti amerikan Obama, kryeministri kanadez Harper, presidenti Topi, ambasadori Arvizu, presidentja Jahjaga e shumë liderë tjerë botërorë e lokalë. Duket se dhënia e kumtit nuk ka ndryshuar shumë nga e kaluara, kur lajmëtari dilte para turmës dhe sillte lajmin për fitoren apo humbjen e ushtrisë në betejë. Dhe derisa dikur lajmi ipej nga një maratonomak që vinte direkt nga beteja, në demokracitë moderne vetëm njerëzit e rëndësishëm e shijojnë emocionin e triumfalizmit, dhënien e lajmit të pritur gjatë. Se mbi çdo gjë tjetër, duhet ushqyer turmën. Më e çuditshme është kur kjo ndodh në një demokraci të zhvilluar si ajo e SHBA-së. Vendimi që vetë Obama të ishte lajmëtari për vrasjen e shumëpritur, e jo një zyrtar tjetër amerikan, qoftë edhe ushtarak i lartë, si dhe përtej këtij momenti, sjellja që bëri Uashingtoni zyrtar ndaj reagimit të opinionit publik, ngre shumë pikëpyetje. Normalisht lajmi për vrasjen e Bin Laden u pasua menjëherë me kërkimin e provave nga opinioni i gjerë botëror. Dhe po pastaj, arsyetimi se “ne nuk mbajmë trofe në duar” për të provuar kështu me fakte vrasjen e Bin Ladenit, sikur qëndron në disproporcion me reagimin euforik të Shtëpisë së Bardhë të ditëve më parë. 

Turmat
 
Të festohet kjo ngjarje në mënyrën se si e bënë amerikanët në Nju Jork dhe Uashington mbi të gjitha nuk ishte mënyra më civilizuese. Se nuk bëhej fjalë për një ndeshje sportive. Në atë mënyrë nuk u bëhej respekt as viktimave të 11 shtatorit. Me ato festime nuk u zhbë gjë dhe as bota nuk u bë më e sigurtë. Sigurisht që dëmet e 11 shtatorit ishin të mëdha. Përtej humbjes njerzore dhe asaj materiale më së shumti u dëmtua prestigji, egoja e Amerikës. Por festimet dhe thirrjet e turmave, qofshin spontane ose të mbështetura nga qeveria nuk dhanë mesazhin e pritur, nuk treguan pjekurinë e popullit amerikan, por treguan situatën në të cilën ndodhet kjo shoqëri, pasigurinë e saj në tërë këto vite dhe nevojën kaq të madhe për t’u kapur pas një fitoreje simbolike, sado të vogël, qoftë edhe eliminimin e një terroristi.
Euforia dhe festimet do të ishin më të kuptueshme, sikur Bin Laden të kapej apo vritej shpejt pas 2001-ës. Por tani, kur për shkak të moshës si dhe konsumit, ai edhe mund të ishte zëvendësuar nga pasardhësit e shumtë ideologjikë.
 
Bin Ladenët e Millosheviqët
 
Nuk duket punë e vështirë të përcaktohet nëse likuidimi fizik i një figure markante e një sistemi e ideologjie të caktuar, të cilësohet si fitore e vogël apo fitore e vërtetë. Vetë këto figura, më shumë se krijues të ideologjive, janë të zgjedhur të momentit të këtyre ideologjive të brumosura mirë e mirë që me kohë. Një figurë simbol duhet ta ketë çdo sistem, qoftë demokratik apo tiranik, por se sa të përkohshme janë këto figura tregon fakti se çdo devijim nga rruga e trasuar u ka kushtuar pozitën brenda për brenda ideologjisë. Për më tepër, sikurse simbolika që bartin këto figura, poaq mbetet simbolik edhe eliminimi i tyre. Kohët kanë treguar që ideologjitë nuk shuhen me eliminimin e figurave të tyre, ngaqë çdo ideologji është pjesë e një procesi që kërkon kohë për konsumin e saj, pa marrë parasysh kush qëndron në krye.
Simbolika e figurave në kohët moderne në secilën shoqëri ka një skadencë të përshpejtuar për shkak të ngopjes konstante të opinionit me to, duke bërë që një figurë e re lehtësisht të zëvendësojë një të vjetër.
Për këtë, njerëzimi nuk mund të festojë vdekje simbolesh duke parë që trashëgimia e tyre e lënë pas është hiperbolikisht më e rrezikshme. Si në rastin e Millosheviqit kur arrestimi, dënimi i mundshëm apo edhe vdekja e tij nuk duket se i ndihmoi popujt e ish-Jugosllavisë të harrojnë dëmet enorme dhe pasojat që po vuajnë edhe sot për shkak të ideologjisë së shtetit të tij. Faktet tregojnë se me vdekjen e Millosheviqit, as sot e kësaj dite Serbia nuk u bë një shtet më i mirë. Ndaj askujt. Prandaj, derisa një ideologji e rrezikshme është ende aktive, më shumë se çdo gjë tjetër, duhet të kihet kujdes. Se një Millosheviq e Bin Laden, në mos për t’u dënuar apo vrarë, një ditë do të vdisnin dosido. Ndërsa ideologjitë e tyre ende jetojnë e kultivohen, me apo pa figura simbole…

Ein Schock! Ardian ist Raus!


Edita Abdieski & Ardian Bujupi

Ein Schock! Ardian ist raus! (Shokuese! Ardiani jashtë!)
Kështu shkroi Ardian Bujupi në statusin e tij në Facebook, disa minuta pas eliminimit nga gjysmëfinalja e shout gjerman të talenteve të muzikës, DSDS. Vërtet e papritur, sidomos tani në fund të garës kur diferenca ishte bërë, pikërisht kur kualiteti i vokalit dhe performancave të Ardian Bujupit ishin bukur më të dallueshme nga ato të konkurrentëve të tjerë.

Si të ndodhte ndryshe?! Të gjitha shou-programet që kërkojnë talente të reja, kudo në botë, vazhdimisht janë nën llupën e kritikave të opinionit të gjerë, sepse në mos zakonisht, shumë shpesh ndodh që më të mirët të s’kualifikohen pak para se të prekin ëndrrën e tyre të madhe. Fitoren. Nënshkrimin e kontratës.

As DSDS 2011 si duket nuk shpëtoi dot nga skema tashmë e njohur gjithandej. Favoriti numër një për fitore, në të gjitha sondazhet dhe parashikimet e bëra në Gjermani deri më tani ishte padiskutim Ardian Bujupi. Forumet dhe sondazhet e favorizonin atë me mbi katërdhjetë përqind nga totali, kundrejt konkurrentëve të tij, njëjtë sikur më parë me Editën nga X-Factor. Edita fitoi, por për Ardianin kësaj radhe gjërat morën kahje tjetër. Ai u eliminua.

Shqiptarët vs gjermanët

A duhet parë largimi i Ardianit nga gara si rrjedhojë e ndonjë prapaskene të mundshme të organizatorëve, të cilët në fund të fundit nuk përballuan dot që dy shqiptarë të jenë fitues të njëpasnjëshëm të garave muzikore në Gjermani? Të rinjtë shqiptarë që po eklipsojnë të rinjtë gjermanë aq të shumtë në vendin e tyre. Apo që vërtet publiku ishte ai që vendosi të largonte Ardianin nga gara?

Po të ishte vendim i publikut, atëherë rezulton që të gjitha sondazhet e klasifikimet e bëra në internet të jenë të kota e të pavlera. Kjo, e kundërta me rastin e Editës. Ndërsa në rastin e Ardianit, votimet online bien në kundërshti të plotë me votat telefonike. Paradoksale. Në një kohë kur interneti është ai që e thotë fjalën e fundit, për suksesin apo dështimin e një artisti, që dikton suksesin e çdo shou muzikor, si dhe të vetë televizioneve që i organizojnë ato.

Sigurisht shokuese dhe zhgënjyese në një mënyrë. Dhe kundërproduktive. Që tejkalon pritshmërinë e shikuesit, se vërtetësia e krijimit të këtij formati është e padiskutueshme, dhe se talentet e vërteta ngadhënjejnë. Punë e kryer. Jo gjithmonë. E paparashikuara fshihet prapa dyerve të misterit. Dhe se gjithmonë nuk është në pyetje vetëm talenti. Ka edhe përllogaritje të tjera. Matematikën nuk e bën vetëm publiku, por e bën më shumë se çdokush, vetë organizatori. E anëtarët e jurisë që punojnë pafund, dhe që njohin talentin e vërtetë, dalin të jenë kukulla televizive dhe asgjë më tepër. Është e papranueshme kur sheh edhe vetë ata duke pritur në ankth votimin e publikut, duke mos patur asgjë në dorë.

Pikërisht juria që njeh më së miri tregun e shoubizit, e që në të vërtetë do duhej të kurorëzonte yllin e ri. A po paguhet kjo juri vetëm për konsum mediatik e për kakofoni televizive? Duket fare e qartë. Kjo sigurisht që bie ndesh me qëllimin e spektaklit. Sepse qëllimi i vërtetë i spektaklit na del të jetë tjetër. Kundërthënia. Se kundërthënia sot bën lajmin, jo vetëm në politikë, por edhe në art. Pikërisht aty ku gjërat janë të qarta, ku vlerat mund të preken, ku nuk ka nevojë për përmbysje sondazhesh. E në tërë këtë, lajmi mbi përmbysjen e parashikimeve përbën thashethemet, dhe rritjen e reagimit të masës e shikueshmërisë së spektaklit. Fitues mbetet, organizatori.

Edita dhe Ardiani

Edita muaj më parë e “vodhi” shoun. Ajo ishte e pakapshme për garuesit e tjerë. Juria, votuesit në internet, votuesit nga telefonatat dhe organizatorët ishin të gjithë në të njëjtat frekuenca. Edita fitoi. Një herë ndodhi. Pastaj, menjëherë pas saj vjen një supertalent tjetër. Pse të mos ndodhte sërish? E kishte kaq të vështirë një Gjermani tetëdhjetëmilionëshe të gëlltiste faktin se shqiptarët më në fund po shfaqen. Në art?! Se është e tepërt po të fitonte sërish, një shqiptar?! Për më tepër një talent i padiskutueshëm. Pyetje që mbase kurrë s’do t’ia dimë përgjigjen. Tani ka pak rëndësi.

Me rëndësi mbetet fakti që timbri artistik i shqiptarëve po kalon kufijtë e Ballkanit dhe mbase ata evropianë. Ardian Bujupi mbetet njëri prej tyre. Një paket-talent. Që nga cilësia moderne e vokalit, prezenca në skenë, atraktiviteti dhe paraqitja. Aura e tij skenike do të mbahet mend gjatëkohë. E që të gjithë e dinë se, ai ishte më i miri që pati kjo garë talentesh.

Ndërsa ne si publik qofshim në Gjermani apo jashtë saj, presim të shijojmë më pak art e më shumë përmbysje rezultatesh, sondazhesh. Vlerash të vërteta. Qoftë edhe përkohësisht.