Posts Tagged ‘ Politika ’

Sharmi Fetar


copyright - illyris

Konstantës agresive në rritje të zhvillimeve shoqërore në Kosovë nuk po i shpëton dot as diskutimi për ndërtimin e xhamisë për nevojat e besimtarëve në kryeqytet. E panevojshme sigurisht, përderisa deri vonë jemi ndjerë krenarë për trashëgiminë e larmishme fetare që kemi patur gjatë shekujsh. Në një Shqipëri me pothuaj 700 kisha katolike, 430 kisha ortodokse e 570 xhami gjërat duken më të relaksuara. Ndërsa Kosova me mbi 500 xhamitë e saj e me shumë pak kisha katolike, ka një prirje boshnjakëzimi e pozicionimi tekanjoz në sjelljen e disa besimtarëve të saj. E (pa)arsyeshme, e (pa)nevojshme, me pro et contra-t e veta, e gjithë kjo situatë vetëm sa e shpërfytyron sharmin fetar shqiptar.

Keqpërdorimi i fesë

Shih për këtë, askush nuk ka të drejtë që nevojën për ndërtimin e objekteve fetare ta përdorë për ekspozurë dhe ta njollosë me sjellje afektuoze, siç po ndodh këtyre ditëve në rrugët e Prishtinës. Apo të premtojë nëpër fushata se do të ndërtojë xhami e kisha, sikur bëjnë politikanët në Kosovë e Shqipëri. Shteti duhet të qëndrojë larg fesë, por njëkohësisht duhet të mbrojë fuqishëm vlerat karakteristike të shoqërisë sonë duke kontrolluar çdo veprim të dyshimtë të individëve apo organizatave që veprojnë në vend.

Tani jemi dëshmitarë të tendencës për radikalizim e imponim sidomos pas ardhjes së misionarëve dhe organizatave nga çdo cep i globit, të cilat më shumë se që kanë ndihmuar, e kanë komprometuar zhvillimin e shëndetshëm shpirtëror të shoqërisë. Kjo padyshim mund të na krijojë probleme të mëdha si shtet i ri që jemi.

Sa për referencë, një shembull tipik të tillë të zhbërjes shpirtërore kolektive e kemi fqinjin verior. Me politikën e kontrolluar nga feja, me ideologjinë kombëtare të strukturuar nga feja, e me ushtarakët vrasës të spërkatur me “ujë të shenjtë”, fqinjit nuk i mbeti më gjë për t’u krenuar. As për anën shpirtërore së paku. Se popujt e vegjël, të paktën, mbahen pas këtyre vlerave. Nuk e kanë luksin të jenë fetarë kryeneçë. Ai luks u takon shteteve të mëdha, SHBA-së, Iranit, Anglisë, Pakistanit, Indonezisë, apo Francës e Gjermanisë, të cilave u shkojnë para të majme për të menaxhuar dhe mbrojtur ideologjitë e tyre.

Kriza e besimit

Besimtarët dhe fanatikët e të gjitha feve në Kosovë, më shumë sesa për lokacionet e preferuara dhe për përmasat e objekteve fetare, duhet të shqetësohen për mënyrën se si të kultivojnë kulturën e besimit, si dhe respektin e dashamirësinë për fetë simotra. Pastaj se si të ruhen objektet ekzistente nga boshatisja dhe mungesa e besimtarëve. Nuk flitet këtu vetëm për Prishtinën, Tiranën, Prizrenin apo disa qytete tjera të mëdha që normalisht përthithin besimtarë që në fundjavë ia mësyjnë qytetit për ritet, por edhe për të shijuar të dalurit, shëtinë.

Ana tjetër e medaljes qëndron pikërisht në periferitë. Mjafton të shkohet nëpër shumicën e xhamive e kishave nëpër fshatrat e Kosovës e Shqipërisë dhe të takohesh me indiferencën pothuaj totale të shumicës absolute të të rinjve karshi riteve e besimeve, qoftë gjatë festave apo në rutinën e tyre ditore. Njëjtë mund të thuhet edhe për predikuesit moskokëçarës, të cilët shërbimin e bëjnë më shumë nga obligimi sesa nga dëshira për të transmetuar fjalën e mirë.

Xhamia e re

Në dekadën e fundit nga ndërtimet pa kriter është dëmtuar rëndë identitetit arkitekturor i pjesëve të tëra të qyteteve shqiptare. Tendenca për të zaptuar dhe jo për të hijeshuar hapësirat ku ndërtohet ka arritur kulmin. Gjithë kjo duket si garë mes ndërtuesish në kategorinë “kush ndërton më shëmtuar” sesa si zhvillim i mirëfilltë i arkitekturës.

Në rastin e ndërtimeve të banesave apo objekteve tjera administrative rregullat janë më të shpërfillshme, sepse në një kohë të caktuar ato edhe mund të largohen, ndërsa objektet e shenjta duhen trajtuar jashtëzakonisht kujdesshëm. Sepse ato mbesin përgjithmonë aty, dhe kështu nuk duhet ndërtuar kudo e dosido. Ato meritojnë lokacion dinjitoz dhe hapësirë të bollshme. Ato duhet të përkasin aty ku ndërtohen, të jenë në harmoni me objektet përcjellëse dhe të kenë gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Lokacioni i propozuar në Ulpianë nuk i ofron një xhamie atë që i duhet. E futur në mes banesash urbane shumëkatëshe e në një terren të pjerrët xhamia do të dukej si një ndërtim i zorit, i dhunshëm. Edhe ndërtimi në hapësirat universitare do t’ia humbte atyre këtë emër. Për të mos anashkaluar legjitimimin indirekt që do t’i bëhej kishës millosheviqiane e ndërtuar padrejtësisht vite më parë.

Shkurtpamësia

Kur do të vijë koha kur ne do të mendojmë e punojmë me vizion, përtej emocioneve të momentit? A i duhet Prishtinës një xhami e ndërtuar domosdoshmërisht në qendër, në një qoshe të pjerrtë apo në një hapësirë të respektueshme dhe më në periferi? Në një hapësirë ku do të përkiste, ku të kishte hapësirë të mjaftueshme për infrastrukturën përcjellëse, që të shërbente jo vetëm për t’u falur, por si një kompleks multifunksional, qoftë bashkë me Qendrën Islamike.

Kjo do t’i ofronte qasje jo vetëm ca besimtarëve meshkuj, por gjithë të interesuarve, studentëve, vizitorëve familjarë e turistëve potencialë në të ardhmen. Kështu do nderohej besimi, feja, vetvetja. Përndryshe, shkurtpamësinë e sotme s’do na e falë e ardhmja.

Nëna e mirë e keqe


"Nëna e mirë e keqe" - © illyris 2011

Edhe pse si etiketë nuk duket e pëlqyeshme, kjo, si edhe çdo tjetër gjë e vlerësueshme në diskursin shoqëror, më shumë ndërlidhet me mungesën e përgjegjësisë. Një nënë e përgjegjshme nuk mjafton të kujdeset vetëm për punët e veta, apo vetëm të ndihmojë fëmijën e saj të hedh hapin e parë, por sjellja e saj shërben si pikë reference në zhvillimin e vazhdueshëm të fëmijës dhe në këtë mënyrë suksesin dhe mirëqenien e përbashkët në të ardhmen.

Papërgjegjësia permanente politike e shtetit amë që pas rënies së komunizmit nuk ka të falur, sa për jetët e njerëzve që jetojnë brenda Shqipërisë, po aq për jetët e shqiptarëve që jetojnë jashtë saj. Skemat piramidale, anarkia, zgjedhjet katastrofike, korrupsioni elitar, abuzimet e vazhdueshme me pushtetin lokal e qendror nga e djathta dhe e majta, janë realitetet historikisht të pandreqshme që Shqipëria ka prodhuar që nga rënia e komunizmit.

Efektet

Efektet e kësaj papërgjegjësie kanë impakt të brendshëm, dhe atë në formë të mungesës së investimeve serioze, papunësisë së lartë, largimit të të rinjve e shumë dëme të tjera, gjerësisht të njohura. Nga ky disfunksionalitet i shtetit shqiptar janë prekur vazhdimisht edhe Kosova me territoret tjera shqiptare në Ballkan. Ngërçet që përjeton Shqipëria kushtëzojnë në mënyrë të pashmangshme Kosovën, shpeshherë padrejtësisht. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, të cilat mbeten të paprekura dhe të pacenueshme.

Dihet që shteti shqiptar nuk ka kursyer asnjëherë asistencën e saj në ndihmë Kosovës pa marrë parasysh në ka qenë e udhëhequr nga e djathta apo e majta. Por përtej lidhshmërisë ndërmjet dy shteteve shqiptare, qëndrojnë marrëdhëniet që këto shtete kanë me rajonin dhe Evropën, ngaqë kur është në pyetje për trajtim dhe respekt, Evropa në kuluaret e saj nuk na sheh si dy shtete të veçanta, por vetëm si shqiptarë. Dhe kur në Shqipëri apo Kosovë gjërat shkojnë keq, domosdoshmërisht shemben balancat dhe bien kredencialet e të gjithë shqiptarëve në rajon.

Shembulli serb

Serbia, shteti më i sëmurë ideologjikisht në Evropë, në konflikt me pothuaj të gjithë fqinjët, shkaktare e shumë luftërave, sërish po na jep shembuj se si veprohet gjeopolitikisht. Me tërë barrën morale për të kaluarën dhe përkundër mungesës absolute të vullnetit të politikës, e kostos nacionaliste, prapëseprapë gjeti rrugë të joshë perëndimin duke arrestuar kriminelin e radhës. Dhe për këtë do të shpërblehet nga Evropa me integrim të përshpejtuar, derisa në anën tjetër shqiptarët që patën rastin e artë që nga rënia e komunizmit, sërish, për disa vota mbeten peng i integrimit. Një integrimi kaq të nevojshëm jo vetëm për veten, por edhe për forcimin strategjik të faktorit shqiptar në rajon.

Shanset e humbura

Shqipëria edhe pse nuk ka pasur konflikte të brendshme etnike apo luftë me shtetet fqinje, edhe pse nuk ka pasur llogari të palara me Hagën, nuk i shfrytëzoi kurrë këto avantazhe. E mbetur prapa në çdo hap të saj drejt anëtarësimit në BE, e vonuar jashtëzakonisht shumë në nënshkrimin e të gjitha marrëveshjeve me strukturat evropiane jo vetëm që humbi shansin për të qenë anëtare në valën e fundit të anëtarësimit, por tani nuk mund të qëndrojë as në linjë me shtetet e mbetura.

Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë si kandidate zyrtare së shpejti do u bashkohet edhe Serbia, ndërkaq Shqipëria duket që mbeti për në trenin e fundit të integrimit, bashkë me Kosovën dhe Bosnjën. Sipas legjislacionit evropian një shtet anëtar i BE-së ka të drejtë që në mos të stopojë, së paku të prolongojë anëtarësimin e një vendi kandidat, duke kushtëzuar e përfituar për çështjet e nxehta bilaterale, sikur Sllovenia ndaj Kroacisë apo së fundmi Greqia ndaj Maqedonisë.

E se cilat do të jenë kushtëzimet që fqinjët tanë do na i bëjnë gjatë rrugës së tejzgjatur të integrimit, mbetet të shihet.

 

Inati shqiptar


"Inati shqiptar" - © illyris 2011

Askush nuk e di se kur do të vijë momenti kur zgjedhjet lokale në Shqipëri do të jenë vetëm një lajm lokal dhe jo një problem me të cilin do të mirret edhe Europa.

Në fillim dukej të jetë një situate premtuese, pasi në ditën e zgjedhjeve u tregua një frymë e përgjitshme maturie. Por si gjithmonë, vetëm derisa nuk nisi numërimi i famshëm i votave, derisa nuk nisën kundërthëniet e forta mes taborreve politike.
Përpjekja e qeverisë shqiptare për të shfaqur një fytyrë më të moderuar, të kundërt nga ajo e zakonshmja, pa gjuhën e urrejtjes dhe ofendimeve të ulëta doli të funksionojë deri në një masë. Por jo sa për të kaluar e vetme testin, pasiqë pala tjetër, opozita, as që e mori guximin më të vogël që të përmirësojë veten në këtë aspekt. Se do të mundte, s’ka dyshim. Një gjë që nuk kërkon shumë investim. Do të mjaftonte një vendim brenda partisë, që çdo dalje para masës dhe medias të bëhej me një gjuhë të zgjedhur e të kultivuar, për të treguar pjekuri dhe çuar para proceset. 
Por kjo nuk ndodhi dhe siç po shihet zor se të ndodhi ndonjëherë.
 
Ngecja kolektive
 
Si një popull i vogël e i paragjykuar nga të tjerët, gjatë historisë së ekzistencës tonë, nuk jemi ndier fare të përkëdhelur. Zakonisht fajin ua kemi hedhur të huajve të cilët nuk na njohën sa duhet, e për pasojë edhe nuk na deshën sa duhet. Se paragjykimet ndaj nesh ishin të stisura dhe të pavërteta, e se ne shqiptarët, në të vërtetë jemi të njëjtë me pjesën tjetër të Europës.
Por ky perceptim yni për veten tonë rezulton të jetë i paqëndrueshëm, kjo, bazuar në mënyrën se si shqiptarët janë duke u sjellur, qofshin në pushtet apo në opozitë. Se cilat janë shkaqet e vërteta të kësaj katandisjeje kolektive, do të ishte një subjekt i gjerë studimi shkencor e historik. 
Mungesa e lirisë dhe shtypja permanente qoftë nga të huajt apo sistemet politike s’mbeten më faktorët deçizivë që kushtëzuan ngecjen tonë. Se as dy dekada demokraci, si askund tjetër në rajon, nuk dolën të mjaftueshme për emancipimin themelor të shqiptarëve.  
 
Inati e urrejtja
 
Çoroditja politike shqiptare nuk do mend që në thelb përmban frikë dhe mosbesim. Ndaj kujtdo që udhëheq. Qoftë në nivelin lokal apo qëndror.
Në vazhdën e kësaj, mungesa e lirisë së ideve, reformave dhe moralit politik brenda partive flet vetë. Kjo bëri që qeveria në zgjedhjet e përgjithshme të fundit, të hyjë në pazare politike jo të shëndosha me armiqtë e deridjeshëm politikë, të cilët rezultuan të jenë të zhytur në korrupsion të thellë. Por kjo kishte pak rëndësi. Zgjedhjet duheshin fituar patjetër.  
Po kështu as zgjedhjet lokale të fundit nuk shënuan përparim në demokracinë e vendit. Duke filluar që nga opozita e cila nuk pati vizion më të largët sesa deri në Tiranë. Rikandidimi i sërishëm i të njëjtës figurë politike, tregoi se sa e ngulfatur, e pareformuar dhe e kontrolluar është partia kryesore opozitare. Dhe kjo, vetëm e vetëm nga frika e inati për humbjen e mundshme nëse në garë do të futej një figurë e re. Për më tepër kjo opozitë ende pa u dhënë rezultati, i cili doli të jetë në favor të saj, kishte paralajmëruar parregullsitë dhe pakënaqësitë e mundshme, duke ftuar popullin të dalë në rrugë dhe duke nxitur urrejtje. Sepse sido që të ndodhë, skenarët e kontestimit duhet të jenë të përgatitur.
 
Autofagia
 
Deri më tani çdo rotacion pushtetesh në Shqipëri ka patur dhe vazhdon të ketë kosto të madhe politike e integruese. Për më tepër ka çuar në një lodhje e çorientim kolektiv të shoqërisë shqiptare në Ballkan. Tendenca e imitimit nga klasa tjetër politike shqiptare në rajon duket të jetë në rritje të vazhdueshme. Partitë shqiptare në Maqedoni, Serbi, Kosovë e Mal të Zi nuk duken të jenë më të çliruara se simotrat e tyre në Shqipëri nga instinkti serpentin i autofagisë. Fatkeqësisht, mendësia e të bërit të gjërave në shoqërinë shqiptare nuk kalon përtej caqeve të vetkënaqësive të siguruara nga autoritarizmi dhe mundësia e kontrollit të çdo gjëje.
E tërë kjo keqqeverisje, mllef, urrejtje e inat si asnjëherë më parë, nuk na vjen nga të huajt por nga vetja jonë, dhe dëmet e shkaktuara nga vetvetja duken të jetë më të pariparueshme e më të rrezikshme se çdo politikë apo nismë e armiqve të popullit tonë.
Sigurisht, e dhimbshme dhe e çuditshme që edhe në këtë rast të huajt duhet të na qëndrojnë pranë.
Të na mbrojnë. Nga vetja jonë.

“Triumfalizmi”


"Triumfalizmi"

“Drejtësia u vu në vend” – ishte kjo fraza e përcjellur gojë më gojë nga të gjithë, pas lajmit për likuidimin e Bin Laden. Që nga presidenti amerikan Obama, kryeministri kanadez Harper, presidenti Topi, ambasadori Arvizu, presidentja Jahjaga e shumë liderë tjerë botërorë e lokalë. Duket se dhënia e kumtit nuk ka ndryshuar shumë nga e kaluara, kur lajmëtari dilte para turmës dhe sillte lajmin për fitoren apo humbjen e ushtrisë në betejë. Dhe derisa dikur lajmi ipej nga një maratonomak që vinte direkt nga beteja, në demokracitë moderne vetëm njerëzit e rëndësishëm e shijojnë emocionin e triumfalizmit, dhënien e lajmit të pritur gjatë. Se mbi çdo gjë tjetër, duhet ushqyer turmën. Më e çuditshme është kur kjo ndodh në një demokraci të zhvilluar si ajo e SHBA-së. Vendimi që vetë Obama të ishte lajmëtari për vrasjen e shumëpritur, e jo një zyrtar tjetër amerikan, qoftë edhe ushtarak i lartë, si dhe përtej këtij momenti, sjellja që bëri Uashingtoni zyrtar ndaj reagimit të opinionit publik, ngre shumë pikëpyetje. Normalisht lajmi për vrasjen e Bin Laden u pasua menjëherë me kërkimin e provave nga opinioni i gjerë botëror. Dhe po pastaj, arsyetimi se “ne nuk mbajmë trofe në duar” për të provuar kështu me fakte vrasjen e Bin Ladenit, sikur qëndron në disproporcion me reagimin euforik të Shtëpisë së Bardhë të ditëve më parë. 

Turmat
 
Të festohet kjo ngjarje në mënyrën se si e bënë amerikanët në Nju Jork dhe Uashington mbi të gjitha nuk ishte mënyra më civilizuese. Se nuk bëhej fjalë për një ndeshje sportive. Në atë mënyrë nuk u bëhej respekt as viktimave të 11 shtatorit. Me ato festime nuk u zhbë gjë dhe as bota nuk u bë më e sigurtë. Sigurisht që dëmet e 11 shtatorit ishin të mëdha. Përtej humbjes njerzore dhe asaj materiale më së shumti u dëmtua prestigji, egoja e Amerikës. Por festimet dhe thirrjet e turmave, qofshin spontane ose të mbështetura nga qeveria nuk dhanë mesazhin e pritur, nuk treguan pjekurinë e popullit amerikan, por treguan situatën në të cilën ndodhet kjo shoqëri, pasigurinë e saj në tërë këto vite dhe nevojën kaq të madhe për t’u kapur pas një fitoreje simbolike, sado të vogël, qoftë edhe eliminimin e një terroristi.
Euforia dhe festimet do të ishin më të kuptueshme, sikur Bin Laden të kapej apo vritej shpejt pas 2001-ës. Por tani, kur për shkak të moshës si dhe konsumit, ai edhe mund të ishte zëvendësuar nga pasardhësit e shumtë ideologjikë.
 
Bin Ladenët e Millosheviqët
 
Nuk duket punë e vështirë të përcaktohet nëse likuidimi fizik i një figure markante e një sistemi e ideologjie të caktuar, të cilësohet si fitore e vogël apo fitore e vërtetë. Vetë këto figura, më shumë se krijues të ideologjive, janë të zgjedhur të momentit të këtyre ideologjive të brumosura mirë e mirë që me kohë. Një figurë simbol duhet ta ketë çdo sistem, qoftë demokratik apo tiranik, por se sa të përkohshme janë këto figura tregon fakti se çdo devijim nga rruga e trasuar u ka kushtuar pozitën brenda për brenda ideologjisë. Për më tepër, sikurse simbolika që bartin këto figura, poaq mbetet simbolik edhe eliminimi i tyre. Kohët kanë treguar që ideologjitë nuk shuhen me eliminimin e figurave të tyre, ngaqë çdo ideologji është pjesë e një procesi që kërkon kohë për konsumin e saj, pa marrë parasysh kush qëndron në krye.
Simbolika e figurave në kohët moderne në secilën shoqëri ka një skadencë të përshpejtuar për shkak të ngopjes konstante të opinionit me to, duke bërë që një figurë e re lehtësisht të zëvendësojë një të vjetër.
Për këtë, njerëzimi nuk mund të festojë vdekje simbolesh duke parë që trashëgimia e tyre e lënë pas është hiperbolikisht më e rrezikshme. Si në rastin e Millosheviqit kur arrestimi, dënimi i mundshëm apo edhe vdekja e tij nuk duket se i ndihmoi popujt e ish-Jugosllavisë të harrojnë dëmet enorme dhe pasojat që po vuajnë edhe sot për shkak të ideologjisë së shtetit të tij. Faktet tregojnë se me vdekjen e Millosheviqit, as sot e kësaj dite Serbia nuk u bë një shtet më i mirë. Ndaj askujt. Prandaj, derisa një ideologji e rrezikshme është ende aktive, më shumë se çdo gjë tjetër, duhet të kihet kujdes. Se një Millosheviq e Bin Laden, në mos për t’u dënuar apo vrarë, një ditë do të vdisnin dosido. Ndërsa ideologjitë e tyre ende jetojnë e kultivohen, me apo pa figura simbole…

“Wonderland”


 

"Wonderland"

Kush tha se “Wonderland” është vetëm një fiksion? Apo se duhet të shkosh në Amerikën e largët, atje ku arrihet nga hiçgjë, çdogjë. Gabim! Ja ku është Kosova, një wonderland. Vendi i mundësive dhe ëndrrave.

 Si të bëhesh milioner

Në një kuiz diturie? Me pesëdhjetë mijë euro? Apo me, punë punë natë e ditë? Jo. Harrojeni! Ka mënyra, mënyra. Të tjera. Kaloi tashmë një dekadë prej kur në Kosovë, nga mëngjesi në mbrëmje mbinë pasuritë, patundshmëritë. Dhe kurrë s’qe një sekret, një e paditur e madhe. Po. Ka një formulë për të arritur deri aty. Fare e thjeshtë. Mashtro. Keqpërdoro. Në emër të kësaj, asaj. Të bëmave, të dikurshme. Korruptohu. Kontrabando. Bëhu pjesë e skemave të mëdha. Të frikshme. Të milionave. 

Si të bëhesh VIP

Duhet të keni gjak blu, trashëgimi qindravjeçare pronash, zingjir hotelesh nëpër botë dhe… Prit! Ku jemi? Konfuzion! Qenkemi në Kosovë. Po. Nuk ka nevojë të kesh origjinë aristokrate. Mund të jesh kushdo, nga kudo. Me një kusht. Të jesh pjesë e skemave. Sërish, domosdoshmëri. Të kesh mungesë absolute talenti. Pranohet. I pashëm apo i shëmtuar. I gdhendur, pagdhendur. Me injorancën atribut kryesor të personës tuaj. Kalon! Të jesh në TV, si gazetar mesatar, apo nga ata që s’lexojnë dot as pas 10 vjet përvojë pune. Nuk ka gjë! Këngëtar me pak zë, pa zë fare. Mjafton të dalësh, në media. Pa arsye, me arsye. Mund edhe të vetëshpallesh, “vip”!

Si të bëhesh President

Gjindu në vendin e duhur, në kohën e duhur. Moralizo. Milionat, një aset më shumë. Shfrytëzo pazotësinë e politikanëve e partive të tyre. Kushtëzo. Dhe ja ku je, President! Apo. Rri në prapaskenë, ëndërro. Pa fushatë, pa sms, pa para, mbase. Thonë, rasti është mbret i botës. Një ditë të bukur, mund të rastis që lotaria presidenciale të të takojë, pa pritur e pakujtuar. E mbyllur në një zarf. Për shkak të inateve politike, një trysnie, eksperimenti apo thjesht nga fatum momentum, ju mund të jeni i përzgjedhuri i radhës. Bingo!

 Ku ka më mirë 

Në asnjë vend tjetër nuk shijohet jeta kështu. Trilleri politik, teatër i përditshëm. Nga një president milioner të thekur, në një presidente. Incognito. Mbijetesa, luksi i shfrenuar, sofra jonë. Shakaja, televizioni ynë. Monotonia dhe e papritura, në simbiozë. Kështu, vendi ynë sërish përbën lajm. Brenda e jashtë. Për keq apo mirë. Me rëndësi janë fjalët. Thashethemet. Herezia. Paradokset e bardha. Të zeza. Ngjyra-ngjyra. Me vrima lepujsh. Gjithandej. Se kështu e ka. 

Një wonderland!

Era shtet


Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Gjykata Kushtetuese

Dhe Gjykata Kushtetuese sërish dha fjalën e saj. Për çështjen e njëjtë. Presidentin e Republikës. Dy herë brenda gjashtë muajsh, për dy shkelje, efektet e të cilave patën trazuar dhe sërish pritet të trazojnë fort zhvillimet konstitucionale në vend. E shpejtë, e pavarur e profesionale, e kështu ligjërisht e fuqishme, për një gjë është e sigurtë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës po kthehet në ankthin 24-orësh të politikës kosovare. Në murin e pakapërcyeshëm për të dy presidentët e fundit. Në plangprishësen e kokëfortën kundrejt vendimeve e procedurave të logjikës “unë jam ma i forti”. Një vendim i drejtë, gjë e mirë për Kosovën, që absolutisht nuk duhet të përkthehet si i qëllimshëm kundrejt figurës së presidentit apo atyre që e sollën aty. E tërë kjo ka të bëjë me mënyrën. Sepse në rendin e bërjes së gjërave gjithmonë duhet patur kujdes, mënyrën.  

Dëm e fitore

Çka fitohet e çka humbet, është e vështirë të nxirren përfundime të menjëhershme. Se a do të ketë kapërcim taktik të tipit dellian e blerje vote nën presion për të dalë nga kjo situatë e re, apo një kthim në pikën fillestare, kompozicion të ri politik apo edhe e fundit fare, zgjedhje të reja, mbetet të shihet.

Tash për tash, efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mund të jenë të dhimbshme sidomos për opinionin publik, që pas muajsh të tërë cirku zgjedhoro-politik, do i duhet sërish të rikalojë nëpër të. 

Ndërsa në aspektet afatgjata, efektet janë shumë pozitive për të gjitha proceset e demokratizimit e të shtetndërtimit. Këto vendime të një institucioni që po jep shenja të konsolidimit e pjekjes konstante, nuk duhet parë si fitore e opozitës, apo kundërshtarëve tjerë të qeverisë, por si NDALESË edhe për vetë opozitën, nëse nesër i futet rrugëve joligjore për arritjen e qëllimeve politike. Në të njëjtën kohë, një vendim i tillë është i shëndoshë edhe për vetë pozitën, sepse nesër kur të mos jetë në pushtet, një Gjykatë Kushtetuese efikase e profesionale në vendimet e saj, do t’i mbrojë nga shkeljet e mundshme. 

Mësimi

Shtyrja e pavarësisë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2009, si dhe zgjedhjet politike për udhëheqësit e institucioneve të pavarura, i kanë bërë shumë dëm Kosovës. Këtë më së miri na e dëshmon dhe mëson roli i Gjykatës Kushtetuese në vendimin për presidentin Sejdiu dhe për presidentin Pacolli, se askush nuk e ka të garantuar pozitën e tij, sidomos kur bëhen shkelje, qoftë edhe proceduriale. Se të gjithë duhet të kenë frikë nga ndëshkimi, në këtë rast ndëshkimi kushtetues e institucional. Kjo e bën një qeveri që të mos krekoset parakohe për numra votash të mjaftueshme, për dominanca e mazhoranca, për qeverisje të garantuar e të kontrolluar si t’ia dojë qejfi, nga poshtë-lart.

Poashtu gjithë spektri politik të nxjerrë mësim të shpejtë nga kjo, duke bërë reforma brenda përbrenda partive në emër të zhvillimit, suksesit, e jo në emër të lavdive të kaluara e patriotizmit tashmë të konsumuar. Sepse një ofertë e dobët politike, po, mund të sjellë një instant-qeveri dhe një instant-president, por edhe një instant-largim.

Në këtë vazhdë zhvillimesh, edhe institucionet tjera bartëse të drejtësisë e pushtetit ligjor të marrin shembull e të motivohen për marrjen e vendimeve të forta e të drejta, që në fund të fundit janë të rëndësishme për demokracinë, popullin, për të cilin edhe janë krijuar.

Besimi

Si me asgjë tjetër, përditshmëria e shoqërisë në Kosovë karakterizohet nga mungesa e besimit. Besimit në vërtetësinë e institucioneve, besimit në zgjedhjet e lira politike, besimit në projektet e qeverive për bërjen e Kosovës.

Të kritikuar rëndë për një sistem ligjor të dobët, për gjykata jofunksionale dhe të ndikuara skajshmërisht nga politika, më shumë se kurrë, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese japin sinjal të qartë për kthimin e mundshëm të besimit. Kthimin e besimit te qytetarët, duke mos lënë anash edhe nevojën për kredibilitetin rajonal dhe më gjerë në Europë. Besimin se vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese mbajnë aromë pavarësie dhe profesionalizmi. Aromën e shtetit të Kosovës.

GAGA-izmi shqiptar


Kosova & Shqipëria - Going GAGA

 Të reklamosh apo bësh branding për të promovuar vendin është një investim i rëndësishëm. Sidomos në kohët moderne kur të gjitha shoqëritë qoftë ato në zhvillim apo ato të zhvilluara bëjnë shumë për imazhin e tyre. Kosova e Shqipëria s’bëjnë dot përjashtim në këtë lojë imazherie. Por për dallim nga shtetet tjera demokratike ku përgjegjësitë për promovim të imazhit janë të ndara në mes qeverive dhe komuniteteve të artit, në Kosovë e Shqipëri ndodh e kundërta.

Kryeministri i Shqipërisë ka muaj të tërë që përmend emrat e yjeve botëror me qëllim promovimin e Shqipërisë para botës. Dukej shumë entuziast në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Ministrave apo në Kuvend prej nga sinjalizonte mundësinë e prurjes së emrave të famshëm. Por përkundër të gjithave momenti i përfolur nuk erdhi. Nuk erdhi se gjërat nuk vajtën si duhet. Skandalet e korrupsionit dhe krizat e thella politike s’lanë vend për festime. Në fund të ditës qëllimi i vërtetë i gjithë kësaj historie ngjan sikur të jetë tjetër. I dyfishtë. Sigurisht, për opinion e brendshëm, sepse amullia dhe konfuzioni në të cilin vërtitej realiteti duhej të pudrosej me titujt “Beyonce në Tiranë” apo “Gaga në Durrës”. Si dhe për opinionin e jashtëm, se gjërat në Shqipëri ecin në rregull.

 Gjetja e ideve për promovimin dhe reklamimin e vendeve, kauzave, ka vështirësitë e veta, sidomos në një kohë kur shoqëritë e zhvilluara kanë avancuar dhe pothuaj kanë konsumuar idetë si këto. Që një ide të jetë e qëlluar dhe të godasë aty ku duhet, kërkohet kreativitet dhe gjetje origjinale. Por problemi qëndron pikërisht këtu. A mungojnë ekspertët shqiptarë kreativë për të gjetur formulën e duhur të promocionit. Apo na mjafton një ide që vjen nga Lindja e Mesme dhe shoqëritë me diktatorë në rënie, që me blerje milionëshe të këngëtareve që përdridhen tentojnë të tregojnë se sa mirë i kanë punët e sa demokratikë janë.

Gaga-idetë

Idea e ngjashme që po qarkullon ditëve të fundit edhe në Kosovë, për sjelljen e emrave të famshëm të muzikës botërore, më shumë se çdo gjë tjetër ngre shumë pyetje. Vërtet, për çfarë promocioni ka nevojë Kosova tani? Dhe a është kjo gjetja e duhur?

Në kulturën urbane, prurjet e yjeve e bendeve muzikore me nam janë pjesë e një procesi të vazhdueshëm zhvillimor social e kulturor të shoqërisë. Përkundër numrit të madh të rinisë shqiptare dhe nevojës për evente artistike të mëdha, prapëseprapë këto aktivitete nuk duhet të jenë punë qeveritarësh. Ka kohë që të rinjtë entuziastë në Prishtinë e Tiranë me sukses kanë sjellur yjet e muzikës botërore, prandaj këto prurje nuk do të përbënin lajm. Mbase brenda Ballkanit dhe vetëm kaq.

 Imazhi i dy shteteve tona nuk përmirësohet pse vjen Rihana në Tiranë, sepse që të nesërmen sërish nëpër ballina do shfaqen tituj me lajme jo të mira nga Shqipëria. As Venezuela, Spanja e Irani nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës meqë erdhi Shakira apo Gaga në Prishtinë. Dhe sigurisht as Catherin Ashton s’do të pyeste se si ia kaluam me pop-yjet! Sepse yjet e muzikës nuk e çrrënjosin korrupsionin, nuk bëjnë reforma e shtet ligjor nga skena e muzikës live. 

Gaga-Produkti

Dy qeveritë shqiptare me shefat e tyre në krye na shfaqen kontraverse e të papjekura në vendimet dhe mënyrën se si menaxhojnë me mjetet publike. Dhe gjithnjë e më shumë po ngjajnë me nëra-tjetrën.

Fytyra e mirë e një vendi propagohet me transparencë qeverisjeje, zgjedhje normale, me fushata milionëshe lufte kundër korrupsionit e trafikut, me programe milionëshe në edukimin e ekspertëve të shumë fushave, kuadrove mjekësore, inxhinierëve. E çka është më e rëndësishme qeveritë duhet të orientohen në zhvillimin e produktit, brandit shqiptar, e jo gaga-produkteve. Bashkimi Europian dhe bota vetëm në këtë mënyrë bindet se qeveritë po punojnë si duhet. Dhe integrimi, njohjet s’do të vonojnë.  

Gaga-qeveritë

 Zhvendosja e vëmendjes së opinionit publik nga aktualiteti i vrazhdë shqiptar ka hyrë zyrtarisht në politikën ditore andej e këndej kufirit, dhe si fenomen ka modelet e stërkequra gjithandej nëpër botën e tretë. Që ka humbur sensin moral dhe estetik në paraqitjet e liderëve tanë para masës, është e vulosur. Mungesa e ndjeshmërisë dhe deri diku e injorancës së medias në trajtimin e këtij gagaizmi politik u jep hapësirë të mjaftueshme veprimi ideatorëve jokreativë të këtij marketingu joprofitabil.

 Ndërkohë gaga-qeveritarët të kenë kujdes se mos një ditë to të përfundojnë në gjykata keqpërdorimesh, e pastaj Beyonce e Shakira do t’i mohojnë ato para, apo do t’i japin për bamirësi sikur po ndodh kohëve të fundit. Sepse në fund të fundit yjet duhet të sillen për të festuar suksesin, e kurrsesi për të maskuar dështimin. 

 Kjo po që do të ishte “qershia mbi tortën” e imazhit shqiptar.

“Allahu Ekber”!?


"Mos ma kthe me t'keq"

Në marëdhëniet njerëzore, kur dikush ndihmohet nga tjetri, normalisht që është i pritshëm edhe falenderimi apo shpagimi ndaj asaj të mire. Ndërsa në situatat kur shpagimi është praktikisht i pamundur, në kulturën tonë popullore ekziston një thënie e moçme dhe shumë domethënëse, “mos ma kthe me t’keq!”. Thënie kjo me nënkuptim të caktuar, shpesh të dyfishtë, po që tingëllon sipërfaqësore dhe jo fort e dëshiruar për veshin e njeriut.

E pikërisht tani po përjetojmë ndjesinë sikur ai “falenderimi” ynë i vazhdueshëm për një të mirë të madhe u shkërmoq, e disi u zhbë brenda minutash. Që në një mënyrë ngjan sikur vërtet “e kthyem me t’keq”.

 Lajm i keq

 Askush nuk tha që “një banor gjerman vrau ushtarët amerikanë…”! Të gjithë e thanë, madje me zë të lartë se vrasësi ishte nga Kosova, mysliman dhe kishte thënë: “Allahu Ekber”. S’mund të ndodhte ndryshe, anipse i riu nga Mitrovica mund të ishte shtetas apo banor i përhershëm gjerman. Ai tekefundit ështe shqiptar dhe ç’është më e keqja kreu krim me një skenar të tmerrshëm, që as mendjet më pjellëkëqija të Beogradit nuk do dinin ta stisnin.

Dukej si shakaja më e keqe. Që doli e vërtetë! Sa shokuese. Sa e papranueshme. Lajmi më i hidhur i radhës, në vazhdën e lajmeve hiç të mira që kanë të bëjnë me Kosovën tash e sa muaj. Epizodi më tragjik në marëdhëniet Kosovë-SHBA.  

Mos na vrisni 

Populli shqiptar i detyrohet shumë miqve të tij perëndimorë. Historia e ka treguar këtë që nga ekzistencializmi i Shqipërisë e deri te historia moderne e Kosovës. Sigurisht, ne nuk kemi kapacitete ekonomike dhe burime natyrore për t’u kthyer miqve tanë të mirat që na kanë bërë. Ne as nuk notojmë në naftë, që të joshnim amerikanët për investime të tyre, për t’ua shpaguar mundin politik e ushtarak. Biles as ata nuk kanë pritur e as nuk po presin që ne t’ua kthejmë të mirën, falenderimin. Për miqtë tanë amerikanë falenderim do t’ishte që ne të bëhemi të mirë e të suksesshëm për veten, jo për amerikanët. Të punojmë mirë për veten, jo për amerikanët. Të forcojmë veten, të zhvillojmë veten. Jo amerikanët.

Tash çka t’u themi atyre? Çka të presin nga ne? Të arsyetohemi se ishte vetëm një rast i izoluar dhe se rastësisht dorasi na paska qëlluar të jetë shqiptar?

Apo ndoshta duhet të presim që miqtë tanë amerikanë të na kuptojnë, të mbyllin sytë e të na kërkojnë vetëm diçka. Që në vend të falenderimit, së paku të MOS I VRASIM! Jo për diçka të tillë!

Por ka ndodhur. E frika është që do të ndodhi sërish sepse kjo mënyrë sjelljeje e shqiptarëve ka filluar të lëshojë rrënjë e të marrë formë gjithnjë e më shumë.

 Homazh

Kosova u godit sërish. Në ditët kur më së paku pritej. Dhe në këtë rast nuk u godit nga jashtë, nga Serbia, por u godit nga brenda, vetvetja. Akti i vrasjes së tmerrshme përbën lajm në çdo faqe gazetash ndërkombëtare, faqe interneti, zyra diplomacishë. Dhe pothuaj në çdo rast përmendet edhe Kosova, sepse ishte një kosovar në pyetje. Ky është rasti më tipik kur vepra e një individi nuk dëmton apriori vetë individin por dëmton mbarë një shoqëri, shtet të tërë. Kjo ngjarje na njollos të gjithëve sepse nuk është vrasje me motive të ulëta, apo vrasje e lidhur me një krim ordiner. Por, janë vrarë pjesëtarë të ushtrisë amerikane. Ushtri për të cilën dikur një popull i tërë jemi lutur të na shpëtojë e çlirojë nga armiku gjatë ditëve më të vështira të ekzistencës tonë. E ajo na shpëtoi, çliroi e vazhdon të na mbrojë. 

Më e keqja në gjithë këtë histori është se ky akt nuk përbën një rast të izoluar. Shembuj aktesh me motive të ngjashme kanë ndodhur edhe më herët. Ky është një tregues i qartë se në çfarë labirintesh të qorrta po shkon shqiptarizma jonë.

Ngushëllimi i familjeve të ushtarëve apo një dënim retorik verbal i aktit është i pamjaftueshëm e pokaq patetik. Një homazh për të vrarët nuk arsyeton gjë.

Ajo që tani më së shumti ka nevojë për një homazh, është vetë Kosova.

Flokët e Pakrehur


"Gjuha Shqipe"

Dikur më vinte keq për shkronjën “ë”, kur shikoja në detyrë shtëpie të nxënësve në shkollë fillore… Ajo mungonte në 90% të rasteve në fund të fjalëve që e kanë në përbërjen e tyre këtë shkronjë… Me kohë mendoja se ishte për shkak të moshës së vogël të nxënësve, por e njëjta gjë ndodhi edhe në shkollë të mesme, për të vazhduar tutje në universitet, tashmë jo më si keqardhje por tmerrosje.

Shkronja “ë” është pasuri kombëtare. Jo që shkronjat tjera nuk janë, por kjo shkronjë i jep identitet alfabetit dhe gjuhës së folur shqipe. Dhe të luash me identitetin tënd, ta rrezikosh vetëm për një klik (fraksion sekonde) s’është tjetër veçse vrasje. S’mjafton që është rrezikuar mjaftë në të shtypurit online, ne edhe vetë e mohojmë fare si shkronjë (shum, mir, koh, kultur, ton, lop…)

Mësuesit vs Nxënësit

Kosova në sistemin e vet të edukimit ka shumë segmente të pazhvilluara si duhet. Deri tani ky sistem për disa gjëra ka dëshmuar. Se te ne nuk mësohet, por kapërcehet. Te ne nuk zhvillohet nje temë, por mbarohet. Te ne nuk ofrohet cilësia, por sasia. Dhe kjo vlen para së gjithash për Gjuhën Shqipe. Që do të thotë, nxënësit ngarkohen me gjëra sasiore, me qëllim arritjen e normës, por jo edhe arritjen e cilësisë. Tekefundit një fëmijë që mbaron klasën e katërt më e udhës do të ishte t’i kërkohej të shkruante një hartim pa gabime gjuhësore sesa t’i kërkohej alamet mendimi apo ideje. Thënë ndryshe, jo të gjithë nxënësve duhet kërkuar një hartim (shkrim) i mirë në total. Por të gjithëve duhet kërkuar një hartim (shkrim) pa gabime gjuhësore ne total! Sepse në të ardhmen, për të shkruar kanë te gjithë. Pa marrë parasysh çka, një adresë, një emër, një e-mail, sms, një koment të shkurtë. Hartimet e vërteta, novelat e poezitë ua lëmë shkrimtarëve (persona në gishta).

Mbledhitë Elektronike dhe Fjala e Shkruar

Po e quaj kështu nëse do të guxoja, tërë shoqërimin e njeriut modern, qoftë përmes telefonave të dorës me porositë elektronike, apo edhe nëpërmes internetit: posta elektronike, forumet, rrjetet shoqërore etj. Rolin kryesor sigurisht edhe këtu e luan Fjala e Shkruar, që thënë të drejtën po i jep dimenzion të ri vet mënyrës së të jetuarit, e në të ardhmen kushedi çfarë. Shqetësimet janë të shumta por ato që shenjojnë më shumë janë këto:

– mungesa e qartë në mes asaj që mendohet të thuhet dhe asaj që shkruhet;

– gabimet elementare, si mungesa e “ë”-së, përdorimi i tmerrshëm i “q”-së në vend të “ç”-së etj.;

– mungesa e shenjave te pikësimit, që të bën të humbësh shumë kohë derisa e kupton se ku fjalitë marrin kahjen e duhur, në kuadër të asaj që është menduar të thuhet.

– indiferentizmi gjuhësor;  etj., etj.

 Indiferentizmi gjuhësor

Ky indiferentizëm është mjaft kompleks dhe ka të bëjë me shumë gjëra njëkohësisht: me të nguturin, thjeshtësinë brutale të të shkruarit, sipërfaqesinë, të qenurit kull (cool), joseriozitetin dhe edukatën individuale. Dhe kur kjo vjen nga gjithësecili: fëmija, i rrituri, studenti, qytetari, fshatari e i diplomuari, kuptohet që është prekur piku kritik.

– Të nguturit. – Të gjithë nguten kur shkruajnë, vërehet nga mungesa e ngatërrimi i shkronjave, mungesa e shenjave të pikësimit dhe përdorimi i akronimeve. Shtrohet pyetja: a ka pamjen e duhur dhe ndjesinë e vërtetë një këmishë e pahekurosur mirë, një pastrim dhëmbësh për 3 sekonda, një bukë e pjekur për 3 minuta? Një semafor i kaluar në të kuqen? 

– Thjeshtësia brutale.- Ajo që haset kudo në ditët e sotme është thjeshtësia me të cilën të rinjtë shprehen, shkruajnë. Nuk e marrin pikën e mundit që të formulojnë një fjali së paku drejt të lexueshme, kuptueshme.

Fjalia e shkruar pa pikë e pa presje, pa morfologji e strukturë elementare, pa “ë” në fund dhe me “q” të vendosur dosido është rrëmujë, sikur floku i pakrehur. Edhe po të jetë një fjali dashurie a urimi, ajo thjesht i ngjan një dhurate të paketuar me letër tualeti.

– Sipërfaqësia.- Një “mos ta nin-je ma e mira”-është shembulli më i thjeshtë se sa e vagët është aftësia për të thënë diçka të sinqertë, më të zhvilluar në përmbajtje, si dhe shembull se sa moskokëçarës e indiferent është ai që shkruan këtë.

– Cool-izmi – Mjafton të dëgjosh bashkëbisedimet në mes të rinjve në Kosovë, sidomos atyre nëpër qytete, dhe ti e kupton që ata janë thjeshtë të rinj të  l-a-z-d-r-u-a-r. E sa për ironinë e tërë kësaj, në Dukagjinin lindor “kull” e quajnë kalin shëndetlig! Rastësi bizare kjo. Gjuha shqipe në Kosovë është shëndetlige.

– Joserioziteti.- Nëse s’duhet të kemi seriozitet në mënyrën se si shpërfaqemi para botës virtuale, atëherë a kemi të drejtë të kërkojmë prej të tjerëve (në botën reale) që të jenë seriozë?

Pse të mos jetë edhe një mjek rebel, që në vend të shpretkës të operojë mëlqinë? Apo një farmacist, që në vend të një vitamine të japë antibiotikë të fuqishëm…apo një shofer autobusi të vozisë 120 km/orë, në pikë të dimrit? Apo një procesverbal gjykate t’shkruhej pa pikë e presje? Se në këtë mënyrë do të ishin in, duke qenë joseriozë. Ne na bënë përshtypje si të jemi in apriori, e jo të merremi me consequences posteriori.

– Mungesa e edukatës.- kjo është më e rrezikshmja, dhe më e përhapura si dukuri. Për më tepër kjo mungesë edukate gradualisht po prekë edhe ata që kanë një nivel të caktuar të saj. Se sot duhet të sillesh si masa. Masa, sasia është në pyetje. Gjithmonë.

 Rebelizmi gjuhësor

Dekadën e fundit dukuria e rebelizmit në përgjithësi ka rritje eksponenciale. Dukuri që bie në sy në tërë botën, sidomos botën perëndimore. Eshtë dicka e marrë nga perëndimi por diçka që buron edhe nga vetë ndjesia e individit shqiptar për të ndryshuar gjërat duke mos qenë rehatshëm me to. Këtu padyshim edhe gjuha del pengesë në rrugën e rebelizmit. Të shkruarit online është marrë si një mikrokozmos ku secili mund ta shprehë rebelizmin e tij, që nga postimet e mendimeve, fotografive, videove, muzikës e deri te gjërat e thjeshta ditore. Kjo hapësirë ku mund të ndihesh “sa të duash rebel” pa rregulla, paradoksalisht ka edhe vetë rregulla! Se duhet të jesh sa më rebel që mundesh, i çthurur, të mos respektosh asgjë, të jesh sa më shumë vetvetja (që në përkthim të lirë do të thotë: sillu sipas instinktit)! S’je in nëse shkruan me gramatikë, s’je cool  nëse bën “kishe unë di”. Me këtë sikur dëshirohet të luftohet rregulli, që në thelb e mban botën gjallë.

Të përdorësh zhargon është e pranueshme deri diku mes familjarëve dhe një numri të kufizuar miqsh, por të jetë pjesë integrale absolute e çdo reagimi, komenti, postimi, përshëndetjeje, falenderimi apo kritike-kjo thjesht është e papranueshme.

 Pro et Contra

Nëse dikush mendon se kjo mënyrë rebele e komunikimit e bën shoqërinë më pak të ngurtë, më elastike, më të komunikueshme e më të mirë, mendoj se gabon. Se nuk mund dhe guxon të futen të gjitha në një thes, në thirrje të një uniformiteti shoqëror të rremë. Të mos dish nëse atë koment apo shkrim kush e ka bërë, një fëmijë që është në fillet e para të të mësuarit të gjërave, apo një i rritur 20-30 vjeçar?

Dihet se njerëzit janë të ndryshëm, shprehen ndryshe, shkruajnë ndryshe. Në kuadër të kësaj, vetë brenda përbrenda Kosovës kemi nënkulturat gjuhësore, të cilat duhet t’i respektojmë. Por, por, jo që në emër të kësaj të guxojmë të masakrojmë të shkruarit. Nëse dëshirojmë që të kuptohemi mirë, të respektojmë mendimet e njëri tjetrit, pse mos të përpiqemi pak që të shkruajmë drejt, qartë. Vetëm kaq!

Ne duhet të këmbejmë idetë, bindjet, mendimet, dallimet, jouniformitetin shoqëror me diçka uniforme-gjuhën. Mendoj, qoftë edhe në gegnishtën tonë. Së paku në rregullat kryesore të saj. Gjejeni një krahër, se përndryshe do të bëhemi Dexter-ë të gjuhës sonë. Të vetvetes.

V5 Vota – Vjedhja – Vetëmohimi – Vetëvendosja – Vikiliks


       

Vota - Vjedhja - Vetëmohimi - Vetëvendosja - Vikiliks

Vota – Vjedhja – Vetëmohimi – Vetëvendosja – Vikiliks

Është e çuditshme se si shume fjale, pergjithesisht te nderlikuara, te veshtira e te diskutueshme ne dometheniet e tyre nisin me shkronjen ‘v’. Eshte kjo nje rastesi, apo e thene per te qene, nuk e di. Por di qe te gjitha keto lidhen ngushte ne kompleksitetin e Kosoves se sivjetshme. Kosoves se vitit 2010.

 Vota

Kjo eshte vota: nje leter e thjeshte qe pret vetem nje gjurme lapsi, per t’u rikthyer mepastaj ne bartesen e fateve te nje shoqerie.

Shume nga ne menduam qe tashme e kishim ndertuar nje raport te shendoshe me voten, shpesh duke u tallur me kutite e votimit te Rames e Berishes. Por doli te jete bindje e gabuar. Ne ne mes vetandej e ketej ‘kufirit’ dallojme pak ne menyren e te berit te gjerave. Por dallojme shume ne menyren e reagimit. Mungesa e sharjeve te renda publike, dhe rrahjet masive te zgjedhesve, nuk e bejne situaten me te kendshme aspak.

Ne tere kete prapakthim edhe analizat duken patetike. Por patjeter qe dicka duhet te thuhet. Per veten, ne mos per te tjeret. Se, nuk me behet vone cka thote Europa per kete. Kush merzitet per ta. Nuk e mendoj qe ata jane djeme me te mire apo me te ndershem se ne. E kam me vetveten, rinine, popullin. Ne dijme, mundemi dhe meritojme me shume se sa ku jemi tani.

Vjedhja

Korrupsion! S’me pelqen si shprehje. Jo per tjeter, por kemi nje me te mire, me te drejtperdrejte, vjedhje. Pasi u be qe sa kohe, u diktua, u publikua, iu perplas zyrtarisht ftyres se aktereve kryesore-prape nuk ndodhi gje. Akteret, jo qe vodhen ç’munden deri me tani, ata tashme e vodhen edhe voten! Edhe pa pike skrupulli. Sa tronditese, ngulfatese, plasese. Po po, plasese! Kjo eshte. Kujt po ia bejne kete? Kujt? Kujt?

Vetëmohimi

Pse nuk u protestua ne momentin kur u publikuan raportet per vjedhjen ne Kosove nga organizatat nderkombetare? Mos populli kishte vjedhur vete, dhe s’bente ze? Sigurisht qe jo.

Pse kurre nuk u protestua per papunesine, terrin, familjarizmin e moszhvillimin? Pse? Perderisa studentet ne Angline e pasur e te zhvilluar e rrezikojne edhe vete familjen mbreterore me protesta ne rruget e Londres, pse rinia jone vetemjaftohet me realitetin?

Pse nuk protestohet tani kur njefar Dik k… akuzon per trafikim organesh UÇK-ne? Kryeministrit tone s’do ti prishej qejfi ne kete rast. Se thote: po akuzohet lufta e popullit shqiptar! Po a do t’i prishej atij qefi, nese ky popull do ta gjuante me gure, akuzonte dhe denonte per korrupsionin e deshmuar ne kohen e qeverisjes se tij dhe vjedhjen e paprecedente te votave? Sigurisht qe po!

S’do mend qe zgjedhja jone qe beme dhe po bejme, per te heshtur, se jane te tjeret qe do t’na nxjerrin nga lloçi, se do te pike dikush nga qielli qe t’na qeverise ndershem, nuk ka te beje asgje me vetedijen e perparimin, por thjesht me vetemohimin, regresin.

Vetëvendosja

Ne fillet e saj dukej si tendencioze, si e tejmbushur me patriotizem e diletantizem, si kostum i papershtatshem per prerjen europiane te Kosoves. Na pelqenin, por tashme kishim nje dashuri te re, te madhe. Europen! Dhe gjithçka qe bente ajo me Kosoven ishte e pranueshme. E te gjithe shushatnim. Se s’kishin c’benin me shume partite, politikanet. Arsyetohej varferia, arsyetohej papunesia, arsyetohej terri! Se shushatja, thene te drejten na ishte mbjellur me kohe, nga rezistenca kundrejt shtetit me monstruoz te Europes. E eshte pikerisht Vetevendosja qe guxoi dikur, Vetevendosja qe po guxon edhe tani. Vetem se per ironi te fatit tani lufton per te vendosur vete ekzistencializmin e ketij shteti ne rruge te drejte. 

Se sa fitoi, si ia doli, sa do te nderroje menyren e berjes se gjerave nga brenda parlamentit, se si do t’i pershtatet Kosoves europiane, mbetet te shohim. Por dicka ka arritur:

– Qe mos ta lere indiferentizmin te futet deri ne strukturat e ADN-se sone, si dhe

– Te pasuroje fuqishem aktualitetin mbareshqiptar me kete koncept sa te vjeter e te ri.

Vikiliks

Sa pamje bajate qe kishin ato kabllogramet e Wikileaks. Sigurisht, meqe jane te natyres sekrete e konfidenciale, s’duhet te jene te stilizuara, sepse nuk jane per shitje, e per pasoje as per ekspozim masiv. He!

Bota po ndryshon cdo here, ne kohe dhe hapesire. Shembujt e Vikiliks jane kurajuese mbi te gjitha. Edhe nese kjo organizate nuk do ta ndryshoje Ameriken, Europen, Rusine, boten, nje gje e beri. Per nje kohe i ç’sekretoi, i ç’konfidencializoi, ua hoqi breket qeverive. Dhe popujve u dha nje mesim. Se s’duhet qene konformiste edhe nese jetohet ne shoqeri te zhvilluara e moderne. Se per shoqerite ne zhvillim as mos te flasim! 

 V5

Kosova duket te jete vertete arene ndryshimesh, te mirash e keqijash, goditjesh e kundergoditjesh, qofte nga jashte, qofte brenda vete saj. Arene e Vjedhjes  se Votave, shperlarjesh parashe, target akuzash tronditese. Te mos permendet varferia e vuajtjet e popullit… 

Ç’ti behet?

Duhet te reagojme. Nuk duhet te rrime urte, te behemi pjese e ketij Vetëmohimi. Nuk duhet te presim ambasadorin amerikan te thote ‘votat u vodhen’, se ai thote, por mund ta beje shkarazi, ashtu si edhe beri! Neve s’duhet te na bejne pershtypje heroizmat e militantizmat qe s’na cojne kund. Studentet, te diplomuarit, papunet, gjithe populli te veprojme. Duke ua bere te pasigurte pushtetin kujtdoqofte, qofshin ata te krahut te luftes, paqes apo neser te vete Vetëvendosjes, nese nuk bejne punet si duhet. Nuk duhet te presim Vikiliksin te vije te pergjoje, te dokumentoje per sherret, hajnite, e keqperdorimet ne tere sistemin tone. Ne i dijme tashme te gjitha. Ne jemi populli. Jemi zeri!