Posts Tagged ‘ prishtina ’

Mocha serbe


Mocha serbe

Nuk ka rëndësi bontoni, trashëgimia e pasur diplomatike, se sa vuajtje sollën në rajon, apo nëse kanë të drejtë ose jo. Me rëndësi është ajo çka duan. Evropa është aty t’u bindet. Gjithmonë e gatshme t’i dëgjojë dhe respektojë ata. Diplomatët e krekosur serbë. Cilido të jetë, qoftë i përfshirë drejtpërdrejt në krime kundër njerëzimit ose jo. Qoftë Millosheviqi, Plavshiqi, Drashkoviqi e Karaxhiqi, apo Tadiqi, Jeremiqi, Ivanoviqi e Stefanoviqi. Ata vazhdojnë të magjepsin Evropën, botën.

Që nga zhbërja e Jugosllavisë, gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e së fundmi edhe në Kosovë, aftësia e tyre për ta kthyer në fitore çdo negociatë, marrëveshje apo luftë është kthyer në art të vërtetë. Në shembullin e Bosnjës fitorja është mëse e dukshme, ku nga një regjion inekzistent më parë si entitet politik, serbët nxorën një republikë. Hiç më pak se 24.857 kilometra katrorëshe. Kështu, ata dolën të jenë fitimtarët më të mëdhenj nga të gjithë. Karshi boshnjakëve, kroatëve. E sidomos karshi të ashtuquajturës demokraci e fuqishme perëndimore.

Tani pas disa viteve, përkundër që nënshkruesit e këtyre marrëveshjeve janë burgosur, dënuar për gjenocid e krime, del që të gjithë e kanë përfunduar me sukses misionin. Ata janë realizuesit e planeve të akademisë së tyre të shkencave. Adhurohen nga populli i tyre, publikisht apo në heshtje. Ata janë kriminelë, por në të njëjtën kohë, heronj.

Veriu e Jugu

Përjashtim nuk bën fare as situata e krijuar që sa vite në veriun e Kosovës. Ndërkohë diplomatët evropianë, bile edhe ata amerikanë nuk dëshirojnë t’ia dinë për komunat shqiptare në Serbi, për spastrimin e pandalshëm etnik që ndodh atje. Për ata i rëndësishëm është akomodimi sa më i mirë i nacionalizmit serb në veri të Kosovës. Nuk duan t’ia dinë se mu këtë projekt e kishte planifikuar politika hagiane e Millosheviqit dhe të njëjtin po e shtyn para politika pseudo-evropiane e Tadiqit.

Në të vërtetë, serbët gjithnjë e kanë dëshiruar një pjesë të Kosovës, sepse e kanë ditur që nuk mund ta kenë të tërën. Dhe i janë përmbajtur politikës së “kërko tepër-për të marrë atë që do”. Në këtë vazhdë zhvillimesh, thashethemet e reja për veriun e vendit duket që komplementojnë thënien e Tadiqit se “nuk mundet që njëra palë të fitojë gjithçka e pala tjetër asgjë”. Në këtë rast, u prekën ose jo kufijtë, qëllimi momental i politikës serbe është vetëadministrimi politik e buxhetor i komunave veriore. Tjerat vijnë më vonë.

Ndërsa politikanët tanë të udhëzuar nga të huajt detyrohen të negociojnë për territore brenda kufijve të Kosovës. Në këto rrethana sigurisht që do të ndodhin lëshime. Prandaj marrë parasysh rreziqet, platforma e Kosovës në negociatat e ardhshme duhet të quhet “Veriu dhe Jugu”, platformë që patjetër të përfshijë përmirësimin e statusit, sigurisë dhe mirëqenies së shqiptarëve në jug të Serbisë. Në fund të fundit Kosova është shteti amë i tyre, sikur Serbia që është për serbët. Çdo gjë tjetër do ta vendoste Kosovën në disavantazh negociues.

Evropa sizifiane

Serbëve nuk iu pëlqen asgjë që ka të bëjë me Kosovën. Ata janë mësuar të konsiderojnë veten e tyre “të veçantë”, “të përzgjedhur”. Si pakicë, të sundojnë shumicën. Dhe kështu të përkëdhelur nga perëndimi ata duan të kenë primatin jo vetëm aty ku jetojnë, por edhe në rajon.

Perëndimi në vend që t’ua tregojë vendin një herë e mirë, vazhdon të dëgjojë teket e tyre, duke mbyllur sytë e veshët para faktit që ishte pikërisht populli serb që inicioi luftën që nga Kosova në të gjithë Jugosllavinë. Diplomacia inerte evropiane nuk arrin/dëshiron të shohë vazhdimësinë e mendësisë hegjemoniste në politikën e sotme serbe, por edhe më tej e ushqen atë në llogari të popujve të dëmtuar.

Politika vendore në Kosovë, si pozita dhe opozita, duken të bindur kundrejt arsyetimeve të ndërkombëtarëve, që gjoja e vetmja rrugë është kompromisi. Që në përkthim të lirë do të thotë: tkurrje territoriale.

Është e habitshme se si tërë investimi ushtarak e politik perëndimor (duke lënë anash çmimin e paguar nga popullata lokale), vihet në pikëpyetje kur vjen momenti i dialogut apo marrëveshjeve politike me serbët. Një shtet që vazhdimisht ka shkaktuar luftëra e vuajtje tek popujt fqinj, nuk mund të kërkojë asgjë. Nuk mund të llogaritet palë e barabartë në bisedime, sepse aty qëndron edhe qëllimi, të pozicionohet fort e të kushtëzojë.

Në gjithë zhbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, ka një të vërtetë të hidhur. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të harrojnë se fituan ndonjëherë ndaj Serbisë nacionaliste. As në kohën e luftërave, as tani në paqe. Sepse ajo vazhdon të mbajë penjtë e dy shteteve të pavarura, Bosnjës dhe Kosovës.

“Triumfalizmi”


"Triumfalizmi"

“Drejtësia u vu në vend” – ishte kjo fraza e përcjellur gojë më gojë nga të gjithë, pas lajmit për likuidimin e Bin Laden. Që nga presidenti amerikan Obama, kryeministri kanadez Harper, presidenti Topi, ambasadori Arvizu, presidentja Jahjaga e shumë liderë tjerë botërorë e lokalë. Duket se dhënia e kumtit nuk ka ndryshuar shumë nga e kaluara, kur lajmëtari dilte para turmës dhe sillte lajmin për fitoren apo humbjen e ushtrisë në betejë. Dhe derisa dikur lajmi ipej nga një maratonomak që vinte direkt nga beteja, në demokracitë moderne vetëm njerëzit e rëndësishëm e shijojnë emocionin e triumfalizmit, dhënien e lajmit të pritur gjatë. Se mbi çdo gjë tjetër, duhet ushqyer turmën. Më e çuditshme është kur kjo ndodh në një demokraci të zhvilluar si ajo e SHBA-së. Vendimi që vetë Obama të ishte lajmëtari për vrasjen e shumëpritur, e jo një zyrtar tjetër amerikan, qoftë edhe ushtarak i lartë, si dhe përtej këtij momenti, sjellja që bëri Uashingtoni zyrtar ndaj reagimit të opinionit publik, ngre shumë pikëpyetje. Normalisht lajmi për vrasjen e Bin Laden u pasua menjëherë me kërkimin e provave nga opinioni i gjerë botëror. Dhe po pastaj, arsyetimi se “ne nuk mbajmë trofe në duar” për të provuar kështu me fakte vrasjen e Bin Ladenit, sikur qëndron në disproporcion me reagimin euforik të Shtëpisë së Bardhë të ditëve më parë. 

Turmat
 
Të festohet kjo ngjarje në mënyrën se si e bënë amerikanët në Nju Jork dhe Uashington mbi të gjitha nuk ishte mënyra më civilizuese. Se nuk bëhej fjalë për një ndeshje sportive. Në atë mënyrë nuk u bëhej respekt as viktimave të 11 shtatorit. Me ato festime nuk u zhbë gjë dhe as bota nuk u bë më e sigurtë. Sigurisht që dëmet e 11 shtatorit ishin të mëdha. Përtej humbjes njerzore dhe asaj materiale më së shumti u dëmtua prestigji, egoja e Amerikës. Por festimet dhe thirrjet e turmave, qofshin spontane ose të mbështetura nga qeveria nuk dhanë mesazhin e pritur, nuk treguan pjekurinë e popullit amerikan, por treguan situatën në të cilën ndodhet kjo shoqëri, pasigurinë e saj në tërë këto vite dhe nevojën kaq të madhe për t’u kapur pas një fitoreje simbolike, sado të vogël, qoftë edhe eliminimin e një terroristi.
Euforia dhe festimet do të ishin më të kuptueshme, sikur Bin Laden të kapej apo vritej shpejt pas 2001-ës. Por tani, kur për shkak të moshës si dhe konsumit, ai edhe mund të ishte zëvendësuar nga pasardhësit e shumtë ideologjikë.
 
Bin Ladenët e Millosheviqët
 
Nuk duket punë e vështirë të përcaktohet nëse likuidimi fizik i një figure markante e një sistemi e ideologjie të caktuar, të cilësohet si fitore e vogël apo fitore e vërtetë. Vetë këto figura, më shumë se krijues të ideologjive, janë të zgjedhur të momentit të këtyre ideologjive të brumosura mirë e mirë që me kohë. Një figurë simbol duhet ta ketë çdo sistem, qoftë demokratik apo tiranik, por se sa të përkohshme janë këto figura tregon fakti se çdo devijim nga rruga e trasuar u ka kushtuar pozitën brenda për brenda ideologjisë. Për më tepër, sikurse simbolika që bartin këto figura, poaq mbetet simbolik edhe eliminimi i tyre. Kohët kanë treguar që ideologjitë nuk shuhen me eliminimin e figurave të tyre, ngaqë çdo ideologji është pjesë e një procesi që kërkon kohë për konsumin e saj, pa marrë parasysh kush qëndron në krye.
Simbolika e figurave në kohët moderne në secilën shoqëri ka një skadencë të përshpejtuar për shkak të ngopjes konstante të opinionit me to, duke bërë që një figurë e re lehtësisht të zëvendësojë një të vjetër.
Për këtë, njerëzimi nuk mund të festojë vdekje simbolesh duke parë që trashëgimia e tyre e lënë pas është hiperbolikisht më e rrezikshme. Si në rastin e Millosheviqit kur arrestimi, dënimi i mundshëm apo edhe vdekja e tij nuk duket se i ndihmoi popujt e ish-Jugosllavisë të harrojnë dëmet enorme dhe pasojat që po vuajnë edhe sot për shkak të ideologjisë së shtetit të tij. Faktet tregojnë se me vdekjen e Millosheviqit, as sot e kësaj dite Serbia nuk u bë një shtet më i mirë. Ndaj askujt. Prandaj, derisa një ideologji e rrezikshme është ende aktive, më shumë se çdo gjë tjetër, duhet të kihet kujdes. Se një Millosheviq e Bin Laden, në mos për t’u dënuar apo vrarë, një ditë do të vdisnin dosido. Ndërsa ideologjitë e tyre ende jetojnë e kultivohen, me apo pa figura simbole…

Era shtet


Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Gjykata Kushtetuese

Dhe Gjykata Kushtetuese sërish dha fjalën e saj. Për çështjen e njëjtë. Presidentin e Republikës. Dy herë brenda gjashtë muajsh, për dy shkelje, efektet e të cilave patën trazuar dhe sërish pritet të trazojnë fort zhvillimet konstitucionale në vend. E shpejtë, e pavarur e profesionale, e kështu ligjërisht e fuqishme, për një gjë është e sigurtë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës po kthehet në ankthin 24-orësh të politikës kosovare. Në murin e pakapërcyeshëm për të dy presidentët e fundit. Në plangprishësen e kokëfortën kundrejt vendimeve e procedurave të logjikës “unë jam ma i forti”. Një vendim i drejtë, gjë e mirë për Kosovën, që absolutisht nuk duhet të përkthehet si i qëllimshëm kundrejt figurës së presidentit apo atyre që e sollën aty. E tërë kjo ka të bëjë me mënyrën. Sepse në rendin e bërjes së gjërave gjithmonë duhet patur kujdes, mënyrën.  

Dëm e fitore

Çka fitohet e çka humbet, është e vështirë të nxirren përfundime të menjëhershme. Se a do të ketë kapërcim taktik të tipit dellian e blerje vote nën presion për të dalë nga kjo situatë e re, apo një kthim në pikën fillestare, kompozicion të ri politik apo edhe e fundit fare, zgjedhje të reja, mbetet të shihet.

Tash për tash, efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mund të jenë të dhimbshme sidomos për opinionin publik, që pas muajsh të tërë cirku zgjedhoro-politik, do i duhet sërish të rikalojë nëpër të. 

Ndërsa në aspektet afatgjata, efektet janë shumë pozitive për të gjitha proceset e demokratizimit e të shtetndërtimit. Këto vendime të një institucioni që po jep shenja të konsolidimit e pjekjes konstante, nuk duhet parë si fitore e opozitës, apo kundërshtarëve tjerë të qeverisë, por si NDALESË edhe për vetë opozitën, nëse nesër i futet rrugëve joligjore për arritjen e qëllimeve politike. Në të njëjtën kohë, një vendim i tillë është i shëndoshë edhe për vetë pozitën, sepse nesër kur të mos jetë në pushtet, një Gjykatë Kushtetuese efikase e profesionale në vendimet e saj, do t’i mbrojë nga shkeljet e mundshme. 

Mësimi

Shtyrja e pavarësisë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2009, si dhe zgjedhjet politike për udhëheqësit e institucioneve të pavarura, i kanë bërë shumë dëm Kosovës. Këtë më së miri na e dëshmon dhe mëson roli i Gjykatës Kushtetuese në vendimin për presidentin Sejdiu dhe për presidentin Pacolli, se askush nuk e ka të garantuar pozitën e tij, sidomos kur bëhen shkelje, qoftë edhe proceduriale. Se të gjithë duhet të kenë frikë nga ndëshkimi, në këtë rast ndëshkimi kushtetues e institucional. Kjo e bën një qeveri që të mos krekoset parakohe për numra votash të mjaftueshme, për dominanca e mazhoranca, për qeverisje të garantuar e të kontrolluar si t’ia dojë qejfi, nga poshtë-lart.

Poashtu gjithë spektri politik të nxjerrë mësim të shpejtë nga kjo, duke bërë reforma brenda përbrenda partive në emër të zhvillimit, suksesit, e jo në emër të lavdive të kaluara e patriotizmit tashmë të konsumuar. Sepse një ofertë e dobët politike, po, mund të sjellë një instant-qeveri dhe një instant-president, por edhe një instant-largim.

Në këtë vazhdë zhvillimesh, edhe institucionet tjera bartëse të drejtësisë e pushtetit ligjor të marrin shembull e të motivohen për marrjen e vendimeve të forta e të drejta, që në fund të fundit janë të rëndësishme për demokracinë, popullin, për të cilin edhe janë krijuar.

Besimi

Si me asgjë tjetër, përditshmëria e shoqërisë në Kosovë karakterizohet nga mungesa e besimit. Besimit në vërtetësinë e institucioneve, besimit në zgjedhjet e lira politike, besimit në projektet e qeverive për bërjen e Kosovës.

Të kritikuar rëndë për një sistem ligjor të dobët, për gjykata jofunksionale dhe të ndikuara skajshmërisht nga politika, më shumë se kurrë, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese japin sinjal të qartë për kthimin e mundshëm të besimit. Kthimin e besimit te qytetarët, duke mos lënë anash edhe nevojën për kredibilitetin rajonal dhe më gjerë në Europë. Besimin se vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese mbajnë aromë pavarësie dhe profesionalizmi. Aromën e shtetit të Kosovës.

GAGA-izmi shqiptar


Kosova & Shqipëria - Going GAGA

 Të reklamosh apo bësh branding për të promovuar vendin është një investim i rëndësishëm. Sidomos në kohët moderne kur të gjitha shoqëritë qoftë ato në zhvillim apo ato të zhvilluara bëjnë shumë për imazhin e tyre. Kosova e Shqipëria s’bëjnë dot përjashtim në këtë lojë imazherie. Por për dallim nga shtetet tjera demokratike ku përgjegjësitë për promovim të imazhit janë të ndara në mes qeverive dhe komuniteteve të artit, në Kosovë e Shqipëri ndodh e kundërta.

Kryeministri i Shqipërisë ka muaj të tërë që përmend emrat e yjeve botëror me qëllim promovimin e Shqipërisë para botës. Dukej shumë entuziast në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Ministrave apo në Kuvend prej nga sinjalizonte mundësinë e prurjes së emrave të famshëm. Por përkundër të gjithave momenti i përfolur nuk erdhi. Nuk erdhi se gjërat nuk vajtën si duhet. Skandalet e korrupsionit dhe krizat e thella politike s’lanë vend për festime. Në fund të ditës qëllimi i vërtetë i gjithë kësaj historie ngjan sikur të jetë tjetër. I dyfishtë. Sigurisht, për opinion e brendshëm, sepse amullia dhe konfuzioni në të cilin vërtitej realiteti duhej të pudrosej me titujt “Beyonce në Tiranë” apo “Gaga në Durrës”. Si dhe për opinionin e jashtëm, se gjërat në Shqipëri ecin në rregull.

 Gjetja e ideve për promovimin dhe reklamimin e vendeve, kauzave, ka vështirësitë e veta, sidomos në një kohë kur shoqëritë e zhvilluara kanë avancuar dhe pothuaj kanë konsumuar idetë si këto. Që një ide të jetë e qëlluar dhe të godasë aty ku duhet, kërkohet kreativitet dhe gjetje origjinale. Por problemi qëndron pikërisht këtu. A mungojnë ekspertët shqiptarë kreativë për të gjetur formulën e duhur të promocionit. Apo na mjafton një ide që vjen nga Lindja e Mesme dhe shoqëritë me diktatorë në rënie, që me blerje milionëshe të këngëtareve që përdridhen tentojnë të tregojnë se sa mirë i kanë punët e sa demokratikë janë.

Gaga-idetë

Idea e ngjashme që po qarkullon ditëve të fundit edhe në Kosovë, për sjelljen e emrave të famshëm të muzikës botërore, më shumë se çdo gjë tjetër ngre shumë pyetje. Vërtet, për çfarë promocioni ka nevojë Kosova tani? Dhe a është kjo gjetja e duhur?

Në kulturën urbane, prurjet e yjeve e bendeve muzikore me nam janë pjesë e një procesi të vazhdueshëm zhvillimor social e kulturor të shoqërisë. Përkundër numrit të madh të rinisë shqiptare dhe nevojës për evente artistike të mëdha, prapëseprapë këto aktivitete nuk duhet të jenë punë qeveritarësh. Ka kohë që të rinjtë entuziastë në Prishtinë e Tiranë me sukses kanë sjellur yjet e muzikës botërore, prandaj këto prurje nuk do të përbënin lajm. Mbase brenda Ballkanit dhe vetëm kaq.

 Imazhi i dy shteteve tona nuk përmirësohet pse vjen Rihana në Tiranë, sepse që të nesërmen sërish nëpër ballina do shfaqen tituj me lajme jo të mira nga Shqipëria. As Venezuela, Spanja e Irani nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës meqë erdhi Shakira apo Gaga në Prishtinë. Dhe sigurisht as Catherin Ashton s’do të pyeste se si ia kaluam me pop-yjet! Sepse yjet e muzikës nuk e çrrënjosin korrupsionin, nuk bëjnë reforma e shtet ligjor nga skena e muzikës live. 

Gaga-Produkti

Dy qeveritë shqiptare me shefat e tyre në krye na shfaqen kontraverse e të papjekura në vendimet dhe mënyrën se si menaxhojnë me mjetet publike. Dhe gjithnjë e më shumë po ngjajnë me nëra-tjetrën.

Fytyra e mirë e një vendi propagohet me transparencë qeverisjeje, zgjedhje normale, me fushata milionëshe lufte kundër korrupsionit e trafikut, me programe milionëshe në edukimin e ekspertëve të shumë fushave, kuadrove mjekësore, inxhinierëve. E çka është më e rëndësishme qeveritë duhet të orientohen në zhvillimin e produktit, brandit shqiptar, e jo gaga-produkteve. Bashkimi Europian dhe bota vetëm në këtë mënyrë bindet se qeveritë po punojnë si duhet. Dhe integrimi, njohjet s’do të vonojnë.  

Gaga-qeveritë

 Zhvendosja e vëmendjes së opinionit publik nga aktualiteti i vrazhdë shqiptar ka hyrë zyrtarisht në politikën ditore andej e këndej kufirit, dhe si fenomen ka modelet e stërkequra gjithandej nëpër botën e tretë. Që ka humbur sensin moral dhe estetik në paraqitjet e liderëve tanë para masës, është e vulosur. Mungesa e ndjeshmërisë dhe deri diku e injorancës së medias në trajtimin e këtij gagaizmi politik u jep hapësirë të mjaftueshme veprimi ideatorëve jokreativë të këtij marketingu joprofitabil.

 Ndërkohë gaga-qeveritarët të kenë kujdes se mos një ditë to të përfundojnë në gjykata keqpërdorimesh, e pastaj Beyonce e Shakira do t’i mohojnë ato para, apo do t’i japin për bamirësi sikur po ndodh kohëve të fundit. Sepse në fund të fundit yjet duhet të sillen për të festuar suksesin, e kurrsesi për të maskuar dështimin. 

 Kjo po që do të ishte “qershia mbi tortën” e imazhit shqiptar.

Uglar 2011


 

Uglar 2011

E shëmtuara përsëritet

Ishte Mars i vitit 2004 kur fëmijët shqiptarë nga Mitrovica u kërcënuan, u ndoqën e u mbytën në lumin Ibër. Pas kësaj pati një reagim spontan që çoi në shkarje situate në atë që më vonë u quajt si Marsi 2004. Ishin vet qytetarët serbë që ndezën fitilin, dhe po ata që përfituan më vonë nga reagimi i shqiptarëve.

Mars 2011. Skenar i ndryshëm, i vdekur po një fëmijë shqiptar. Një djalë i vogël me ëndrra të mbetura peng. Peng i një vrasësi “të panjohur”. Peng i përgjegjësive tona, të secilit qytetar e pushtetar të Kosovës. Ka qenë e thënë të ndodhi kjo, se kështu paska dashur Perëndia. Së paku sipas Presidentit të Kosovës! Vrasësi (nuk) dihet. Autoritetet heshtin e s’guxojnë të marrin masa. Se kështu e do puna. Sipas Ministrit të Brendshëm. Që të bën të besosh se po të mos ishte për mjetet e informacionit, ne as që do të mirrnim vesh se kjo vrasje kishte ndodhur. Kjo, për hir të stabilitetit, për hir të kushedi çfarë. Nuk reaguan mediat ndërkombëtare, askush nuk përshëndeti heshtjen, përmbajtjen shqiptare. As në BE, Kombe të Bashkuara. Se kur serbët vrasin, qoftë edhe fëmijë që prejnë dru për bukën e gojës, duhet të rrimë urtë. Ndërsa po të ndodhte në të kundërtën?  

 Të djegur

Sjellja e butë e autoriteteve kosovare ndaj këtij rasti si dhe reagimi i vakët i shoqërisë civile, është shumë i habitshëm dhe skandaloz. Armët ekzistojnë gjithandej nëpër shtëpitë e serbëve, KFOR hesht. Policia e Kosovës “ruan” stabilitetin duke u lënë atyre në duar arsenale të vërteta armësh.

Kush u dogj me të vërtetë në gjithë këtë? Zemra e një nëne të vuajtur, apo shumë më tepër. Sigurisht që shumë më tepër. U dogj besueshmëria! Besueshmëria e autoritetit shtetëror. E figurës së Presidentit, që në mënyrën më naive e bestytnore zhvendos shkakun e ngjarjes në ” Perëndia ka dashtë”. U dogj besueshmëria e Policisë, e cila reagon me qetësi e  indiferentizëm aspak bindës. U dogj edhe një herë besueshmëria e zyrave ndërkombëtare, të cilat me stopimin e aktiviteteve ligjore të Policisë së Kosovës ndaj serbëve të armatosur, kanë cënuar dhe po cënojnë vazhdimisht sinqeritetin në punën dhe paanësinë e misionit të tyre.

 Faji

Humbja e jetës së të riut nga Uglari, edhe një herë shenjon mirë realitetet e përditshmërisë kosovare. Gjetja e fajtorit të vërtetë nuk ndërlidhet vetëm me identifikimin e vrasësit apo motivin e këtij akti, qoftë ai etnik apo tjetër. Është më e thellë, gjithëpërfshirëse.

Të mbijetosh varfërinë, me rrezikun e përhershëm të humbjes së jetës, për më tepër jetës së një fëmije rëndon drejtpëdrejt mbi keqpërdoruesit e Kosovës. Dhe atë nga keqpërdoruesit e vegjël e deri te keqpërdoruesit e mëdhenj. Që nga 1999 e deri më sot. Vjedhjet masive, shpërlarjet e parave, keqmenaxhimi me mjetet financiare, paranë publike dhe çdo punë e bërë keq nga drejtuesit e pozitave në politikë, biznes e administratë janë fajtorët e vërtetë të këtyre ditëve. 

Rasti i Uglarit duhet shikuar edhe përtej perdes etnike. Shkaqet janë më të rënda dhe bëjnë me gisht nga ne. Serbi mund të jetë fajtor për vrasjen, mund edhe të burgoset, por si t’ia bëjmë me fajtorët që çuan një fëmijë drejt malit, vdekjes?! Pasurimet anakronike multimilionëshe nga njëra anë dhe humbja e një jete të re në luftë për kafshoren e bukës, flet mëse mjaftueshëm. 

Kjo ngjarje mund të ketë lidhje me çdo gjë, por vetëm me Perëndinë, JO!

“Allahu Ekber”!?


"Mos ma kthe me t'keq"

Në marëdhëniet njerëzore, kur dikush ndihmohet nga tjetri, normalisht që është i pritshëm edhe falenderimi apo shpagimi ndaj asaj të mire. Ndërsa në situatat kur shpagimi është praktikisht i pamundur, në kulturën tonë popullore ekziston një thënie e moçme dhe shumë domethënëse, “mos ma kthe me t’keq!”. Thënie kjo me nënkuptim të caktuar, shpesh të dyfishtë, po që tingëllon sipërfaqësore dhe jo fort e dëshiruar për veshin e njeriut.

E pikërisht tani po përjetojmë ndjesinë sikur ai “falenderimi” ynë i vazhdueshëm për një të mirë të madhe u shkërmoq, e disi u zhbë brenda minutash. Që në një mënyrë ngjan sikur vërtet “e kthyem me t’keq”.

 Lajm i keq

 Askush nuk tha që “një banor gjerman vrau ushtarët amerikanë…”! Të gjithë e thanë, madje me zë të lartë se vrasësi ishte nga Kosova, mysliman dhe kishte thënë: “Allahu Ekber”. S’mund të ndodhte ndryshe, anipse i riu nga Mitrovica mund të ishte shtetas apo banor i përhershëm gjerman. Ai tekefundit ështe shqiptar dhe ç’është më e keqja kreu krim me një skenar të tmerrshëm, që as mendjet më pjellëkëqija të Beogradit nuk do dinin ta stisnin.

Dukej si shakaja më e keqe. Që doli e vërtetë! Sa shokuese. Sa e papranueshme. Lajmi më i hidhur i radhës, në vazhdën e lajmeve hiç të mira që kanë të bëjnë me Kosovën tash e sa muaj. Epizodi më tragjik në marëdhëniet Kosovë-SHBA.  

Mos na vrisni 

Populli shqiptar i detyrohet shumë miqve të tij perëndimorë. Historia e ka treguar këtë që nga ekzistencializmi i Shqipërisë e deri te historia moderne e Kosovës. Sigurisht, ne nuk kemi kapacitete ekonomike dhe burime natyrore për t’u kthyer miqve tanë të mirat që na kanë bërë. Ne as nuk notojmë në naftë, që të joshnim amerikanët për investime të tyre, për t’ua shpaguar mundin politik e ushtarak. Biles as ata nuk kanë pritur e as nuk po presin që ne t’ua kthejmë të mirën, falenderimin. Për miqtë tanë amerikanë falenderim do t’ishte që ne të bëhemi të mirë e të suksesshëm për veten, jo për amerikanët. Të punojmë mirë për veten, jo për amerikanët. Të forcojmë veten, të zhvillojmë veten. Jo amerikanët.

Tash çka t’u themi atyre? Çka të presin nga ne? Të arsyetohemi se ishte vetëm një rast i izoluar dhe se rastësisht dorasi na paska qëlluar të jetë shqiptar?

Apo ndoshta duhet të presim që miqtë tanë amerikanë të na kuptojnë, të mbyllin sytë e të na kërkojnë vetëm diçka. Që në vend të falenderimit, së paku të MOS I VRASIM! Jo për diçka të tillë!

Por ka ndodhur. E frika është që do të ndodhi sërish sepse kjo mënyrë sjelljeje e shqiptarëve ka filluar të lëshojë rrënjë e të marrë formë gjithnjë e më shumë.

 Homazh

Kosova u godit sërish. Në ditët kur më së paku pritej. Dhe në këtë rast nuk u godit nga jashtë, nga Serbia, por u godit nga brenda, vetvetja. Akti i vrasjes së tmerrshme përbën lajm në çdo faqe gazetash ndërkombëtare, faqe interneti, zyra diplomacishë. Dhe pothuaj në çdo rast përmendet edhe Kosova, sepse ishte një kosovar në pyetje. Ky është rasti më tipik kur vepra e një individi nuk dëmton apriori vetë individin por dëmton mbarë një shoqëri, shtet të tërë. Kjo ngjarje na njollos të gjithëve sepse nuk është vrasje me motive të ulëta, apo vrasje e lidhur me një krim ordiner. Por, janë vrarë pjesëtarë të ushtrisë amerikane. Ushtri për të cilën dikur një popull i tërë jemi lutur të na shpëtojë e çlirojë nga armiku gjatë ditëve më të vështira të ekzistencës tonë. E ajo na shpëtoi, çliroi e vazhdon të na mbrojë. 

Më e keqja në gjithë këtë histori është se ky akt nuk përbën një rast të izoluar. Shembuj aktesh me motive të ngjashme kanë ndodhur edhe më herët. Ky është një tregues i qartë se në çfarë labirintesh të qorrta po shkon shqiptarizma jonë.

Ngushëllimi i familjeve të ushtarëve apo një dënim retorik verbal i aktit është i pamjaftueshëm e pokaq patetik. Një homazh për të vrarët nuk arsyeton gjë.

Ajo që tani më së shumti ka nevojë për një homazh, është vetë Kosova.

V5 Vota – Vjedhja – Vetëmohimi – Vetëvendosja – Vikiliks


       

Vota - Vjedhja - Vetëmohimi - Vetëvendosja - Vikiliks

Vota – Vjedhja – Vetëmohimi – Vetëvendosja – Vikiliks

Është e çuditshme se si shume fjale, pergjithesisht te nderlikuara, te veshtira e te diskutueshme ne dometheniet e tyre nisin me shkronjen ‘v’. Eshte kjo nje rastesi, apo e thene per te qene, nuk e di. Por di qe te gjitha keto lidhen ngushte ne kompleksitetin e Kosoves se sivjetshme. Kosoves se vitit 2010.

 Vota

Kjo eshte vota: nje leter e thjeshte qe pret vetem nje gjurme lapsi, per t’u rikthyer mepastaj ne bartesen e fateve te nje shoqerie.

Shume nga ne menduam qe tashme e kishim ndertuar nje raport te shendoshe me voten, shpesh duke u tallur me kutite e votimit te Rames e Berishes. Por doli te jete bindje e gabuar. Ne ne mes vetandej e ketej ‘kufirit’ dallojme pak ne menyren e te berit te gjerave. Por dallojme shume ne menyren e reagimit. Mungesa e sharjeve te renda publike, dhe rrahjet masive te zgjedhesve, nuk e bejne situaten me te kendshme aspak.

Ne tere kete prapakthim edhe analizat duken patetike. Por patjeter qe dicka duhet te thuhet. Per veten, ne mos per te tjeret. Se, nuk me behet vone cka thote Europa per kete. Kush merzitet per ta. Nuk e mendoj qe ata jane djeme me te mire apo me te ndershem se ne. E kam me vetveten, rinine, popullin. Ne dijme, mundemi dhe meritojme me shume se sa ku jemi tani.

Vjedhja

Korrupsion! S’me pelqen si shprehje. Jo per tjeter, por kemi nje me te mire, me te drejtperdrejte, vjedhje. Pasi u be qe sa kohe, u diktua, u publikua, iu perplas zyrtarisht ftyres se aktereve kryesore-prape nuk ndodhi gje. Akteret, jo qe vodhen ç’munden deri me tani, ata tashme e vodhen edhe voten! Edhe pa pike skrupulli. Sa tronditese, ngulfatese, plasese. Po po, plasese! Kjo eshte. Kujt po ia bejne kete? Kujt? Kujt?

Vetëmohimi

Pse nuk u protestua ne momentin kur u publikuan raportet per vjedhjen ne Kosove nga organizatat nderkombetare? Mos populli kishte vjedhur vete, dhe s’bente ze? Sigurisht qe jo.

Pse kurre nuk u protestua per papunesine, terrin, familjarizmin e moszhvillimin? Pse? Perderisa studentet ne Angline e pasur e te zhvilluar e rrezikojne edhe vete familjen mbreterore me protesta ne rruget e Londres, pse rinia jone vetemjaftohet me realitetin?

Pse nuk protestohet tani kur njefar Dik k… akuzon per trafikim organesh UÇK-ne? Kryeministrit tone s’do ti prishej qejfi ne kete rast. Se thote: po akuzohet lufta e popullit shqiptar! Po a do t’i prishej atij qefi, nese ky popull do ta gjuante me gure, akuzonte dhe denonte per korrupsionin e deshmuar ne kohen e qeverisjes se tij dhe vjedhjen e paprecedente te votave? Sigurisht qe po!

S’do mend qe zgjedhja jone qe beme dhe po bejme, per te heshtur, se jane te tjeret qe do t’na nxjerrin nga lloçi, se do te pike dikush nga qielli qe t’na qeverise ndershem, nuk ka te beje asgje me vetedijen e perparimin, por thjesht me vetemohimin, regresin.

Vetëvendosja

Ne fillet e saj dukej si tendencioze, si e tejmbushur me patriotizem e diletantizem, si kostum i papershtatshem per prerjen europiane te Kosoves. Na pelqenin, por tashme kishim nje dashuri te re, te madhe. Europen! Dhe gjithçka qe bente ajo me Kosoven ishte e pranueshme. E te gjithe shushatnim. Se s’kishin c’benin me shume partite, politikanet. Arsyetohej varferia, arsyetohej papunesia, arsyetohej terri! Se shushatja, thene te drejten na ishte mbjellur me kohe, nga rezistenca kundrejt shtetit me monstruoz te Europes. E eshte pikerisht Vetevendosja qe guxoi dikur, Vetevendosja qe po guxon edhe tani. Vetem se per ironi te fatit tani lufton per te vendosur vete ekzistencializmin e ketij shteti ne rruge te drejte. 

Se sa fitoi, si ia doli, sa do te nderroje menyren e berjes se gjerave nga brenda parlamentit, se si do t’i pershtatet Kosoves europiane, mbetet te shohim. Por dicka ka arritur:

– Qe mos ta lere indiferentizmin te futet deri ne strukturat e ADN-se sone, si dhe

– Te pasuroje fuqishem aktualitetin mbareshqiptar me kete koncept sa te vjeter e te ri.

Vikiliks

Sa pamje bajate qe kishin ato kabllogramet e Wikileaks. Sigurisht, meqe jane te natyres sekrete e konfidenciale, s’duhet te jene te stilizuara, sepse nuk jane per shitje, e per pasoje as per ekspozim masiv. He!

Bota po ndryshon cdo here, ne kohe dhe hapesire. Shembujt e Vikiliks jane kurajuese mbi te gjitha. Edhe nese kjo organizate nuk do ta ndryshoje Ameriken, Europen, Rusine, boten, nje gje e beri. Per nje kohe i ç’sekretoi, i ç’konfidencializoi, ua hoqi breket qeverive. Dhe popujve u dha nje mesim. Se s’duhet qene konformiste edhe nese jetohet ne shoqeri te zhvilluara e moderne. Se per shoqerite ne zhvillim as mos te flasim! 

 V5

Kosova duket te jete vertete arene ndryshimesh, te mirash e keqijash, goditjesh e kundergoditjesh, qofte nga jashte, qofte brenda vete saj. Arene e Vjedhjes  se Votave, shperlarjesh parashe, target akuzash tronditese. Te mos permendet varferia e vuajtjet e popullit… 

Ç’ti behet?

Duhet te reagojme. Nuk duhet te rrime urte, te behemi pjese e ketij Vetëmohimi. Nuk duhet te presim ambasadorin amerikan te thote ‘votat u vodhen’, se ai thote, por mund ta beje shkarazi, ashtu si edhe beri! Neve s’duhet te na bejne pershtypje heroizmat e militantizmat qe s’na cojne kund. Studentet, te diplomuarit, papunet, gjithe populli te veprojme. Duke ua bere te pasigurte pushtetin kujtdoqofte, qofshin ata te krahut te luftes, paqes apo neser te vete Vetëvendosjes, nese nuk bejne punet si duhet. Nuk duhet te presim Vikiliksin te vije te pergjoje, te dokumentoje per sherret, hajnite, e keqperdorimet ne tere sistemin tone. Ne i dijme tashme te gjitha. Ne jemi populli. Jemi zeri!

Pa Viza-Me Viza


Standardet e Shumefishta

Waiting is = Forbidden

Gjysma e popullit shqiptar do te levize pa viza drejt Europes qe nga 15 Dhjetori, derisa pjesa tjeter do te vazhdoje te diskriminohet pa ditur edhe sa kohe. Pritjet ishin kaq te medha, vuajtjet e qytetareve poashtu. Europa luante gjate gjithe kohes me standardet dhe kushtezimet e panevojshme derisa nje dite vendosi te thote: Po! Nuk tha Po ne te njejten kohe kur i tha Malit te Zi, Serbise e Maqedonise, por rreth nje vit me vone. A do te ndodhe pas nje viti edhe per Kosoven, apo do shkojne 3, 4 apo 5 vjet sic pret shumekush. A duhet kuptuar kjo si nje kerkese e patjetersueshme per plotesim standardesh europiane apo thjesht nje vendim politik i Europes, e cila deshiron qe te tregohet zemergjere karshi rajonit?

Nese eshte e para, ka hapesire per kundershti. Pse Shqiperia u la pas vendeve te rajonit? Shqiperia nuk u be me e pasur pas nje viti, nuk hapi qindra mijera vende pune brenda nje viti. As Maqedonia nuk ishte shume me mire, sikur dhe Kosova qe s’eshte keq per shume standarde karshi vendeve te rajonit, bile per shume syresh prin.

Nese flitet per zemergjeresi te Europes, prape ka hapesire per dyshime. Pse te jete zemergjere me vendet qe s’kane demokraci te vertete, vende ultranacionaliste qe ne kushtetutat e tyre vazhdojne te “mbajne” territore tashme te pavarura, vende ku diskriminohen te tjeret per shkak te perkatesise gjuhesore e etnike, ndersa po e njejta Europe te jete shume kerkuese per shtetet qe nuk diskriminojne te tjeret, qe kane kushtetuta avangarde karshi fqinjve te tyre, dhe qe nacionalizmin ia kane lene ne dore te huajve!? 

Gezim apo Deshtim

Quhet ngjarje historike, se do festohet, do kendohet. Sa femijerore dhe prapanake! Politika shqiptare vazhdon te sillet njejte si qeveria si opozita. Vjelje suksesesh politike, shfryrje inatesh, sharje, krekosje dhe ofendime-ky eshte peisazhi i perditshmerise shqiptare. Shqiptaret vazhdojne te pranojne cdo rregull nga bashkesia europiane-edhe ne qofte se jane rregulla diskriminuese (nese krahasohen me vendet fqinje), dhe primitivisht te cilesojne fitore cdo ngjarje normale, qe ndodh ne kursin e zhvillimit dhe integrimit te nje shoqerie.

Kjo nuk i sherben aspak ngritjes kombetare dhe as fitimit te respektit nga Europa e standardeve te dyfishta e shumefishta, dhe sigurisht nuk shenon as moment gezimi dhe krenarie, karshi tere ketyre puneve te pabera qe kemi.

Shqiptaret testohen nga shqiptaret

Se e kemi fatin e perbashket nuk do shume mend per ta kuptuar. Por pikerisht te trajtohesh si nje komb, nga vete Europa qe ne kete rast na fute indirekt ne nje thes te perbashket si shqiptare, pa marre parasysh a jemi nga Shqiperia apo Kosova, kjo duhet mbajtur ne mend.

“Dilni ju njehere, pa te shohim si do silleni, e pastaj shohim dhe per Kosoven!” Keshtu permblidhen pak a shume ne nje fjali fjalet e diplomateve nga perendimi europian qe kushtezojne qytetaret shqiptare, mbase pa shume skrupull, pak para udhetimit te tyre pa regjimin e vizave drejt Europes.

Paten thene se Kosova s’e meriton pavaresine sepse Shqiperia nuk po arrin te deshmoje veten si shtet funksional. Kjo deri diku kishte kuptim, dhe tmerronte qytetarin shqiptar nga Kosova dhe kudo tjeter. S’ishte gje per t’u krenuar me 1997-n, asgje per t’u krenuar per demokracine e brishte, asgje per t’u krenuar pas cdo nderrimi pushtetesh ne Tirane, pas cdo zgjedhjeje politike. 15 Dhjetori i 2010, a do te jete nje date festimesh te panevojshme per arritjet me hapa breshke, apo nje moment i sjelljes dinjitoze te qytetareve shqiptare dhe politikes shqiptare?

Me teper se vete Europa, kete sjellje dinjitoze po e presin qytetaret e Kosoves, qe perfundimisht te kene argumentin e tyre para europianeve se shqiptaret ia vlejne, se s’jemi me ngordhalaqe se qytetaret serbe, boshnjake apo maqedonas.

Sepse ne fund te fundit, shqiptaret perbejne diaspora te fuqishme, punetore e taksapagues te rendesishem prej kohesh neper shtetet europiane dhe se largimi i vizave nuk i nderon shqiptaret por fillon te nderoje vete Europen e cila kurre nuk na kuptoi drejt.

Isa-ky profet i se ardhmes!?


Pa zhurme

Erdhi si kryetar i Prishtines, pa bere zhurme, fitoi per se dyti here, pa shume zhurme…dhe tani u be kryetar partie-serish pa zhurme!

Kush eshte ky njeri?

Nje politikan prototip, atipik per Ballkanin, apo thjeshte njeri nga ata te shumtet qe meritojne te udheheqin me dicka me teper, po qe thjesht nuk paten rastin, pikerisht per shkak te ketij prototipizmi, apo pikerisht per shkak te shpineforteve Vazhdoni leximin