Archive for the ‘ Mediale ’ Category

Mocha serbe


Mocha serbe

Nuk ka rëndësi bontoni, trashëgimia e pasur diplomatike, se sa vuajtje sollën në rajon, apo nëse kanë të drejtë ose jo. Me rëndësi është ajo çka duan. Evropa është aty t’u bindet. Gjithmonë e gatshme t’i dëgjojë dhe respektojë ata. Diplomatët e krekosur serbë. Cilido të jetë, qoftë i përfshirë drejtpërdrejt në krime kundër njerëzimit ose jo. Qoftë Millosheviqi, Plavshiqi, Drashkoviqi e Karaxhiqi, apo Tadiqi, Jeremiqi, Ivanoviqi e Stefanoviqi. Ata vazhdojnë të magjepsin Evropën, botën.

Që nga zhbërja e Jugosllavisë, gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e së fundmi edhe në Kosovë, aftësia e tyre për ta kthyer në fitore çdo negociatë, marrëveshje apo luftë është kthyer në art të vërtetë. Në shembullin e Bosnjës fitorja është mëse e dukshme, ku nga një regjion inekzistent më parë si entitet politik, serbët nxorën një republikë. Hiç më pak se 24.857 kilometra katrorëshe. Kështu, ata dolën të jenë fitimtarët më të mëdhenj nga të gjithë. Karshi boshnjakëve, kroatëve. E sidomos karshi të ashtuquajturës demokraci e fuqishme perëndimore.

Tani pas disa viteve, përkundër që nënshkruesit e këtyre marrëveshjeve janë burgosur, dënuar për gjenocid e krime, del që të gjithë e kanë përfunduar me sukses misionin. Ata janë realizuesit e planeve të akademisë së tyre të shkencave. Adhurohen nga populli i tyre, publikisht apo në heshtje. Ata janë kriminelë, por në të njëjtën kohë, heronj.

Veriu e Jugu

Përjashtim nuk bën fare as situata e krijuar që sa vite në veriun e Kosovës. Ndërkohë diplomatët evropianë, bile edhe ata amerikanë nuk dëshirojnë t’ia dinë për komunat shqiptare në Serbi, për spastrimin e pandalshëm etnik që ndodh atje. Për ata i rëndësishëm është akomodimi sa më i mirë i nacionalizmit serb në veri të Kosovës. Nuk duan t’ia dinë se mu këtë projekt e kishte planifikuar politika hagiane e Millosheviqit dhe të njëjtin po e shtyn para politika pseudo-evropiane e Tadiqit.

Në të vërtetë, serbët gjithnjë e kanë dëshiruar një pjesë të Kosovës, sepse e kanë ditur që nuk mund ta kenë të tërën. Dhe i janë përmbajtur politikës së “kërko tepër-për të marrë atë që do”. Në këtë vazhdë zhvillimesh, thashethemet e reja për veriun e vendit duket që komplementojnë thënien e Tadiqit se “nuk mundet që njëra palë të fitojë gjithçka e pala tjetër asgjë”. Në këtë rast, u prekën ose jo kufijtë, qëllimi momental i politikës serbe është vetëadministrimi politik e buxhetor i komunave veriore. Tjerat vijnë më vonë.

Ndërsa politikanët tanë të udhëzuar nga të huajt detyrohen të negociojnë për territore brenda kufijve të Kosovës. Në këto rrethana sigurisht që do të ndodhin lëshime. Prandaj marrë parasysh rreziqet, platforma e Kosovës në negociatat e ardhshme duhet të quhet “Veriu dhe Jugu”, platformë që patjetër të përfshijë përmirësimin e statusit, sigurisë dhe mirëqenies së shqiptarëve në jug të Serbisë. Në fund të fundit Kosova është shteti amë i tyre, sikur Serbia që është për serbët. Çdo gjë tjetër do ta vendoste Kosovën në disavantazh negociues.

Evropa sizifiane

Serbëve nuk iu pëlqen asgjë që ka të bëjë me Kosovën. Ata janë mësuar të konsiderojnë veten e tyre “të veçantë”, “të përzgjedhur”. Si pakicë, të sundojnë shumicën. Dhe kështu të përkëdhelur nga perëndimi ata duan të kenë primatin jo vetëm aty ku jetojnë, por edhe në rajon.

Perëndimi në vend që t’ua tregojë vendin një herë e mirë, vazhdon të dëgjojë teket e tyre, duke mbyllur sytë e veshët para faktit që ishte pikërisht populli serb që inicioi luftën që nga Kosova në të gjithë Jugosllavinë. Diplomacia inerte evropiane nuk arrin/dëshiron të shohë vazhdimësinë e mendësisë hegjemoniste në politikën e sotme serbe, por edhe më tej e ushqen atë në llogari të popujve të dëmtuar.

Politika vendore në Kosovë, si pozita dhe opozita, duken të bindur kundrejt arsyetimeve të ndërkombëtarëve, që gjoja e vetmja rrugë është kompromisi. Që në përkthim të lirë do të thotë: tkurrje territoriale.

Është e habitshme se si tërë investimi ushtarak e politik perëndimor (duke lënë anash çmimin e paguar nga popullata lokale), vihet në pikëpyetje kur vjen momenti i dialogut apo marrëveshjeve politike me serbët. Një shtet që vazhdimisht ka shkaktuar luftëra e vuajtje tek popujt fqinj, nuk mund të kërkojë asgjë. Nuk mund të llogaritet palë e barabartë në bisedime, sepse aty qëndron edhe qëllimi, të pozicionohet fort e të kushtëzojë.

Në gjithë zhbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, ka një të vërtetë të hidhur. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të harrojnë se fituan ndonjëherë ndaj Serbisë nacionaliste. As në kohën e luftërave, as tani në paqe. Sepse ajo vazhdon të mbajë penjtë e dy shteteve të pavarura, Bosnjës dhe Kosovës.

Ein Schock! Ardian ist Raus!


Edita Abdieski & Ardian Bujupi

Ein Schock! Ardian ist raus! (Shokuese! Ardiani jashtë!)
Kështu shkroi Ardian Bujupi në statusin e tij në Facebook, disa minuta pas eliminimit nga gjysmëfinalja e shout gjerman të talenteve të muzikës, DSDS. Vërtet e papritur, sidomos tani në fund të garës kur diferenca ishte bërë, pikërisht kur kualiteti i vokalit dhe performancave të Ardian Bujupit ishin bukur më të dallueshme nga ato të konkurrentëve të tjerë.

Si të ndodhte ndryshe?! Të gjitha shou-programet që kërkojnë talente të reja, kudo në botë, vazhdimisht janë nën llupën e kritikave të opinionit të gjerë, sepse në mos zakonisht, shumë shpesh ndodh që më të mirët të s’kualifikohen pak para se të prekin ëndrrën e tyre të madhe. Fitoren. Nënshkrimin e kontratës.

As DSDS 2011 si duket nuk shpëtoi dot nga skema tashmë e njohur gjithandej. Favoriti numër një për fitore, në të gjitha sondazhet dhe parashikimet e bëra në Gjermani deri më tani ishte padiskutim Ardian Bujupi. Forumet dhe sondazhet e favorizonin atë me mbi katërdhjetë përqind nga totali, kundrejt konkurrentëve të tij, njëjtë sikur më parë me Editën nga X-Factor. Edita fitoi, por për Ardianin kësaj radhe gjërat morën kahje tjetër. Ai u eliminua.

Shqiptarët vs gjermanët

A duhet parë largimi i Ardianit nga gara si rrjedhojë e ndonjë prapaskene të mundshme të organizatorëve, të cilët në fund të fundit nuk përballuan dot që dy shqiptarë të jenë fitues të njëpasnjëshëm të garave muzikore në Gjermani? Të rinjtë shqiptarë që po eklipsojnë të rinjtë gjermanë aq të shumtë në vendin e tyre. Apo që vërtet publiku ishte ai që vendosi të largonte Ardianin nga gara?

Po të ishte vendim i publikut, atëherë rezulton që të gjitha sondazhet e klasifikimet e bëra në internet të jenë të kota e të pavlera. Kjo, e kundërta me rastin e Editës. Ndërsa në rastin e Ardianit, votimet online bien në kundërshti të plotë me votat telefonike. Paradoksale. Në një kohë kur interneti është ai që e thotë fjalën e fundit, për suksesin apo dështimin e një artisti, që dikton suksesin e çdo shou muzikor, si dhe të vetë televizioneve që i organizojnë ato.

Sigurisht shokuese dhe zhgënjyese në një mënyrë. Dhe kundërproduktive. Që tejkalon pritshmërinë e shikuesit, se vërtetësia e krijimit të këtij formati është e padiskutueshme, dhe se talentet e vërteta ngadhënjejnë. Punë e kryer. Jo gjithmonë. E paparashikuara fshihet prapa dyerve të misterit. Dhe se gjithmonë nuk është në pyetje vetëm talenti. Ka edhe përllogaritje të tjera. Matematikën nuk e bën vetëm publiku, por e bën më shumë se çdokush, vetë organizatori. E anëtarët e jurisë që punojnë pafund, dhe që njohin talentin e vërtetë, dalin të jenë kukulla televizive dhe asgjë më tepër. Është e papranueshme kur sheh edhe vetë ata duke pritur në ankth votimin e publikut, duke mos patur asgjë në dorë.

Pikërisht juria që njeh më së miri tregun e shoubizit, e që në të vërtetë do duhej të kurorëzonte yllin e ri. A po paguhet kjo juri vetëm për konsum mediatik e për kakofoni televizive? Duket fare e qartë. Kjo sigurisht që bie ndesh me qëllimin e spektaklit. Sepse qëllimi i vërtetë i spektaklit na del të jetë tjetër. Kundërthënia. Se kundërthënia sot bën lajmin, jo vetëm në politikë, por edhe në art. Pikërisht aty ku gjërat janë të qarta, ku vlerat mund të preken, ku nuk ka nevojë për përmbysje sondazhesh. E në tërë këtë, lajmi mbi përmbysjen e parashikimeve përbën thashethemet, dhe rritjen e reagimit të masës e shikueshmërisë së spektaklit. Fitues mbetet, organizatori.

Edita dhe Ardiani

Edita muaj më parë e “vodhi” shoun. Ajo ishte e pakapshme për garuesit e tjerë. Juria, votuesit në internet, votuesit nga telefonatat dhe organizatorët ishin të gjithë në të njëjtat frekuenca. Edita fitoi. Një herë ndodhi. Pastaj, menjëherë pas saj vjen një supertalent tjetër. Pse të mos ndodhte sërish? E kishte kaq të vështirë një Gjermani tetëdhjetëmilionëshe të gëlltiste faktin se shqiptarët më në fund po shfaqen. Në art?! Se është e tepërt po të fitonte sërish, një shqiptar?! Për më tepër një talent i padiskutueshëm. Pyetje që mbase kurrë s’do t’ia dimë përgjigjen. Tani ka pak rëndësi.

Me rëndësi mbetet fakti që timbri artistik i shqiptarëve po kalon kufijtë e Ballkanit dhe mbase ata evropianë. Ardian Bujupi mbetet njëri prej tyre. Një paket-talent. Që nga cilësia moderne e vokalit, prezenca në skenë, atraktiviteti dhe paraqitja. Aura e tij skenike do të mbahet mend gjatëkohë. E që të gjithë e dinë se, ai ishte më i miri që pati kjo garë talentesh.

Ndërsa ne si publik qofshim në Gjermani apo jashtë saj, presim të shijojmë më pak art e më shumë përmbysje rezultatesh, sondazhesh. Vlerash të vërteta. Qoftë edhe përkohësisht.

“Wonderland”


 

"Wonderland"

Kush tha se “Wonderland” është vetëm një fiksion? Apo se duhet të shkosh në Amerikën e largët, atje ku arrihet nga hiçgjë, çdogjë. Gabim! Ja ku është Kosova, një wonderland. Vendi i mundësive dhe ëndrrave.

 Si të bëhesh milioner

Në një kuiz diturie? Me pesëdhjetë mijë euro? Apo me, punë punë natë e ditë? Jo. Harrojeni! Ka mënyra, mënyra. Të tjera. Kaloi tashmë një dekadë prej kur në Kosovë, nga mëngjesi në mbrëmje mbinë pasuritë, patundshmëritë. Dhe kurrë s’qe një sekret, një e paditur e madhe. Po. Ka një formulë për të arritur deri aty. Fare e thjeshtë. Mashtro. Keqpërdoro. Në emër të kësaj, asaj. Të bëmave, të dikurshme. Korruptohu. Kontrabando. Bëhu pjesë e skemave të mëdha. Të frikshme. Të milionave. 

Si të bëhesh VIP

Duhet të keni gjak blu, trashëgimi qindravjeçare pronash, zingjir hotelesh nëpër botë dhe… Prit! Ku jemi? Konfuzion! Qenkemi në Kosovë. Po. Nuk ka nevojë të kesh origjinë aristokrate. Mund të jesh kushdo, nga kudo. Me një kusht. Të jesh pjesë e skemave. Sërish, domosdoshmëri. Të kesh mungesë absolute talenti. Pranohet. I pashëm apo i shëmtuar. I gdhendur, pagdhendur. Me injorancën atribut kryesor të personës tuaj. Kalon! Të jesh në TV, si gazetar mesatar, apo nga ata që s’lexojnë dot as pas 10 vjet përvojë pune. Nuk ka gjë! Këngëtar me pak zë, pa zë fare. Mjafton të dalësh, në media. Pa arsye, me arsye. Mund edhe të vetëshpallesh, “vip”!

Si të bëhesh President

Gjindu në vendin e duhur, në kohën e duhur. Moralizo. Milionat, një aset më shumë. Shfrytëzo pazotësinë e politikanëve e partive të tyre. Kushtëzo. Dhe ja ku je, President! Apo. Rri në prapaskenë, ëndërro. Pa fushatë, pa sms, pa para, mbase. Thonë, rasti është mbret i botës. Një ditë të bukur, mund të rastis që lotaria presidenciale të të takojë, pa pritur e pakujtuar. E mbyllur në një zarf. Për shkak të inateve politike, një trysnie, eksperimenti apo thjesht nga fatum momentum, ju mund të jeni i përzgjedhuri i radhës. Bingo!

 Ku ka më mirë 

Në asnjë vend tjetër nuk shijohet jeta kështu. Trilleri politik, teatër i përditshëm. Nga një president milioner të thekur, në një presidente. Incognito. Mbijetesa, luksi i shfrenuar, sofra jonë. Shakaja, televizioni ynë. Monotonia dhe e papritura, në simbiozë. Kështu, vendi ynë sërish përbën lajm. Brenda e jashtë. Për keq apo mirë. Me rëndësi janë fjalët. Thashethemet. Herezia. Paradokset e bardha. Të zeza. Ngjyra-ngjyra. Me vrima lepujsh. Gjithandej. Se kështu e ka. 

Një wonderland!

Alkena dhe “Vorio-Epiri”


Alkena dhe "Vorio-Epiri"

Alkena dhe "Vorio-Epiri"

Edhe fëmija më i vogël nuk do ta kishte të zorshme të vërente sikletin në shoun e së shtunës të BB4, kur doli banorja e fundit, Alkena. Siklet, që ka kohë që ka prekur një pjesë të caktuar të publikut, e ç’është më e keqja edhe të vetë prezantueses Arbana Osmani dhe opinionistit Blendi Sala. Ishte për të qeshur/qarë, se sa u prekën njerëzia nga nacionalizmi e patriotizmi totalisht i pafajshëm i Alkenës. Është poashtu e habitshme se si Alkena u ndëshkua për bindjet e saja me eleminim, kur të gjithë e dijmë botërisht se:

-në Greqi nuk dëgjohet muzika shqip, së paku në BB apo TV-të kombëtare               

-në Greqi vriten të rinjët shqiptarë jo vetëm me plumba por edhe me mjete tjera rrethanore, me shufra druri e hekuri, deri te zhdukja totale e trupave

-në Greqi edhe emrin o mbiemrin që ke, duhet ta ndërrosh-nëse do të mbijetosh

-Greqia edhe pension të jep vetëm të quhesh – joshqiptar!

-në Greqi edhe gazetarët e TCH-kanë qenë seriozisht të kërcënuar, kur kanë hyrë tinëz në tokat shqiptare të Çamërisë.

-në Greqi ka ndodhë dhunë, asimilim dhe përndjekje çrrënjosëse e etnosit shqiptar

Opinionisti i BB4 e tha që publiku e sanksionoi Alkenën pikërisht për këtë patriotizëm-nacionalizëm, dhe me ngulm insistonte se muzika greke është art, kripa greke është vetëm kripë. Për të të ardhur keq vërtet, nga një person publik, profesor në universitet. Apo nga një prezantuese serioze si Arbana, e cila në dy spektaklet e fundit-u mundua me çdo kusht të diskreditonte bindjet e Alkenës. Ndërsa po të analizojmë anën greke apo sllave, ndodh absolutisht e kundërta. Mediat tundin flamujt antishqiptarë dhe në emër të mbrojtjes së publikut të tyre nga ndikimet e kulturave fqinje, çdo gjë filtrohet deri në detaj. Në vendet tona fqinje, gjithçka shqiptare demonizohet. Edhe kur një i ri vdes nga një aksident trafiku në jug të Shqipërisë, grekët e bëjnë namin, edhe politika çohet në këmbë. Të mos përmendim varrezat e shumë gjëra tjera. Për të arritur kulmin me Bollanon e pikërisht këto ditë me konsullin grek, që nga Korça jep kumtin për ngritjen e “Vorio-Epirit”. Pikërisht këtë ditë kur Alkena u dëbua nga BB4 e u kritikua ashpër nga opinionisti e prezantuesja e BB.

Se na ka rënë perde e zezë syve s’do koment. Ne si popull kemi maninë të duam të tjerët-por vetëm veten jo. Mjafton të shihet se ç’po ndodh me politikën shqiptare në gjithë Ballkanin apo edhe me ambiguitetet në mes shoqërive shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo dashuri e pakursyer ndaj fqinjve do t’kishte kuptim nëse tjerët do t’ishin vërtetë më të mirë se ne, dhe më të mirë ndaj nesh. Por duke e ditur se të gjithë fqinjët tanë, pushtues tradicionalë, që kanë patur dhe vazhdojnë të kenë plane makabre karshi popullit tonë, kjo dashuri ndaj kulturës e artit të tyre, prekë kufijtë e blasfemisë. Dikush përmend se nacionalizmi nuk çon kërkund, se populli shqiptar nuk duhet t’ua kthejë në të njëjtën mënyrë grekëve, serbëve.  Kjo ka kuptim përderisa jemi më të dobëtit ushtarakisht dhe ekonomikisht. Por s’ka kuptim, kur ne çmendemi pas kripës greke, vajit, ushqimeve tjera. Ne nëse vërtet nuk kemi potencial që të pozicionohemi ushtarakisht, apo të kërkojmë Çamërinë prapa, së paku mund të bëjmë ca gjëra simbolike, të vemë embargo shpirtërore ndaj nacionalizmës (muzikës, mallrave) greke, serbe etj. Se kur dikush ta blen shpirtin-të ka blerë komplet. E a ka mjet më të sofistikuar për të blerë shpirtin e një populli sesa me art?? Më tregoni. Ah, se gati harrova…edhe me pensione besa! Vetëm prano që je grek, merr nja 300 euro të mira.

Kjo që shkruaj do të ishte absurde nga këndi i një amerikani, francezi, antropologu a turisti nga Perëndimi e Lindja e largët. Por gjithçka merr tjetër konotacion kur kjo kulturë fqinjësore greke e sllave, gjendet direkt matanë kufirit dhe njihet tradicionalisht antishqiptare. Qoftë edhe me një këngë dashurie, apo çkado tjetër. Qëllimi është influencimi. Mjafton një tingull, notë muzikore, qoftë edhe më e bukura.

Komunizmi vërtet që ka transformuar qenien shqiptare. E ka konzervuar në një mënyrë, edhe kombëtarisht për dekada, por reperkusionet pas rënies së tij janë vërtetë tronditëse. Një shpërlarje pothuaj totale truri të nacionalizmit shqiptar. Tani nuk ka në Ballkan e Europë popull më indiferent ndaj kombëtares, ndaj qenies së tij. Çka kërkon Greqia-Shqipëria pranon, sepse Europa kërkon. Çka të kërkojë Serbia, Kosova-pranon, sepse Europa kërkon. Ndërsa ne të shpërlarë truri, vdesim për muzikën greko-sllave, sepse ajo na paskërka të bëjë me artin, e kurrsesi me influencën, propagandën. Ne gëzohemi dhe simpatizojmë flamurin e Kosovës që s’na paska ngjashmëri me flamurin kombëtar. Dhe se duhet të lumturohemi që flamuri kombëtar mbeti flamur hasreti, që Kosova mbeti pa një flamur kuqezi. Se duhet të prekemi nëse dikush heqë një yll nga torta e një ditëlindjeje.  Se ne duhet t’i duam yjet e flamurit të Kosovës, për shkak të serbëve, kur dihet se më së paku ato yje i duan serbët. Ne duhet të respektojmë gjëra që ata vetë i urrejnë. Sepse jemi mendjehapurit që s’ua kthejmë me t’keq fqinjve tanë.  

Ja deri ku mund të shtrihet logjika. Ja ku kemi arritur. Na ngritet temperatura në një shou televiziv, sepse një banore i thotë ca gjëra troq, dhe ua hapë sytë masës së gjerë, dhe atë në një mënyrë fare origjinale dhe aspak dashakeqëse. Shumë më ndryshe se çdo banor tjetër i BB. Shpresoj t’i ketë rënë temperatura Arbanës dhe Blendit tashmë. Apo mbase regjia po mendohet se si të gjejë alternativa për promovimin “artistik”  të fqinjëve tanë. Po ua preferoj ca art-muzikë. Kësaj radhe nga fqinjët veriorë të Kosovës. Pak muzikë sllave, se edhe ajo s’është e keqe. Është muzikë tekefundit. Çka ka lidhje nëse serbët vranë e prenë në fyt shqiptarët? Sepse muzika na qënkërka art! Edhe nëse atë muzikë e bën gruaja e paramilitarit Arkan, që ka shfarosur jetë njerëzish. S’ka dert. Se ne jemi këta. Shqiptarët mendjehapur! Na vritni pa ne u degjojmë muzikën, se e keni të mirë, art është, art!

Tërë ky marifet i ndodhur në studiot e TV-së që po investon shumë për qështjen kombëtare duket seriozisht paradoksal. Apo duhet ta marrim vetëm si shkarje joprofesionale e të paredaktuar nga regjia e TCH. Se meqë është reality show dhe transmetim live, bëhen dhe fiasko të tilla. Nëse do të thuhej se Alkena doli për shkak të fatit që e solli në nominim apo mos-të-qenit-aktive, ka logjikë. Se të thuhet që doli për shkak të nacionalizmit-kjo është skandaloze. Dhe nëse është e vërtetë, vërtet shoqëria jonë duhet të ndjejë keqardhje për veten e saj, llumin vetëmohues në të cilin është zhytë. Dhe ky është një ndër indikatotorët më negativë që po karakterizon shoqërinë shqiptare të këtyre viteve.

Po mirë, Arbana, Blendi, X-i e Y-i, shpëtuan prej Alkenës patriote. Atë e ndëshkuan, gati e kryqëzuan për prirjet e saj. Ndërsa deklaratat e Bollanos e të konsullit grek në “Vorio-Epir” kush mos t’i ndëshkojë, kritikojë, as me një raport të thjeshtë gazetaresk. Sigurisht ngaqë ata flasin greqisht, u pëlqen muzika greke dhe hanë sallatë greke me kripë greke. Të gjitha i gjejnë këtu, në zemër të Shqipërisë. Askush s’u thotë STOP! Mbase është qështje arti, qështje dashurie (do të thoshte Ergysi).

E ndërkohë shqiptarët largohen nga shtëpia. Hanë njëri-tjetrin së gjalli.

Flokët e Pakrehur


"Gjuha Shqipe"

Dikur më vinte keq për shkronjën “ë”, kur shikoja në detyrë shtëpie të nxënësve në shkollë fillore… Ajo mungonte në 90% të rasteve në fund të fjalëve që e kanë në përbërjen e tyre këtë shkronjë… Me kohë mendoja se ishte për shkak të moshës së vogël të nxënësve, por e njëjta gjë ndodhi edhe në shkollë të mesme, për të vazhduar tutje në universitet, tashmë jo më si keqardhje por tmerrosje.

Shkronja “ë” është pasuri kombëtare. Jo që shkronjat tjera nuk janë, por kjo shkronjë i jep identitet alfabetit dhe gjuhës së folur shqipe. Dhe të luash me identitetin tënd, ta rrezikosh vetëm për një klik (fraksion sekonde) s’është tjetër veçse vrasje. S’mjafton që është rrezikuar mjaftë në të shtypurit online, ne edhe vetë e mohojmë fare si shkronjë (shum, mir, koh, kultur, ton, lop…)

Mësuesit vs Nxënësit

Kosova në sistemin e vet të edukimit ka shumë segmente të pazhvilluara si duhet. Deri tani ky sistem për disa gjëra ka dëshmuar. Se te ne nuk mësohet, por kapërcehet. Te ne nuk zhvillohet nje temë, por mbarohet. Te ne nuk ofrohet cilësia, por sasia. Dhe kjo vlen para së gjithash për Gjuhën Shqipe. Që do të thotë, nxënësit ngarkohen me gjëra sasiore, me qëllim arritjen e normës, por jo edhe arritjen e cilësisë. Tekefundit një fëmijë që mbaron klasën e katërt më e udhës do të ishte t’i kërkohej të shkruante një hartim pa gabime gjuhësore sesa t’i kërkohej alamet mendimi apo ideje. Thënë ndryshe, jo të gjithë nxënësve duhet kërkuar një hartim (shkrim) i mirë në total. Por të gjithëve duhet kërkuar një hartim (shkrim) pa gabime gjuhësore ne total! Sepse në të ardhmen, për të shkruar kanë te gjithë. Pa marrë parasysh çka, një adresë, një emër, një e-mail, sms, një koment të shkurtë. Hartimet e vërteta, novelat e poezitë ua lëmë shkrimtarëve (persona në gishta).

Mbledhitë Elektronike dhe Fjala e Shkruar

Po e quaj kështu nëse do të guxoja, tërë shoqërimin e njeriut modern, qoftë përmes telefonave të dorës me porositë elektronike, apo edhe nëpërmes internetit: posta elektronike, forumet, rrjetet shoqërore etj. Rolin kryesor sigurisht edhe këtu e luan Fjala e Shkruar, që thënë të drejtën po i jep dimenzion të ri vet mënyrës së të jetuarit, e në të ardhmen kushedi çfarë. Shqetësimet janë të shumta por ato që shenjojnë më shumë janë këto:

– mungesa e qartë në mes asaj që mendohet të thuhet dhe asaj që shkruhet;

– gabimet elementare, si mungesa e “ë”-së, përdorimi i tmerrshëm i “q”-së në vend të “ç”-së etj.;

– mungesa e shenjave te pikësimit, që të bën të humbësh shumë kohë derisa e kupton se ku fjalitë marrin kahjen e duhur, në kuadër të asaj që është menduar të thuhet.

– indiferentizmi gjuhësor;  etj., etj.

 Indiferentizmi gjuhësor

Ky indiferentizëm është mjaft kompleks dhe ka të bëjë me shumë gjëra njëkohësisht: me të nguturin, thjeshtësinë brutale të të shkruarit, sipërfaqesinë, të qenurit kull (cool), joseriozitetin dhe edukatën individuale. Dhe kur kjo vjen nga gjithësecili: fëmija, i rrituri, studenti, qytetari, fshatari e i diplomuari, kuptohet që është prekur piku kritik.

– Të nguturit. – Të gjithë nguten kur shkruajnë, vërehet nga mungesa e ngatërrimi i shkronjave, mungesa e shenjave të pikësimit dhe përdorimi i akronimeve. Shtrohet pyetja: a ka pamjen e duhur dhe ndjesinë e vërtetë një këmishë e pahekurosur mirë, një pastrim dhëmbësh për 3 sekonda, një bukë e pjekur për 3 minuta? Një semafor i kaluar në të kuqen? 

– Thjeshtësia brutale.- Ajo që haset kudo në ditët e sotme është thjeshtësia me të cilën të rinjtë shprehen, shkruajnë. Nuk e marrin pikën e mundit që të formulojnë një fjali së paku drejt të lexueshme, kuptueshme.

Fjalia e shkruar pa pikë e pa presje, pa morfologji e strukturë elementare, pa “ë” në fund dhe me “q” të vendosur dosido është rrëmujë, sikur floku i pakrehur. Edhe po të jetë një fjali dashurie a urimi, ajo thjesht i ngjan një dhurate të paketuar me letër tualeti.

– Sipërfaqësia.- Një “mos ta nin-je ma e mira”-është shembulli më i thjeshtë se sa e vagët është aftësia për të thënë diçka të sinqertë, më të zhvilluar në përmbajtje, si dhe shembull se sa moskokëçarës e indiferent është ai që shkruan këtë.

– Cool-izmi – Mjafton të dëgjosh bashkëbisedimet në mes të rinjve në Kosovë, sidomos atyre nëpër qytete, dhe ti e kupton që ata janë thjeshtë të rinj të  l-a-z-d-r-u-a-r. E sa për ironinë e tërë kësaj, në Dukagjinin lindor “kull” e quajnë kalin shëndetlig! Rastësi bizare kjo. Gjuha shqipe në Kosovë është shëndetlige.

– Joserioziteti.- Nëse s’duhet të kemi seriozitet në mënyrën se si shpërfaqemi para botës virtuale, atëherë a kemi të drejtë të kërkojmë prej të tjerëve (në botën reale) që të jenë seriozë?

Pse të mos jetë edhe një mjek rebel, që në vend të shpretkës të operojë mëlqinë? Apo një farmacist, që në vend të një vitamine të japë antibiotikë të fuqishëm…apo një shofer autobusi të vozisë 120 km/orë, në pikë të dimrit? Apo një procesverbal gjykate t’shkruhej pa pikë e presje? Se në këtë mënyrë do të ishin in, duke qenë joseriozë. Ne na bënë përshtypje si të jemi in apriori, e jo të merremi me consequences posteriori.

– Mungesa e edukatës.- kjo është më e rrezikshmja, dhe më e përhapura si dukuri. Për më tepër kjo mungesë edukate gradualisht po prekë edhe ata që kanë një nivel të caktuar të saj. Se sot duhet të sillesh si masa. Masa, sasia është në pyetje. Gjithmonë.

 Rebelizmi gjuhësor

Dekadën e fundit dukuria e rebelizmit në përgjithësi ka rritje eksponenciale. Dukuri që bie në sy në tërë botën, sidomos botën perëndimore. Eshtë dicka e marrë nga perëndimi por diçka që buron edhe nga vetë ndjesia e individit shqiptar për të ndryshuar gjërat duke mos qenë rehatshëm me to. Këtu padyshim edhe gjuha del pengesë në rrugën e rebelizmit. Të shkruarit online është marrë si një mikrokozmos ku secili mund ta shprehë rebelizmin e tij, që nga postimet e mendimeve, fotografive, videove, muzikës e deri te gjërat e thjeshta ditore. Kjo hapësirë ku mund të ndihesh “sa të duash rebel” pa rregulla, paradoksalisht ka edhe vetë rregulla! Se duhet të jesh sa më rebel që mundesh, i çthurur, të mos respektosh asgjë, të jesh sa më shumë vetvetja (që në përkthim të lirë do të thotë: sillu sipas instinktit)! S’je in nëse shkruan me gramatikë, s’je cool  nëse bën “kishe unë di”. Me këtë sikur dëshirohet të luftohet rregulli, që në thelb e mban botën gjallë.

Të përdorësh zhargon është e pranueshme deri diku mes familjarëve dhe një numri të kufizuar miqsh, por të jetë pjesë integrale absolute e çdo reagimi, komenti, postimi, përshëndetjeje, falenderimi apo kritike-kjo thjesht është e papranueshme.

 Pro et Contra

Nëse dikush mendon se kjo mënyrë rebele e komunikimit e bën shoqërinë më pak të ngurtë, më elastike, më të komunikueshme e më të mirë, mendoj se gabon. Se nuk mund dhe guxon të futen të gjitha në një thes, në thirrje të një uniformiteti shoqëror të rremë. Të mos dish nëse atë koment apo shkrim kush e ka bërë, një fëmijë që është në fillet e para të të mësuarit të gjërave, apo një i rritur 20-30 vjeçar?

Dihet se njerëzit janë të ndryshëm, shprehen ndryshe, shkruajnë ndryshe. Në kuadër të kësaj, vetë brenda përbrenda Kosovës kemi nënkulturat gjuhësore, të cilat duhet t’i respektojmë. Por, por, jo që në emër të kësaj të guxojmë të masakrojmë të shkruarit. Nëse dëshirojmë që të kuptohemi mirë, të respektojmë mendimet e njëri tjetrit, pse mos të përpiqemi pak që të shkruajmë drejt, qartë. Vetëm kaq!

Ne duhet të këmbejmë idetë, bindjet, mendimet, dallimet, jouniformitetin shoqëror me diçka uniforme-gjuhën. Mendoj, qoftë edhe në gegnishtën tonë. Së paku në rregullat kryesore të saj. Gjejeni një krahër, se përndryshe do të bëhemi Dexter-ë të gjuhës sonë. Të vetvetes.

Nacionalizmi Digjital


Kosova & Cameria

Edhepse si term “nacionalizëm digjital” s’e kam dëgjuar apo lexuar më parë, më erdhi vetvetiu dhe e përkufizova si: “mënyrë bashkëkohore-digjitale e shprehjes së identitetit kombëtar, ndjenjave dhe promovimit të kauzave kombëtare”. 

Që nga përkohëzimi (aktualizimi) i internetit si mënyrë e re komunikimi, këmbimi informacioni dhe promovimi, vetvetiu lindi edhe konkurrenca digjitale. Dhe atë jo vetëm në mes kompanive gjigante që ofronin shërbime të ndryshme, por edhe në grupet e interesit më të vogël, të qytetarëve dhe individëve vetë.

Sot jemi dëshmitarë që si shoqëri moderne si kurrë më parë kemi mundësinë që përveç marrjes së lajmeve dhe të rejave, argëtimit dhe kënaqësive tjera, të këmbejmë dhe patriotizëm me bollëk.

Është kjo një dukuri vetëm e popujve të vegjël, sidomos popujve ballkanikë, apo një dukuri mbarbotërore? Padyshim që është gjithpërfshirëse dhe mjaft “infektuese”. Menyrë ku njerëzit kushdo qofshin e kudo qofshin, thonë atë që duan, si të duan, pa u sforcuar, dhe pa u friguar fare.

Grupet nën emrat si: “proud to be american”, “proud to be chinese”, “proud to be albanian”… slovak, gambian, gjakovar, christian, muslim… e mijëra faqe e grupe të ngjashme, janë tregues interesant i asaj se sa nevojë kemi të tregojmë krenarinë tonë, se dhe “ne” jemi këtu, se s’ka më mirë se të jesh ky, ai, ajo. Pastaj “grupet nacionaliste” nga një shtet i caktuar kundrejt “grupeve nacionaliste” të popujve tjerë fqinj janë një fenomen në rritje nëpër rrjetet sociale digjitale, nëpër forume e blogje të panumërta. Më të shprehura në Europë padyshim që janë grupet nga Ballkani, për arsye të urrejtjes tradicionale, pa marrë parasysh në janë shtetet nga ish federata jugosllave me nacionalizmin më të freskët, apo edhe vendet tjera si Turqia, Greqia e Bullgaria të cilat nuk mbesin më pas fare.

Nacionalizmi Digjital Shqiptar

Grupet sociale shqiptare janë të shumta. Faqet dhe grupet me permbajtje kombëtare dalluese janë me qindra, që nga ato të shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Çamërisë e Maqedonisë. Me qëllim promovimi të shqiptarizmës apo kundërpërgjigje ndaj grupeve rivale nga shtetet fqinje, këto grupe, hiç më pak e hiç më shumë kanë gjetur përkrahje nga pothuaj të gjithë përdoruesit e internetit. Nuk gjen një njeri në një rrjet social që të mos jetë anëtar i një faqeje apo grupi të tillë.

Është e mrekullueshme të mësosh gjëra të reja që praktikisht deri dje kanë qenë pjesë vetëm e librave, arkivave e dosjeve të pluhurosura. Mjafton një fotografi e vetme të të mishërojë me një ngjarje, vend apo vetë një kauzë. Kjo i bën surfuesit e internetit të “përplasen” me informacionin pa e kërkuar ndoshta fare. Dhe për një moment mund të lexosh një poezi të vjetër, dëgjosh një këngë labe, kuptosh si duket Parga, Filati, një Urë në Gjakovë, Kulla e Dukagjinit, Gostivari, Kalaja e Ulqinit, Gjirokastrës.

Rrjetet sociale si Facebook e Youtube janë platforma ku secili mund të shprehë veten, profesionalisht apo me një gjuhë të thjeshtë, me kriter apo pa kriter, shpeshherë të ulët dhe të ndyrë, ku ajo që thuhet nuk filtrohet dhe nuk redaktohet fare. E rëndësishme është prezenca. Një fotografi me karakter kombëtar, një grafikë me ngjyrë flamuri, një video apo këngë qëllon të jetë drithëruese për dikënd ndërsa thumb helmues për dikë tjetër. Reaksionet arsyetojnë. Virtualiteti në këtë rast dëshmohet krucial për grupin e caktuar, kombin.

Nevojë apo Paragjykim

Të dyja! Sigurisht që nevoja e shpalosjes së kombëtares përmes nxjerrjes në pah të vlerave është një detyrë e secilit individ dhe shoqërie. Kjo ka ekzistuar gjithmonë që nga e kaluara e njerëzimit. Dallimi është se vetëm ka ndryshuar formë dhe është bërë më e lehtë të arrihet deri te shpërfaqja e këtij nacionalizmi. Kjo ka bërë të mundur që shumë njerëz anipse nuk janë të dhënë pas patriotizmit, spontanisht, shpesh për hir te trendit-me një klik të vetëm bëhen pjesë e këtyre grupeve duke mpleksur dhe ushqyer veten kombëtarisht.

Se është e bukur të arrish në informacione që njerëz aktivë mbledhin dhe e ndajnë me të tjerët s’ka dyshim. Por që njëkohësisht të ndihesh shumë keq, kur lexon gjëra paragjykuese, më të shpifurat dhe më të sëmurat që mund t’i prodhojë imagjinata e njeriut, s’ka dyshim as për këtë!

Jetojmë kulturën digjitale ku protagonistë janë njerëzit e mirë, të këqinj, të mencurit, të marrët, mendjendriturit e terrakët.

Bashkohu dhe ti!