Arkiv për Gusht, 2011

Mocha serbe


Mocha serbe

Nuk ka rëndësi bontoni, trashëgimia e pasur diplomatike, se sa vuajtje sollën në rajon, apo nëse kanë të drejtë ose jo. Me rëndësi është ajo çka duan. Evropa është aty t’u bindet. Gjithmonë e gatshme t’i dëgjojë dhe respektojë ata. Diplomatët e krekosur serbë. Cilido të jetë, qoftë i përfshirë drejtpërdrejt në krime kundër njerëzimit ose jo. Qoftë Millosheviqi, Plavshiqi, Drashkoviqi e Karaxhiqi, apo Tadiqi, Jeremiqi, Ivanoviqi e Stefanoviqi. Ata vazhdojnë të magjepsin Evropën, botën.

Që nga zhbërja e Jugosllavisë, gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e së fundmi edhe në Kosovë, aftësia e tyre për ta kthyer në fitore çdo negociatë, marrëveshje apo luftë është kthyer në art të vërtetë. Në shembullin e Bosnjës fitorja është mëse e dukshme, ku nga një regjion inekzistent më parë si entitet politik, serbët nxorën një republikë. Hiç më pak se 24.857 kilometra katrorëshe. Kështu, ata dolën të jenë fitimtarët më të mëdhenj nga të gjithë. Karshi boshnjakëve, kroatëve. E sidomos karshi të ashtuquajturës demokraci e fuqishme perëndimore.

Tani pas disa viteve, përkundër që nënshkruesit e këtyre marrëveshjeve janë burgosur, dënuar për gjenocid e krime, del që të gjithë e kanë përfunduar me sukses misionin. Ata janë realizuesit e planeve të akademisë së tyre të shkencave. Adhurohen nga populli i tyre, publikisht apo në heshtje. Ata janë kriminelë, por në të njëjtën kohë, heronj.

Veriu e Jugu

Përjashtim nuk bën fare as situata e krijuar që sa vite në veriun e Kosovës. Ndërkohë diplomatët evropianë, bile edhe ata amerikanë nuk dëshirojnë t’ia dinë për komunat shqiptare në Serbi, për spastrimin e pandalshëm etnik që ndodh atje. Për ata i rëndësishëm është akomodimi sa më i mirë i nacionalizmit serb në veri të Kosovës. Nuk duan t’ia dinë se mu këtë projekt e kishte planifikuar politika hagiane e Millosheviqit dhe të njëjtin po e shtyn para politika pseudo-evropiane e Tadiqit.

Në të vërtetë, serbët gjithnjë e kanë dëshiruar një pjesë të Kosovës, sepse e kanë ditur që nuk mund ta kenë të tërën. Dhe i janë përmbajtur politikës së “kërko tepër-për të marrë atë që do”. Në këtë vazhdë zhvillimesh, thashethemet e reja për veriun e vendit duket që komplementojnë thënien e Tadiqit se “nuk mundet që njëra palë të fitojë gjithçka e pala tjetër asgjë”. Në këtë rast, u prekën ose jo kufijtë, qëllimi momental i politikës serbe është vetëadministrimi politik e buxhetor i komunave veriore. Tjerat vijnë më vonë.

Ndërsa politikanët tanë të udhëzuar nga të huajt detyrohen të negociojnë për territore brenda kufijve të Kosovës. Në këto rrethana sigurisht që do të ndodhin lëshime. Prandaj marrë parasysh rreziqet, platforma e Kosovës në negociatat e ardhshme duhet të quhet “Veriu dhe Jugu”, platformë që patjetër të përfshijë përmirësimin e statusit, sigurisë dhe mirëqenies së shqiptarëve në jug të Serbisë. Në fund të fundit Kosova është shteti amë i tyre, sikur Serbia që është për serbët. Çdo gjë tjetër do ta vendoste Kosovën në disavantazh negociues.

Evropa sizifiane

Serbëve nuk iu pëlqen asgjë që ka të bëjë me Kosovën. Ata janë mësuar të konsiderojnë veten e tyre “të veçantë”, “të përzgjedhur”. Si pakicë, të sundojnë shumicën. Dhe kështu të përkëdhelur nga perëndimi ata duan të kenë primatin jo vetëm aty ku jetojnë, por edhe në rajon.

Perëndimi në vend që t’ua tregojë vendin një herë e mirë, vazhdon të dëgjojë teket e tyre, duke mbyllur sytë e veshët para faktit që ishte pikërisht populli serb që inicioi luftën që nga Kosova në të gjithë Jugosllavinë. Diplomacia inerte evropiane nuk arrin/dëshiron të shohë vazhdimësinë e mendësisë hegjemoniste në politikën e sotme serbe, por edhe më tej e ushqen atë në llogari të popujve të dëmtuar.

Politika vendore në Kosovë, si pozita dhe opozita, duken të bindur kundrejt arsyetimeve të ndërkombëtarëve, që gjoja e vetmja rrugë është kompromisi. Që në përkthim të lirë do të thotë: tkurrje territoriale.

Është e habitshme se si tërë investimi ushtarak e politik perëndimor (duke lënë anash çmimin e paguar nga popullata lokale), vihet në pikëpyetje kur vjen momenti i dialogut apo marrëveshjeve politike me serbët. Një shtet që vazhdimisht ka shkaktuar luftëra e vuajtje tek popujt fqinj, nuk mund të kërkojë asgjë. Nuk mund të llogaritet palë e barabartë në bisedime, sepse aty qëndron edhe qëllimi, të pozicionohet fort e të kushtëzojë.

Në gjithë zhbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, ka një të vërtetë të hidhur. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të harrojnë se fituan ndonjëherë ndaj Serbisë nacionaliste. As në kohën e luftërave, as tani në paqe. Sepse ajo vazhdon të mbajë penjtë e dy shteteve të pavarura, Bosnjës dhe Kosovës.

Saint Prizren


Prizreni i Shenjtë

Saint Prizren

Kishte kaluar kohë që nuk flitej shumë për të.

Qyteti shqiptar më në zë dikur, kishte humbur shkëlqimin e tij. I përshkruar si njëri ndër qytetet më atraktivë të regjionit për identitetin e tij socio-kulturor e historik, Prizreni si pak qytete të këtij kalibri, shumë herë përjetoi ngritjet dhe rëniet e tij.

Edhe pse vazhdimisht i banuar nga etni e struktura të ndryshme shoqërore, kjo gjë, më shumë se të mira i ka sjellë kokëçarje. Kultura lokale e ndikuar dhunshëm nga kulturat pushtuese gjatë shekujve, është shtresëzuar dhe transformuar deri në kufijtë e shpërfytyrimit. Jeta e varfër kulturore e eklipsuar nga trashëgimia e pasur religjioze, e bënë qytetin të identifikohet për shumë kohë vetëm me xhamitë, kishat dhe izolimin social konzervativ.

Ndërkaq në kohët moderne u shënua një zhvillim më domethënës në artin prizrenas. Nën sistemin jugosllav përkundër mbështetjes së vogël institucionale, krijimtaria artistike filloi të konsolidohet dhe të jetë përfaqësuese e denjë e kulturës shqiptare në ish Jugosllavi. Emra të njohur, jo vetëm nga bota e artit, por shkencës e politikës dolën pikërisht nga ky qytet.

Vitet e nëntëdhjeta ishin shkatërruese dhe si çdo qyteti tjetër të Kosovës, edhe Prizrenit i hoqën mundësinë për tranzicion normal kulturor e artistik. Nuk mund të thuhet shumë as për vitet e pasluftës, prej kur Prishtina dominoi në organizimet e festivaleve të filmit e teatrit. Mungesa e besimit, fondeve si dhe zhvendosja e krijuesve drejt Prishtinës lanë qytetin të mjaftohet vetëm me bukurinë, tregtinë e trashëgiminë e shenjtë fetare. Elemente këto, të rëndësishme, por jo të mjaftueshme për ta kompletuar profilin e merituar të qytetit. Të një profili aktual, dinamik dhe përmbajtjesor.

Dhe nëse i besojmë thënies se “gjërat e mira vijnë ngadalë”, atëherë, kjo po që do të vlente pikërisht për Prizrenin. Organizimi i përvitshëm dhe rritja konstante e festivalit të filmit dokumentar po i jep fund periudhës së athtë artistike të qytetit. Nuri kulturor i Prizrenit, ngadalë por sigurt po riinkarnohet. Dokufest, një gjetje kaq origjinale, po katalizon në mënyrë të përshpejtuar pozicionimin e qytetit në hartën kulturore ballkanike e evropiane.

Tashmë, në jubileun e edicionit të 10-të, festivali ka siguruar kredencialet artistike dhe komerciale të tij e të vetë qytetit. Ekonomia e vogël, gastronomia dhe zejtaria prizrenase po bëhen gjithnjë e më vibrante. Dokufesti, si asnjë festival tjetër shqiptar bën që vendi ynë të përshkruhet nëpër reportazhe e guida jo vetëm për të kaluarën e vrazhdë, por edhe për vlerat kulturore e artistike, të cilat pa dyshim e përplotësojnë peizazhin e vërtetë të saj.

Kështu, Prizreni i korrik-gushtit përvëlues po magjeps gjithnjë e më shumë banorët e tij, vizitorët e huaj, artdashësit. Njerëzit nga të gjitha ecejaket e jetës.

Me historinë e pasur, arkitekturën dhe ringjalljen kulturore, shqiptarëve, në kuptimin e plotë të fjalës po u rikthehet qyteti i tyre i shenjtë.

Saint Prizreni!