Posts Tagged ‘ gjuha ’

Era shtet


Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Gjykata Kushtetuese

Dhe Gjykata Kushtetuese sërish dha fjalën e saj. Për çështjen e njëjtë. Presidentin e Republikës. Dy herë brenda gjashtë muajsh, për dy shkelje, efektet e të cilave patën trazuar dhe sërish pritet të trazojnë fort zhvillimet konstitucionale në vend. E shpejtë, e pavarur e profesionale, e kështu ligjërisht e fuqishme, për një gjë është e sigurtë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës po kthehet në ankthin 24-orësh të politikës kosovare. Në murin e pakapërcyeshëm për të dy presidentët e fundit. Në plangprishësen e kokëfortën kundrejt vendimeve e procedurave të logjikës “unë jam ma i forti”. Një vendim i drejtë, gjë e mirë për Kosovën, që absolutisht nuk duhet të përkthehet si i qëllimshëm kundrejt figurës së presidentit apo atyre që e sollën aty. E tërë kjo ka të bëjë me mënyrën. Sepse në rendin e bërjes së gjërave gjithmonë duhet patur kujdes, mënyrën.  

Dëm e fitore

Çka fitohet e çka humbet, është e vështirë të nxirren përfundime të menjëhershme. Se a do të ketë kapërcim taktik të tipit dellian e blerje vote nën presion për të dalë nga kjo situatë e re, apo një kthim në pikën fillestare, kompozicion të ri politik apo edhe e fundit fare, zgjedhje të reja, mbetet të shihet.

Tash për tash, efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mund të jenë të dhimbshme sidomos për opinionin publik, që pas muajsh të tërë cirku zgjedhoro-politik, do i duhet sërish të rikalojë nëpër të. 

Ndërsa në aspektet afatgjata, efektet janë shumë pozitive për të gjitha proceset e demokratizimit e të shtetndërtimit. Këto vendime të një institucioni që po jep shenja të konsolidimit e pjekjes konstante, nuk duhet parë si fitore e opozitës, apo kundërshtarëve tjerë të qeverisë, por si NDALESË edhe për vetë opozitën, nëse nesër i futet rrugëve joligjore për arritjen e qëllimeve politike. Në të njëjtën kohë, një vendim i tillë është i shëndoshë edhe për vetë pozitën, sepse nesër kur të mos jetë në pushtet, një Gjykatë Kushtetuese efikase e profesionale në vendimet e saj, do t’i mbrojë nga shkeljet e mundshme. 

Mësimi

Shtyrja e pavarësisë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2009, si dhe zgjedhjet politike për udhëheqësit e institucioneve të pavarura, i kanë bërë shumë dëm Kosovës. Këtë më së miri na e dëshmon dhe mëson roli i Gjykatës Kushtetuese në vendimin për presidentin Sejdiu dhe për presidentin Pacolli, se askush nuk e ka të garantuar pozitën e tij, sidomos kur bëhen shkelje, qoftë edhe proceduriale. Se të gjithë duhet të kenë frikë nga ndëshkimi, në këtë rast ndëshkimi kushtetues e institucional. Kjo e bën një qeveri që të mos krekoset parakohe për numra votash të mjaftueshme, për dominanca e mazhoranca, për qeverisje të garantuar e të kontrolluar si t’ia dojë qejfi, nga poshtë-lart.

Poashtu gjithë spektri politik të nxjerrë mësim të shpejtë nga kjo, duke bërë reforma brenda përbrenda partive në emër të zhvillimit, suksesit, e jo në emër të lavdive të kaluara e patriotizmit tashmë të konsumuar. Sepse një ofertë e dobët politike, po, mund të sjellë një instant-qeveri dhe një instant-president, por edhe një instant-largim.

Në këtë vazhdë zhvillimesh, edhe institucionet tjera bartëse të drejtësisë e pushtetit ligjor të marrin shembull e të motivohen për marrjen e vendimeve të forta e të drejta, që në fund të fundit janë të rëndësishme për demokracinë, popullin, për të cilin edhe janë krijuar.

Besimi

Si me asgjë tjetër, përditshmëria e shoqërisë në Kosovë karakterizohet nga mungesa e besimit. Besimit në vërtetësinë e institucioneve, besimit në zgjedhjet e lira politike, besimit në projektet e qeverive për bërjen e Kosovës.

Të kritikuar rëndë për një sistem ligjor të dobët, për gjykata jofunksionale dhe të ndikuara skajshmërisht nga politika, më shumë se kurrë, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese japin sinjal të qartë për kthimin e mundshëm të besimit. Kthimin e besimit te qytetarët, duke mos lënë anash edhe nevojën për kredibilitetin rajonal dhe më gjerë në Europë. Besimin se vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese mbajnë aromë pavarësie dhe profesionalizmi. Aromën e shtetit të Kosovës.

GAGA-izmi shqiptar


Kosova & Shqipëria - Going GAGA

 Të reklamosh apo bësh branding për të promovuar vendin është një investim i rëndësishëm. Sidomos në kohët moderne kur të gjitha shoqëritë qoftë ato në zhvillim apo ato të zhvilluara bëjnë shumë për imazhin e tyre. Kosova e Shqipëria s’bëjnë dot përjashtim në këtë lojë imazherie. Por për dallim nga shtetet tjera demokratike ku përgjegjësitë për promovim të imazhit janë të ndara në mes qeverive dhe komuniteteve të artit, në Kosovë e Shqipëri ndodh e kundërta.

Kryeministri i Shqipërisë ka muaj të tërë që përmend emrat e yjeve botëror me qëllim promovimin e Shqipërisë para botës. Dukej shumë entuziast në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Ministrave apo në Kuvend prej nga sinjalizonte mundësinë e prurjes së emrave të famshëm. Por përkundër të gjithave momenti i përfolur nuk erdhi. Nuk erdhi se gjërat nuk vajtën si duhet. Skandalet e korrupsionit dhe krizat e thella politike s’lanë vend për festime. Në fund të ditës qëllimi i vërtetë i gjithë kësaj historie ngjan sikur të jetë tjetër. I dyfishtë. Sigurisht, për opinion e brendshëm, sepse amullia dhe konfuzioni në të cilin vërtitej realiteti duhej të pudrosej me titujt “Beyonce në Tiranë” apo “Gaga në Durrës”. Si dhe për opinionin e jashtëm, se gjërat në Shqipëri ecin në rregull.

 Gjetja e ideve për promovimin dhe reklamimin e vendeve, kauzave, ka vështirësitë e veta, sidomos në një kohë kur shoqëritë e zhvilluara kanë avancuar dhe pothuaj kanë konsumuar idetë si këto. Që një ide të jetë e qëlluar dhe të godasë aty ku duhet, kërkohet kreativitet dhe gjetje origjinale. Por problemi qëndron pikërisht këtu. A mungojnë ekspertët shqiptarë kreativë për të gjetur formulën e duhur të promocionit. Apo na mjafton një ide që vjen nga Lindja e Mesme dhe shoqëritë me diktatorë në rënie, që me blerje milionëshe të këngëtareve që përdridhen tentojnë të tregojnë se sa mirë i kanë punët e sa demokratikë janë.

Gaga-idetë

Idea e ngjashme që po qarkullon ditëve të fundit edhe në Kosovë, për sjelljen e emrave të famshëm të muzikës botërore, më shumë se çdo gjë tjetër ngre shumë pyetje. Vërtet, për çfarë promocioni ka nevojë Kosova tani? Dhe a është kjo gjetja e duhur?

Në kulturën urbane, prurjet e yjeve e bendeve muzikore me nam janë pjesë e një procesi të vazhdueshëm zhvillimor social e kulturor të shoqërisë. Përkundër numrit të madh të rinisë shqiptare dhe nevojës për evente artistike të mëdha, prapëseprapë këto aktivitete nuk duhet të jenë punë qeveritarësh. Ka kohë që të rinjtë entuziastë në Prishtinë e Tiranë me sukses kanë sjellur yjet e muzikës botërore, prandaj këto prurje nuk do të përbënin lajm. Mbase brenda Ballkanit dhe vetëm kaq.

 Imazhi i dy shteteve tona nuk përmirësohet pse vjen Rihana në Tiranë, sepse që të nesërmen sërish nëpër ballina do shfaqen tituj me lajme jo të mira nga Shqipëria. As Venezuela, Spanja e Irani nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës meqë erdhi Shakira apo Gaga në Prishtinë. Dhe sigurisht as Catherin Ashton s’do të pyeste se si ia kaluam me pop-yjet! Sepse yjet e muzikës nuk e çrrënjosin korrupsionin, nuk bëjnë reforma e shtet ligjor nga skena e muzikës live. 

Gaga-Produkti

Dy qeveritë shqiptare me shefat e tyre në krye na shfaqen kontraverse e të papjekura në vendimet dhe mënyrën se si menaxhojnë me mjetet publike. Dhe gjithnjë e më shumë po ngjajnë me nëra-tjetrën.

Fytyra e mirë e një vendi propagohet me transparencë qeverisjeje, zgjedhje normale, me fushata milionëshe lufte kundër korrupsionit e trafikut, me programe milionëshe në edukimin e ekspertëve të shumë fushave, kuadrove mjekësore, inxhinierëve. E çka është më e rëndësishme qeveritë duhet të orientohen në zhvillimin e produktit, brandit shqiptar, e jo gaga-produkteve. Bashkimi Europian dhe bota vetëm në këtë mënyrë bindet se qeveritë po punojnë si duhet. Dhe integrimi, njohjet s’do të vonojnë.  

Gaga-qeveritë

 Zhvendosja e vëmendjes së opinionit publik nga aktualiteti i vrazhdë shqiptar ka hyrë zyrtarisht në politikën ditore andej e këndej kufirit, dhe si fenomen ka modelet e stërkequra gjithandej nëpër botën e tretë. Që ka humbur sensin moral dhe estetik në paraqitjet e liderëve tanë para masës, është e vulosur. Mungesa e ndjeshmërisë dhe deri diku e injorancës së medias në trajtimin e këtij gagaizmi politik u jep hapësirë të mjaftueshme veprimi ideatorëve jokreativë të këtij marketingu joprofitabil.

 Ndërkohë gaga-qeveritarët të kenë kujdes se mos një ditë to të përfundojnë në gjykata keqpërdorimesh, e pastaj Beyonce e Shakira do t’i mohojnë ato para, apo do t’i japin për bamirësi sikur po ndodh kohëve të fundit. Sepse në fund të fundit yjet duhet të sillen për të festuar suksesin, e kurrsesi për të maskuar dështimin. 

 Kjo po që do të ishte “qershia mbi tortën” e imazhit shqiptar.