Posts Tagged ‘ Montenegro ’

Saint Prizren


Prizreni i Shenjtë

Saint Prizren

Kishte kaluar kohë që nuk flitej shumë për të.

Qyteti shqiptar më në zë dikur, kishte humbur shkëlqimin e tij. I përshkruar si njëri ndër qytetet më atraktivë të regjionit për identitetin e tij socio-kulturor e historik, Prizreni si pak qytete të këtij kalibri, shumë herë përjetoi ngritjet dhe rëniet e tij.

Edhe pse vazhdimisht i banuar nga etni e struktura të ndryshme shoqërore, kjo gjë, më shumë se të mira i ka sjellë kokëçarje. Kultura lokale e ndikuar dhunshëm nga kulturat pushtuese gjatë shekujve, është shtresëzuar dhe transformuar deri në kufijtë e shpërfytyrimit. Jeta e varfër kulturore e eklipsuar nga trashëgimia e pasur religjioze, e bënë qytetin të identifikohet për shumë kohë vetëm me xhamitë, kishat dhe izolimin social konzervativ.

Ndërkaq në kohët moderne u shënua një zhvillim më domethënës në artin prizrenas. Nën sistemin jugosllav përkundër mbështetjes së vogël institucionale, krijimtaria artistike filloi të konsolidohet dhe të jetë përfaqësuese e denjë e kulturës shqiptare në ish Jugosllavi. Emra të njohur, jo vetëm nga bota e artit, por shkencës e politikës dolën pikërisht nga ky qytet.

Vitet e nëntëdhjeta ishin shkatërruese dhe si çdo qyteti tjetër të Kosovës, edhe Prizrenit i hoqën mundësinë për tranzicion normal kulturor e artistik. Nuk mund të thuhet shumë as për vitet e pasluftës, prej kur Prishtina dominoi në organizimet e festivaleve të filmit e teatrit. Mungesa e besimit, fondeve si dhe zhvendosja e krijuesve drejt Prishtinës lanë qytetin të mjaftohet vetëm me bukurinë, tregtinë e trashëgiminë e shenjtë fetare. Elemente këto, të rëndësishme, por jo të mjaftueshme për ta kompletuar profilin e merituar të qytetit. Të një profili aktual, dinamik dhe përmbajtjesor.

Dhe nëse i besojmë thënies se “gjërat e mira vijnë ngadalë”, atëherë, kjo po që do të vlente pikërisht për Prizrenin. Organizimi i përvitshëm dhe rritja konstante e festivalit të filmit dokumentar po i jep fund periudhës së athtë artistike të qytetit. Nuri kulturor i Prizrenit, ngadalë por sigurt po riinkarnohet. Dokufest, një gjetje kaq origjinale, po katalizon në mënyrë të përshpejtuar pozicionimin e qytetit në hartën kulturore ballkanike e evropiane.

Tashmë, në jubileun e edicionit të 10-të, festivali ka siguruar kredencialet artistike dhe komerciale të tij e të vetë qytetit. Ekonomia e vogël, gastronomia dhe zejtaria prizrenase po bëhen gjithnjë e më vibrante. Dokufesti, si asnjë festival tjetër shqiptar bën që vendi ynë të përshkruhet nëpër reportazhe e guida jo vetëm për të kaluarën e vrazhdë, por edhe për vlerat kulturore e artistike, të cilat pa dyshim e përplotësojnë peizazhin e vërtetë të saj.

Kështu, Prizreni i korrik-gushtit përvëlues po magjeps gjithnjë e më shumë banorët e tij, vizitorët e huaj, artdashësit. Njerëzit nga të gjitha ecejaket e jetës.

Me historinë e pasur, arkitekturën dhe ringjalljen kulturore, shqiptarëve, në kuptimin e plotë të fjalës po u rikthehet qyteti i tyre i shenjtë.

Saint Prizreni!

Sharmi Fetar


copyright - illyris

Konstantës agresive në rritje të zhvillimeve shoqërore në Kosovë nuk po i shpëton dot as diskutimi për ndërtimin e xhamisë për nevojat e besimtarëve në kryeqytet. E panevojshme sigurisht, përderisa deri vonë jemi ndjerë krenarë për trashëgiminë e larmishme fetare që kemi patur gjatë shekujsh. Në një Shqipëri me pothuaj 700 kisha katolike, 430 kisha ortodokse e 570 xhami gjërat duken më të relaksuara. Ndërsa Kosova me mbi 500 xhamitë e saj e me shumë pak kisha katolike, ka një prirje boshnjakëzimi e pozicionimi tekanjoz në sjelljen e disa besimtarëve të saj. E (pa)arsyeshme, e (pa)nevojshme, me pro et contra-t e veta, e gjithë kjo situatë vetëm sa e shpërfytyron sharmin fetar shqiptar.

Keqpërdorimi i fesë

Shih për këtë, askush nuk ka të drejtë që nevojën për ndërtimin e objekteve fetare ta përdorë për ekspozurë dhe ta njollosë me sjellje afektuoze, siç po ndodh këtyre ditëve në rrugët e Prishtinës. Apo të premtojë nëpër fushata se do të ndërtojë xhami e kisha, sikur bëjnë politikanët në Kosovë e Shqipëri. Shteti duhet të qëndrojë larg fesë, por njëkohësisht duhet të mbrojë fuqishëm vlerat karakteristike të shoqërisë sonë duke kontrolluar çdo veprim të dyshimtë të individëve apo organizatave që veprojnë në vend.

Tani jemi dëshmitarë të tendencës për radikalizim e imponim sidomos pas ardhjes së misionarëve dhe organizatave nga çdo cep i globit, të cilat më shumë se që kanë ndihmuar, e kanë komprometuar zhvillimin e shëndetshëm shpirtëror të shoqërisë. Kjo padyshim mund të na krijojë probleme të mëdha si shtet i ri që jemi.

Sa për referencë, një shembull tipik të tillë të zhbërjes shpirtërore kolektive e kemi fqinjin verior. Me politikën e kontrolluar nga feja, me ideologjinë kombëtare të strukturuar nga feja, e me ushtarakët vrasës të spërkatur me “ujë të shenjtë”, fqinjit nuk i mbeti më gjë për t’u krenuar. As për anën shpirtërore së paku. Se popujt e vegjël, të paktën, mbahen pas këtyre vlerave. Nuk e kanë luksin të jenë fetarë kryeneçë. Ai luks u takon shteteve të mëdha, SHBA-së, Iranit, Anglisë, Pakistanit, Indonezisë, apo Francës e Gjermanisë, të cilave u shkojnë para të majme për të menaxhuar dhe mbrojtur ideologjitë e tyre.

Kriza e besimit

Besimtarët dhe fanatikët e të gjitha feve në Kosovë, më shumë sesa për lokacionet e preferuara dhe për përmasat e objekteve fetare, duhet të shqetësohen për mënyrën se si të kultivojnë kulturën e besimit, si dhe respektin e dashamirësinë për fetë simotra. Pastaj se si të ruhen objektet ekzistente nga boshatisja dhe mungesa e besimtarëve. Nuk flitet këtu vetëm për Prishtinën, Tiranën, Prizrenin apo disa qytete tjera të mëdha që normalisht përthithin besimtarë që në fundjavë ia mësyjnë qytetit për ritet, por edhe për të shijuar të dalurit, shëtinë.

Ana tjetër e medaljes qëndron pikërisht në periferitë. Mjafton të shkohet nëpër shumicën e xhamive e kishave nëpër fshatrat e Kosovës e Shqipërisë dhe të takohesh me indiferencën pothuaj totale të shumicës absolute të të rinjve karshi riteve e besimeve, qoftë gjatë festave apo në rutinën e tyre ditore. Njëjtë mund të thuhet edhe për predikuesit moskokëçarës, të cilët shërbimin e bëjnë më shumë nga obligimi sesa nga dëshira për të transmetuar fjalën e mirë.

Xhamia e re

Në dekadën e fundit nga ndërtimet pa kriter është dëmtuar rëndë identitetit arkitekturor i pjesëve të tëra të qyteteve shqiptare. Tendenca për të zaptuar dhe jo për të hijeshuar hapësirat ku ndërtohet ka arritur kulmin. Gjithë kjo duket si garë mes ndërtuesish në kategorinë “kush ndërton më shëmtuar” sesa si zhvillim i mirëfilltë i arkitekturës.

Në rastin e ndërtimeve të banesave apo objekteve tjera administrative rregullat janë më të shpërfillshme, sepse në një kohë të caktuar ato edhe mund të largohen, ndërsa objektet e shenjta duhen trajtuar jashtëzakonisht kujdesshëm. Sepse ato mbesin përgjithmonë aty, dhe kështu nuk duhet ndërtuar kudo e dosido. Ato meritojnë lokacion dinjitoz dhe hapësirë të bollshme. Ato duhet të përkasin aty ku ndërtohen, të jenë në harmoni me objektet përcjellëse dhe të kenë gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Lokacioni i propozuar në Ulpianë nuk i ofron një xhamie atë që i duhet. E futur në mes banesash urbane shumëkatëshe e në një terren të pjerrët xhamia do të dukej si një ndërtim i zorit, i dhunshëm. Edhe ndërtimi në hapësirat universitare do t’ia humbte atyre këtë emër. Për të mos anashkaluar legjitimimin indirekt që do t’i bëhej kishës millosheviqiane e ndërtuar padrejtësisht vite më parë.

Shkurtpamësia

Kur do të vijë koha kur ne do të mendojmë e punojmë me vizion, përtej emocioneve të momentit? A i duhet Prishtinës një xhami e ndërtuar domosdoshmërisht në qendër, në një qoshe të pjerrtë apo në një hapësirë të respektueshme dhe më në periferi? Në një hapësirë ku do të përkiste, ku të kishte hapësirë të mjaftueshme për infrastrukturën përcjellëse, që të shërbente jo vetëm për t’u falur, por si një kompleks multifunksional, qoftë bashkë me Qendrën Islamike.

Kjo do t’i ofronte qasje jo vetëm ca besimtarëve meshkuj, por gjithë të interesuarve, studentëve, vizitorëve familjarë e turistëve potencialë në të ardhmen. Kështu do nderohej besimi, feja, vetvetja. Përndryshe, shkurtpamësinë e sotme s’do na e falë e ardhmja.

Nëna e mirë e keqe


"Nëna e mirë e keqe" - © illyris 2011

Edhe pse si etiketë nuk duket e pëlqyeshme, kjo, si edhe çdo tjetër gjë e vlerësueshme në diskursin shoqëror, më shumë ndërlidhet me mungesën e përgjegjësisë. Një nënë e përgjegjshme nuk mjafton të kujdeset vetëm për punët e veta, apo vetëm të ndihmojë fëmijën e saj të hedh hapin e parë, por sjellja e saj shërben si pikë reference në zhvillimin e vazhdueshëm të fëmijës dhe në këtë mënyrë suksesin dhe mirëqenien e përbashkët në të ardhmen.

Papërgjegjësia permanente politike e shtetit amë që pas rënies së komunizmit nuk ka të falur, sa për jetët e njerëzve që jetojnë brenda Shqipërisë, po aq për jetët e shqiptarëve që jetojnë jashtë saj. Skemat piramidale, anarkia, zgjedhjet katastrofike, korrupsioni elitar, abuzimet e vazhdueshme me pushtetin lokal e qendror nga e djathta dhe e majta, janë realitetet historikisht të pandreqshme që Shqipëria ka prodhuar që nga rënia e komunizmit.

Efektet

Efektet e kësaj papërgjegjësie kanë impakt të brendshëm, dhe atë në formë të mungesës së investimeve serioze, papunësisë së lartë, largimit të të rinjve e shumë dëme të tjera, gjerësisht të njohura. Nga ky disfunksionalitet i shtetit shqiptar janë prekur vazhdimisht edhe Kosova me territoret tjera shqiptare në Ballkan. Ngërçet që përjeton Shqipëria kushtëzojnë në mënyrë të pashmangshme Kosovën, shpeshherë padrejtësisht. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, të cilat mbeten të paprekura dhe të pacenueshme.

Dihet që shteti shqiptar nuk ka kursyer asnjëherë asistencën e saj në ndihmë Kosovës pa marrë parasysh në ka qenë e udhëhequr nga e djathta apo e majta. Por përtej lidhshmërisë ndërmjet dy shteteve shqiptare, qëndrojnë marrëdhëniet që këto shtete kanë me rajonin dhe Evropën, ngaqë kur është në pyetje për trajtim dhe respekt, Evropa në kuluaret e saj nuk na sheh si dy shtete të veçanta, por vetëm si shqiptarë. Dhe kur në Shqipëri apo Kosovë gjërat shkojnë keq, domosdoshmërisht shemben balancat dhe bien kredencialet e të gjithë shqiptarëve në rajon.

Shembulli serb

Serbia, shteti më i sëmurë ideologjikisht në Evropë, në konflikt me pothuaj të gjithë fqinjët, shkaktare e shumë luftërave, sërish po na jep shembuj se si veprohet gjeopolitikisht. Me tërë barrën morale për të kaluarën dhe përkundër mungesës absolute të vullnetit të politikës, e kostos nacionaliste, prapëseprapë gjeti rrugë të joshë perëndimin duke arrestuar kriminelin e radhës. Dhe për këtë do të shpërblehet nga Evropa me integrim të përshpejtuar, derisa në anën tjetër shqiptarët që patën rastin e artë që nga rënia e komunizmit, sërish, për disa vota mbeten peng i integrimit. Një integrimi kaq të nevojshëm jo vetëm për veten, por edhe për forcimin strategjik të faktorit shqiptar në rajon.

Shanset e humbura

Shqipëria edhe pse nuk ka pasur konflikte të brendshme etnike apo luftë me shtetet fqinje, edhe pse nuk ka pasur llogari të palara me Hagën, nuk i shfrytëzoi kurrë këto avantazhe. E mbetur prapa në çdo hap të saj drejt anëtarësimit në BE, e vonuar jashtëzakonisht shumë në nënshkrimin e të gjitha marrëveshjeve me strukturat evropiane jo vetëm që humbi shansin për të qenë anëtare në valën e fundit të anëtarësimit, por tani nuk mund të qëndrojë as në linjë me shtetet e mbetura.

Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë si kandidate zyrtare së shpejti do u bashkohet edhe Serbia, ndërkaq Shqipëria duket që mbeti për në trenin e fundit të integrimit, bashkë me Kosovën dhe Bosnjën. Sipas legjislacionit evropian një shtet anëtar i BE-së ka të drejtë që në mos të stopojë, së paku të prolongojë anëtarësimin e një vendi kandidat, duke kushtëzuar e përfituar për çështjet e nxehta bilaterale, sikur Sllovenia ndaj Kroacisë apo së fundmi Greqia ndaj Maqedonisë.

E se cilat do të jenë kushtëzimet që fqinjët tanë do na i bëjnë gjatë rrugës së tejzgjatur të integrimit, mbetet të shihet.