Archive for the ‘ Uncategorized ’ Category

Sharmi Fetar


copyright - illyris

Konstantës agresive në rritje të zhvillimeve shoqërore në Kosovë nuk po i shpëton dot as diskutimi për ndërtimin e xhamisë për nevojat e besimtarëve në kryeqytet. E panevojshme sigurisht, përderisa deri vonë jemi ndjerë krenarë për trashëgiminë e larmishme fetare që kemi patur gjatë shekujsh. Në një Shqipëri me pothuaj 700 kisha katolike, 430 kisha ortodokse e 570 xhami gjërat duken më të relaksuara. Ndërsa Kosova me mbi 500 xhamitë e saj e me shumë pak kisha katolike, ka një prirje boshnjakëzimi e pozicionimi tekanjoz në sjelljen e disa besimtarëve të saj. E (pa)arsyeshme, e (pa)nevojshme, me pro et contra-t e veta, e gjithë kjo situatë vetëm sa e shpërfytyron sharmin fetar shqiptar.

Keqpërdorimi i fesë

Shih për këtë, askush nuk ka të drejtë që nevojën për ndërtimin e objekteve fetare ta përdorë për ekspozurë dhe ta njollosë me sjellje afektuoze, siç po ndodh këtyre ditëve në rrugët e Prishtinës. Apo të premtojë nëpër fushata se do të ndërtojë xhami e kisha, sikur bëjnë politikanët në Kosovë e Shqipëri. Shteti duhet të qëndrojë larg fesë, por njëkohësisht duhet të mbrojë fuqishëm vlerat karakteristike të shoqërisë sonë duke kontrolluar çdo veprim të dyshimtë të individëve apo organizatave që veprojnë në vend.

Tani jemi dëshmitarë të tendencës për radikalizim e imponim sidomos pas ardhjes së misionarëve dhe organizatave nga çdo cep i globit, të cilat më shumë se që kanë ndihmuar, e kanë komprometuar zhvillimin e shëndetshëm shpirtëror të shoqërisë. Kjo padyshim mund të na krijojë probleme të mëdha si shtet i ri që jemi.

Sa për referencë, një shembull tipik të tillë të zhbërjes shpirtërore kolektive e kemi fqinjin verior. Me politikën e kontrolluar nga feja, me ideologjinë kombëtare të strukturuar nga feja, e me ushtarakët vrasës të spërkatur me “ujë të shenjtë”, fqinjit nuk i mbeti më gjë për t’u krenuar. As për anën shpirtërore së paku. Se popujt e vegjël, të paktën, mbahen pas këtyre vlerave. Nuk e kanë luksin të jenë fetarë kryeneçë. Ai luks u takon shteteve të mëdha, SHBA-së, Iranit, Anglisë, Pakistanit, Indonezisë, apo Francës e Gjermanisë, të cilave u shkojnë para të majme për të menaxhuar dhe mbrojtur ideologjitë e tyre.

Kriza e besimit

Besimtarët dhe fanatikët e të gjitha feve në Kosovë, më shumë sesa për lokacionet e preferuara dhe për përmasat e objekteve fetare, duhet të shqetësohen për mënyrën se si të kultivojnë kulturën e besimit, si dhe respektin e dashamirësinë për fetë simotra. Pastaj se si të ruhen objektet ekzistente nga boshatisja dhe mungesa e besimtarëve. Nuk flitet këtu vetëm për Prishtinën, Tiranën, Prizrenin apo disa qytete tjera të mëdha që normalisht përthithin besimtarë që në fundjavë ia mësyjnë qytetit për ritet, por edhe për të shijuar të dalurit, shëtinë.

Ana tjetër e medaljes qëndron pikërisht në periferitë. Mjafton të shkohet nëpër shumicën e xhamive e kishave nëpër fshatrat e Kosovës e Shqipërisë dhe të takohesh me indiferencën pothuaj totale të shumicës absolute të të rinjve karshi riteve e besimeve, qoftë gjatë festave apo në rutinën e tyre ditore. Njëjtë mund të thuhet edhe për predikuesit moskokëçarës, të cilët shërbimin e bëjnë më shumë nga obligimi sesa nga dëshira për të transmetuar fjalën e mirë.

Xhamia e re

Në dekadën e fundit nga ndërtimet pa kriter është dëmtuar rëndë identitetit arkitekturor i pjesëve të tëra të qyteteve shqiptare. Tendenca për të zaptuar dhe jo për të hijeshuar hapësirat ku ndërtohet ka arritur kulmin. Gjithë kjo duket si garë mes ndërtuesish në kategorinë “kush ndërton më shëmtuar” sesa si zhvillim i mirëfilltë i arkitekturës.

Në rastin e ndërtimeve të banesave apo objekteve tjera administrative rregullat janë më të shpërfillshme, sepse në një kohë të caktuar ato edhe mund të largohen, ndërsa objektet e shenjta duhen trajtuar jashtëzakonisht kujdesshëm. Sepse ato mbesin përgjithmonë aty, dhe kështu nuk duhet ndërtuar kudo e dosido. Ato meritojnë lokacion dinjitoz dhe hapësirë të bollshme. Ato duhet të përkasin aty ku ndërtohen, të jenë në harmoni me objektet përcjellëse dhe të kenë gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Lokacioni i propozuar në Ulpianë nuk i ofron një xhamie atë që i duhet. E futur në mes banesash urbane shumëkatëshe e në një terren të pjerrët xhamia do të dukej si një ndërtim i zorit, i dhunshëm. Edhe ndërtimi në hapësirat universitare do t’ia humbte atyre këtë emër. Për të mos anashkaluar legjitimimin indirekt që do t’i bëhej kishës millosheviqiane e ndërtuar padrejtësisht vite më parë.

Shkurtpamësia

Kur do të vijë koha kur ne do të mendojmë e punojmë me vizion, përtej emocioneve të momentit? A i duhet Prishtinës një xhami e ndërtuar domosdoshmërisht në qendër, në një qoshe të pjerrtë apo në një hapësirë të respektueshme dhe më në periferi? Në një hapësirë ku do të përkiste, ku të kishte hapësirë të mjaftueshme për infrastrukturën përcjellëse, që të shërbente jo vetëm për t’u falur, por si një kompleks multifunksional, qoftë bashkë me Qendrën Islamike.

Kjo do t’i ofronte qasje jo vetëm ca besimtarëve meshkuj, por gjithë të interesuarve, studentëve, vizitorëve familjarë e turistëve potencialë në të ardhmen. Kështu do nderohej besimi, feja, vetvetja. Përndryshe, shkurtpamësinë e sotme s’do na e falë e ardhmja.

“Triumfalizmi”


"Triumfalizmi"

“Drejtësia u vu në vend” – ishte kjo fraza e përcjellur gojë më gojë nga të gjithë, pas lajmit për likuidimin e Bin Laden. Që nga presidenti amerikan Obama, kryeministri kanadez Harper, presidenti Topi, ambasadori Arvizu, presidentja Jahjaga e shumë liderë tjerë botërorë e lokalë. Duket se dhënia e kumtit nuk ka ndryshuar shumë nga e kaluara, kur lajmëtari dilte para turmës dhe sillte lajmin për fitoren apo humbjen e ushtrisë në betejë. Dhe derisa dikur lajmi ipej nga një maratonomak që vinte direkt nga beteja, në demokracitë moderne vetëm njerëzit e rëndësishëm e shijojnë emocionin e triumfalizmit, dhënien e lajmit të pritur gjatë. Se mbi çdo gjë tjetër, duhet ushqyer turmën. Më e çuditshme është kur kjo ndodh në një demokraci të zhvilluar si ajo e SHBA-së. Vendimi që vetë Obama të ishte lajmëtari për vrasjen e shumëpritur, e jo një zyrtar tjetër amerikan, qoftë edhe ushtarak i lartë, si dhe përtej këtij momenti, sjellja që bëri Uashingtoni zyrtar ndaj reagimit të opinionit publik, ngre shumë pikëpyetje. Normalisht lajmi për vrasjen e Bin Laden u pasua menjëherë me kërkimin e provave nga opinioni i gjerë botëror. Dhe po pastaj, arsyetimi se “ne nuk mbajmë trofe në duar” për të provuar kështu me fakte vrasjen e Bin Ladenit, sikur qëndron në disproporcion me reagimin euforik të Shtëpisë së Bardhë të ditëve më parë. 

Turmat
 
Të festohet kjo ngjarje në mënyrën se si e bënë amerikanët në Nju Jork dhe Uashington mbi të gjitha nuk ishte mënyra më civilizuese. Se nuk bëhej fjalë për një ndeshje sportive. Në atë mënyrë nuk u bëhej respekt as viktimave të 11 shtatorit. Me ato festime nuk u zhbë gjë dhe as bota nuk u bë më e sigurtë. Sigurisht që dëmet e 11 shtatorit ishin të mëdha. Përtej humbjes njerzore dhe asaj materiale më së shumti u dëmtua prestigji, egoja e Amerikës. Por festimet dhe thirrjet e turmave, qofshin spontane ose të mbështetura nga qeveria nuk dhanë mesazhin e pritur, nuk treguan pjekurinë e popullit amerikan, por treguan situatën në të cilën ndodhet kjo shoqëri, pasigurinë e saj në tërë këto vite dhe nevojën kaq të madhe për t’u kapur pas një fitoreje simbolike, sado të vogël, qoftë edhe eliminimin e një terroristi.
Euforia dhe festimet do të ishin më të kuptueshme, sikur Bin Laden të kapej apo vritej shpejt pas 2001-ës. Por tani, kur për shkak të moshës si dhe konsumit, ai edhe mund të ishte zëvendësuar nga pasardhësit e shumtë ideologjikë.
 
Bin Ladenët e Millosheviqët
 
Nuk duket punë e vështirë të përcaktohet nëse likuidimi fizik i një figure markante e një sistemi e ideologjie të caktuar, të cilësohet si fitore e vogël apo fitore e vërtetë. Vetë këto figura, më shumë se krijues të ideologjive, janë të zgjedhur të momentit të këtyre ideologjive të brumosura mirë e mirë që me kohë. Një figurë simbol duhet ta ketë çdo sistem, qoftë demokratik apo tiranik, por se sa të përkohshme janë këto figura tregon fakti se çdo devijim nga rruga e trasuar u ka kushtuar pozitën brenda për brenda ideologjisë. Për më tepër, sikurse simbolika që bartin këto figura, poaq mbetet simbolik edhe eliminimi i tyre. Kohët kanë treguar që ideologjitë nuk shuhen me eliminimin e figurave të tyre, ngaqë çdo ideologji është pjesë e një procesi që kërkon kohë për konsumin e saj, pa marrë parasysh kush qëndron në krye.
Simbolika e figurave në kohët moderne në secilën shoqëri ka një skadencë të përshpejtuar për shkak të ngopjes konstante të opinionit me to, duke bërë që një figurë e re lehtësisht të zëvendësojë një të vjetër.
Për këtë, njerëzimi nuk mund të festojë vdekje simbolesh duke parë që trashëgimia e tyre e lënë pas është hiperbolikisht më e rrezikshme. Si në rastin e Millosheviqit kur arrestimi, dënimi i mundshëm apo edhe vdekja e tij nuk duket se i ndihmoi popujt e ish-Jugosllavisë të harrojnë dëmet enorme dhe pasojat që po vuajnë edhe sot për shkak të ideologjisë së shtetit të tij. Faktet tregojnë se me vdekjen e Millosheviqit, as sot e kësaj dite Serbia nuk u bë një shtet më i mirë. Ndaj askujt. Prandaj, derisa një ideologji e rrezikshme është ende aktive, më shumë se çdo gjë tjetër, duhet të kihet kujdes. Se një Millosheviq e Bin Laden, në mos për t’u dënuar apo vrarë, një ditë do të vdisnin dosido. Ndërsa ideologjitë e tyre ende jetojnë e kultivohen, me apo pa figura simbole…

Këta sigurisht se po bëjnë Hajgare!


Politika kosovare

Papjekuri? PO!  Joseriozitet? PO!  Hajgare? PO!

Cirque du Kosova

Zallamahia e transfereve ne politiken e Kosoves se ketyre oreve te fundit (gjithcka po ndodhe brenda oresh) te ben te mendosh se flitet per nje cirk argetues sezonal, dhe qe ke fatin ta percjellesh cdo here kur ka zgjedhje politike. Por e verteta eshte se fatkeqesisht ky nuk eshte nje cirk i vertete artistik, por nje cirk kukullash ku te gjitha kukullat luajne kryepersonazhin. Qe u teprua po se po, qe kjo levizje coroditese shenon shembullin me karikaturesk te vetedijes politike te njeriut shqiptar ne Kosove, kjo s’do koment. Por ka nje tregues dhe nje pasoje, mbase shume syresh.

Padyshim qe nje situate e tille nuk nenkupton zgjedhje profesionale, pozicionime parimore, apo pakenaqesi nga statusquo-ja. Por se, shumica nga keta “te tansferuar” mendojne qe jane kaq interesante sa s’behet. Se jane kaq faktoriale sa s’thuhet. Se jane kaq te rendesishem sa s’ka. Me kryenece se kurre,  me sharlatane e me te pispillosur se kurre, dalin para kamerave sikur te jene ata qe po rrrotullojne boten ne gisht.

Ne kerkim te demokracise

Dhe sigurisht qe nuk eshte dicka e bukur kur cdo ore degjojme lajme te tipit:

-Uke Rugova, Bukoshi, Haracia, largohen. Konkurojne si liste. Pastaj jo si liste, por bejne koalicion me AAK. Ne nderkohe Kosumi leshon AAK-ne. Menjehere vjen Tali, e disa te tjere nga PDK-ja.

-Nje pjese e LDD ne filan komunen i bashkohet LDK-se. 

-AAK ka lajmeruar se pasdite aderon nendega e dyte e LDK ne Suhareke, si dhe dega e Ora-s me nje pjese te deges se AKR ne Gjakove. Poashtu, Driton Tali e Naim Rrustemi kalojne ne AAK.

-Rexhep Selimi, e shume te pakenaqur te PDK-se kalojne ne Vetevendosje.

-AKR leviz cdo gur per te rritur koalicionin e saj. Ne nderkohe shume aktiviste te saj po ikin e po e lene kete parti. Hajzeraj dhe Smaka tashme jane larguar per ne LDK e AAK.

-Sali Asllani mbeshteste Isa Mustafen, por tani menjehere-s’i pelqen me! Largohet nga mbledhja e LDK-se. Largohet edhe Berim Ramosaj i pakenaqur me Isen e LDK-se. Largohet edhe Fatmir Rexhepi.

-Largohet i ngrysur nga Kryesia e LDK Eqerem Kryeziu, vetedorezohet! Kthehet te LDK te nesermen-i lumtur! 

Dhe keto transfere behen gjoja ne emer te “mungeses se lirise se veprimit e demokracise neper partite respektive“. Iket nga LDK-per shkak te mungeses se demokracise, iket nga PDK-per mungese te fjales se lire, iket nga AAK-per shkak te mungeses se lirise se veprimit, iket nga AKR-per shkak te autoritarizmit.

Shtrohet pyetja: Cfare partishe politike na paska Kosova? Kaq ne rrezik qenkemi? Kaq shume paska mungese demokracie, sa tani na u dashka te kuptojme kete? Se Kosova ka klase politike kaq jostabile? Kur vete perfaqesuesit e partive pasi largohen, po deshmojne zyrtarisht per prapaskenat, kercenimet, korrupsionin, interesat klanore e te zeza tjera edhe me te renda?! Se “budallane, mos e pyet-se te tregon vet”!?

Pergjigja eshte kjo: Iket ‘nga partite qe vuajne mungesen e demokracise’ duke kaluar ‘ne partite qe vuajne nga mungesa e demokracise’!

Fakti eshte ky: Kjo ikje-bashkim, behet vetem ‘ne kerkim te prestigjit dhe statuseve sociale’ kaq te deshiruara

Mire na u befte

Cka mendon populli, qe cdo mbremje mberthehet prane ekraneve te shohe c’po ndodh me vendin, popull qe per hir te vertetes eshte mjafte i interesuar ne zhvillimet aktuale politike e sociale. Popull qe eshte me shume probleme, dhe perkunder potencialit te jashtezakonshem qe ka, ndjehet i pafuqishem per te ndryshuar gjerat. Sikur eshte mesuar me thenien-faktin “mendo-e rri n’vend“. Se te tjeret na e i imponuan te mesohemi te qendrojme urte, te durojme, dhe tani pikerisht te tanet po e shfrytezojne kete. 

Se keshtu eshte e shkruar…

Mire na u befte!